Anija me shumë kapitenë e BE-së fut ujë!

redaktor

Kriza e refugjatëve sirianë e më gjerë, është shprehja më e fundit e mefshtësisë lapidare të burokracisë groteske të BE për të marrë vendime strategjike si një e tërë. Pa shkuar larg në kohë, kriza e ish-Jugosllavisë, qëndrimi ndaj luftës në Irak, pranverës arabe, kriza financiare e Greqisë, Ukraina etj, dëshmojnë se BE, ndonse me shumë “koka”, mbetet ende pa “kokë”.

Pafuqia konstante e BE për të bërë protagonistin real në politikën botërore mbetet sfida kryesore për të dhe sa kohë kështu de-marketingun kryesor ëndrrës europiane po ia bën vetë BE. Kriza e saj mbetet kriza e identitetit dhe dilema nëse duhet të jetë thjesht një treg i hapur mes të barabartësh që ruajnë sovranitet apo një super-shtet efektiv që nuk merret peng nga vetot e anëtarëve por bazohet tek shumica (parlamenti europian apo referendumi paneuropian). Dilemë kjo që nuk lidhet vetëm me fatin e BE por dhe fatin e paqes, mirëqenies dhe harmonisë afatgjatë në rajon dhe më gjerë. Në këtë këndvështrim, alternativa e vetme mbetet BE “super-shtet” që jo vetëm dekurajon prirjet nacionaliste por dhe konsolidon pa kthim identitetin europian.

BE kundër BE!

Praktika e “vetos” apo qëndrimi unilateral në BE bie ndesh me perspektivën e BE. Si një organizmë elitë demokratik, vendimmarrjet e BE duhet të jenë atribut i shumicës së vullneteve – Parlamenti Europian apo referendumi paneuropian. Nacionalizmi duhet të sfumohet nga europianizmi dhe kufijtë mes vendeve anëtare nuk duhet të ekzistojnë as legalisht pale më të ngrihen tela gjembash, apo siç bën potere greku për kufirin detar në jug etj. Kjo sepse identiteti europian që synon BE dhe kufijtë nuk shkojnë bashkë.

Kufijtë duhet të kenë po aq vlerë dhe kuptim sa ato mes rajoneve apo krahinave sot dhe kjo nuk prek thelbin e identitetit deri lokal të kujtdo qytetari europian – një qytetar i BE ndjehet njëkohësisht europian, shqiptar, italian, kalabrez, lab, milanez, dibran etj (identiteti ka dimensione të shumta me implikime të ndryshme ndaj bashkëjetesës). Përjetimi dhe ballafaqimi emocional i nacionalizmit ekstrem në nivel shtetëror me zanafillë të shkuarën e përgjakur, stonon me vetëdijen e civilizimit modern dhe vetë idenë e BE. Kufinjtë, emblemat nacionale, kontributet patriotike etj vlera të çmuara të së shkuarës duhet të kujtohen me respekt por në funksion të formësimit të identitetit europian ato duhet thjesht të arkivohen si trashëgimi e vyer dhe pjesë e folklorit nacional. Bota është e vogël për t’u ndarë në shumë shtete. BE aq më pak.

Pasojë e kësaj krize identitare në BE që merr peng vetë vendimmarrjen në të është deri-diku dhe kriza e refugjatëve në rajon. Hezitimet, mosdakortësitë, kakofonia pafund, abuzimi me veton etj nuk e lejuan BE të pozicionohej dhe vepronte strategjikisht në kohën dhe vendin e duhur. Ajo dështoi të ndërhynte me largpamësi kur dhe si duhet në “pranverën arabe” dhe çmimi po paguhet sot. Ndërkohë që në BE tani grinden për “kuota refugjatësh”, u humb shansi i djeshëm për të vendosur për “kuota kontributesh” financiare për të stabilizuar krizën e refugjatëve në vendin më të afërt të sigurtë për ta – Turqi, Liban, Greqi, Itali etj. Ndoshta sepse nuk e quante problem të saj (sot është problem i saj me kosto të jashtëzakonshme financiare, politike, sociale apo identitare për të), por dhe se është e paaftë të marrë vendime si e tërë sa kohë shtetet e BE ende aplikojnë veton e famshme apo ngurrojnë në funksion të interesit nacional.

Refugjatë lufte apo “ethe eldoradoje”!

