Në sajë të operacionit të koduar “Furtuna”, Policia e Shtetit ka arrestuar një të shumëkërkuar në zonën e Dibrës. Arrestimi i 27-vjeçari Fadil Tërnova është bërë nga forcat speciale të RENEA-s dhe Forcat e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se Tërnova është i akuzuar për një serë veprash penale dhe gjatë arrestimit është kapur me pistoletë në brez, me fishekë në gojë.
Gjithashtu gjatë kontrollit të imtësishëm në banesë iu gjet dhe iu sekuestrua edhe një armë Kallashnikov me dy krehra me 60 fishekë. Gjykata e Apelit Tiranë, me datë 16 shtator 2015 ,ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës Dibër, e cila e ka dënuar me 9 vite, 10 muaj e 27 dite burg për veprat penale: “Vrasje me dashje e mbetur, e mbetur në tentativeë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Fadil Tërnova, sipas policisë, është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i proceduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale dhe konkretisht;
Më datë 9 dhjetor 2009, rreth orës 15.30, e ne vendin e quajtur “Pishat” përballë lokalit të shtetasit A. T., ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasin V. Sh., i cili ka mbetur i plagosur rendë.
Me datë 19 janar 2012, rreth orës 12.30, në kuadrin e operacionit të koduar “Pishat”, të organizuar nga ana e Sektorit Për Krimet e Rënda, për kapjen e personit në kërkim Fadil Tërnova, u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe nga kontrolli që i ushtruan iu gjetën dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë, dhe një krehër, me tetë copë fishek. (Për këtë është dënuar e ka bërë vetëm 8 muaj burg).
Me date 24 nëntor 2012, rreth orës 12.00, është shpallur në kërkim nga ana e Komisariatit të Policisë Bulqizë për veprat penale “Kanosje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
Me datë 20prill 2013, rreth orës 15.00, në lagjen ‘Gjeologu’ të qytetit Bulqizë përballë lokalit të shtetasit I. B., pas një shkëmbimi zjarri Teërnova, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. Sh. dhe ka plagosur rëndë shtetasin V. Sh., si dhe ka mbetur i plagosur edhe vetë shtetasi Fadil Tërnova.
Lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit Fadil Tërnova, Luan Tërnova dhe Vehap Shehu.( Për këtë ngjarje ka bërë 2 vjet paraburgim që i është llogaritur 3 vite burg).
Ky shtetas dyshohet edhe për disa ngjarje të tjera të rënda evidentuar në territorin e Bashkisë Bulqizë dhe po punohet për dokumentimin e tyre. Gjatë operacionit të ditës së sotme është arrestuar në flagrance edhe shtetasi Veli Nika 29 vjeç, lindur dhe banues ne fshatin Vajkal rrethi Bulqize. Ky shtetas është arrestuar për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit” pasi ka ndihmuar shtetasin në kërkim Fadil Tërnova, duke e transportuar me automjet. Shtetasi Veli Nika dyshohet se është autor i disa ngjarjeve kriminale në territorin e Bashkisë së Bulqizës dhe Dibrës si dhe është proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”, dhe “Mbajtje pa leje të armeve e municioneve luftarake”. Si dhe në ngarkim të shtetasit Veli Nika. për veprat penale “Përkrahje e autorit te krimit”.
