Monstra e Prrenjasit ishte një person me precedent qysh në vitin e largët 1988 kur edhe është dënuar një herë për veprime të turpshme, më pas në Greqi për të bërë të njëjtat veprime edhe në vendlindje. Ai akuzohet se ka abuzuar me një fëmijë në vitin 2004 ndërkohë që punonte me një kamion për transportin e punëtorëve të hidrocentraleve në zonat e thella. Pasi punon për një vit, regjistrohet një ngjarje abuzimi. Një ditë ai merr me vete nipin dhe shokun e tij me makinë. Familjarët e dy fëmijëve bëhen merak dhe fillojnë ta kërkojnë. Fillimisht gjejnë nipin që ai e kishte zbritur më parë me makinë dhe më pas ikën vetëm me djalin 10-vjeçar. Të gjithë në Prrenjas e dinë se me atë fëmijë është abuzuar, por askush nuk di të thotë se si u veprua. Familjarët e gjetën fëmijën të tronditur, por e mbyllën me njëri-tjetrin. Ishte e papranueshme ajo që kishte ndodhur. Pasi gjetën fëmijën dhe e kthyen në shtëpi, ai u largua në atë kohë për në Greqi duke u arratisur. Nga ajo kohë nuk u fol më për Ardjan Prrenjasin. Ai u shfaq në Prrenjas vetëm 10 vjet më parë kur i vdiq i ati, por vëllezërit e tij nuk e pranuan më në shtëpi. Nga kjo ditë ai për shkak të precedentëve edhe në Greqi nuk mundi të kthehej më në emigracion, por gjeti si zgjedhje Tiranën.
Familja dhe banorët kërkojnë dënim me vdekje
Ngjarja që ka shokuar mbarë vendin, ka tronditur tej mase familjarët monstrës dhe banorët e qytetit të origjinës së tij, Prrenjasit. Familja Prrenjasi e ka të vështirë të dalë para kamerave, e megjithatë shprehen se ai do plumbin ose të varet në litar. Nëna e Ardian Prrenjasit ka pësuar parainfarkt e ndodhet në gjendje serioze për jetën, ndërsa motra e vëllai më i vogël e urrejnë veprimin e vëllait të tyre, të cilin e kanë dëbuar me kohë që kur ai u dënua në Greqi dhe e përsëriti ngjarjen në Librazhd edhe me një nga nipërit e tij.
Besniku thotë se nuk ka as sy e faqe të dalë për këtë që ka ndodhur dhe kërkon dënim maksimal. ““Mua s’më dhimbset jeta fare. Kam sedër. Nuk kemi fytyrë e faqe të flasim. Ishalla e vrasin e ishalla e presin. Gomarllëqet që ka bërë ai, nuk mund të shlyhen. S’po e vras mendjen për veten time. Jam bërë që të më jepni një armë e të vras veten, po kam hallin e fëmijëve. Kam hallin e nënës. Ajo sot ka qenë e sëmurë. Ka kaluar parainfarkt. Ta shikoni në çfarë gjendje është nëna, do të më kuptoni dhe mua. Atë ishalla e vrasin fare. Fajin e ka ai. E dëbuam ne vite më parë. Tani dua ta varin. Nuk meriton të ketë këtë mbiemër. Na kanë thënë do t’ju zhdukim si familje.
Fqinjët: Janë familje e respektuar
Por për fqinjët familja Prrenjasi gëzon respekt të veçantë. Komshija e katit të tretë Ruzhdie Hasanmema tregon se e kalon jashtëzakonisht mirë me familjen Prrenjasi e madje i lë edhe çelësat e shtëpisë. Sipas saj, edhe Ardiani sillej mirë në lagje. Por për atë që ka mësuar ajo shprehet se le të dënohet siç e kërkon ligji. “Unë që kam shumë vjet që i njoh, dhe jo vetëm unë, por i gjithë Prrenjasi të thotë fjalët më të mira për familjen e Muhamet Prrenjasit. Ne kemi hyrj- dalje familjare. Ai nuk ka jetuar këtu, por të tjerët i ka shumë të mirë. Ne kemi shumë respekt. Nuk kam rastisur ndonjë rast të tillë, të paktën këtu tek ne.
Janë tre djem të mrekullueshëm, një në Greqi. Nuk e kam as farë e as fis. Jam vetëm komshije.
Aq sa e njoh, me ne është sjellë shumë mirë. Për Ardjanin s’mund të them asgjë, pasi ai iku refugjat dhe s’e dimë më pas çfarë u bë me të. Ata e dinë se çfarë kanë bërë kur e kanë dëbuar. Për mua ai le të dënohet siç e ka ligji, ndërsa ata të lihen të që të shikojnë jetën e tyre pasi janë të përsosur.
E moshuara e hyrjes përballë Asije Golemi, gjithashtu shprehet se familja Prrenjasi është mjaft e respektuar. Por nëse do të ishte nëna e Ardianit, ajo shprehet se do ta mohonte si fëmijë pasi ai ishte një monstër.
Mjaft të indinjua për rastin në fjalë, shprehen banorë të qytetit të Prrenjasit. Ata e konsiderojnë atë si një krim të shëmtuar e të neveritshëm, ndaj edhe kërkojnë dënim maksimal. Nuk duan që ai thjesht të vritet me një plumb, por ta tërheqin zvarrë nëpër qytete, ta varin në mes të Tiranës e t’i presin mishin që të provojë vuajtje.
Edhe bashkëqytetari tjetër i Ardianit, Rrahman Kolgjini, është për dënimin ekstrem dhe kthimin e dënimit me vdekje. Sipas tij, parlamenti e qeveria duhet ta miratojnë sa më parë këtë ligj, pasi janë shtuar mjaft raste të tilla. Ai akuzon gjykatën dhe prokurorinë që e dënuan aq pak autorin, pasi, nëse do të kishte marrë dënimin e merituar, ngjarje të tilla mund të ishin parandaluar.
Të njëjtin mendim ndajnë edhe qytetarë të tjerë të Prrenjasit që kërkojnë që rasti i tij të bëhet shembull madje edhe duke e varur në mes të qytetit.