Refugjatët kanë të drejtën e amëshuar të azilit por ajo mbaron me mbërritjen në të parin vënd të sigurtë për ta. Turra-vrapi ballkanik me çdo çmim drejt Gjermanisë, ekspozimi i papërgjegjshëm ndaj rreziqeve i grave, fëmijëve, të pamundurve në këtë maratonë emigrimi nuk është më shprehje e së drejtës për të garantuar jetën por riskim alla “sipërmarrësish” për të përzgjedhur më të mirën në BE, një zell ky të cilit mass-media i bën jehonë pafund.

Më 1999, me qindra-mijra kosovarë u shpërngulën për në Shqipëri dhe Maqedoni. Ndonse dy shtete të varfra, të dyja bënë të tyren dhe me ndihmën edhe nga jashtë, ia dolën të përballonin një krizë ekstreme refugjatësh në parandalimin e së cilës BE si gjithnjë dështoi (në mos për SHBA, kampet e refugjatëve ende do të ishin këtu). Atëhere nuk pati ndonjë tentativë në masë për të vijuar udhëtimin drejt Italisë, Francës, Gjermanisë etj. As ftesë për të shkuar atje sikundër Gjermania bën sot ndaj refugjatëve sirian.

Por ndërsa sot shqiptarët zbohen me avionë nga Gjermania, BE vë në dispozicion autobuzë dhe trena për flukset pafund nga zonat e luftës në Afrikë e Azi duke e promovuar më tutje atë. Një çoroditje alla-BE që ka hapur sherr mes vetë anëtarëve të saj, ka degraduar marrëveshjen Shengen dhe po rizgjon nacionalizmin në kurriz të identitetit europian sipas motos “respektojmë ëndrrat e refugjatëve por jo kur ato prekin tonat”.

Integrim “symbyllazi” në BE!

Objektiv strategjik i BE duhet të jetë ndërhyrja në zonën e krizës. Demokracia as nuk eksportohet, as nuk imponohet. Ajo duhet të vijë natyrshëm dhe si refleksion ndaj avantazheve të saj. Dhe kjo kërkon kohën dhe brezin e duhur. Ndryshe, largimi i diktatorëve krijon vakum për ekstremizëm dhe globalizim të së keqes me pasoja për të gjithë.

Përballë shanseve të humbura, BE duhet urgjentisht të ndërmarrë iniciativa paqeje në rajon dhe nëse dështon, të angazhohet pa ekuivok krah SHBA në çrrënjosjen e së keqes që refuzon të ndalet. Ndërkohë BE duhet të investohet urgjentisht në krijimin e kampeve dinjitoze për refugjatët në rajon (Turqi, Liban, Greqi, Itali etj) duke rikthyer atje më pas edhe ata që janë sot në zemër të BE. Me lehtë se për “kuota refugjatësh”, vendet e BE mund të bien dakord për “kuota parash” për të kontribuar në kampe refugjatësh (që gjithsesi do i harxhojnë nëse refugjati u troket tek dera). Greqia apo Italia nuk duhet të braktisen në fatin e tyre përballë fluksit migrator, ndryshe “dominoja” e ngecjes së refugjatëve tek fqinji verior nuk soset – në rastin e Greqisë ndoshta do të ishte edhe momenti për të fshirë edhe shumë nga borxhet e së shkuarës së saj.

Një BE që jep dum do të ishte realisht “tharm” paqeje, mirëqenie dhe frymëzimi demokratik për mbarë rajonin dhe më gjerë. Një BE që ia vlen ta ëndërrosh. Ndryshe ç’kuptim do të kishte të lëshonim sovranitet, si dikur shpura që i çoi kurorën Emanuelit të Italisë, ndaj një BE të katandisur në OJF që të lë në baltë! Obsesioni ynë ndaj BE duhet të çlirohet nga “romanticizmi” me të cilën ka spekulluar retorika politike 25 vjet. Prania në BE nuk është automatikisht fundi i problemeve. As kusht që të jetosh më mirë – Norvegjia, Islanda e gjetkë ia dalin mbanë edhe pa të. Nëse qeveria Rama ka vullnet për reforma dhe zbatim ligji, t’i bëjë ato në emër të qytetarit shqiptar mirëqenia e të cilit është marrë peng kaq gjatë. Duhet veç “dorë” e fortë se ligje kemi plot. Duke nisur nga lart. BE? Thjesht bonus. Nëse na leverdis.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *