Tirana s’e fal Teutën e Maganit, fiton 2-0

redaktor

Tirana mori fitoren e parë në kryeqytet. Bardheblutë e Muçës fituan 2-0 në “Qemal Stafa” përballë durrsakëve pas një ndeshje që e zgjidhën shumë shpejt duke treguar se kishin marrë mësime nga sfida e fundit me Bylisin në Tiranë.

Lojtarët e prapavijës, Muça dhe Karan ishin ata që i dhanë suksesin skuadrës më të titulluar në vend, përballë një Teute që shfaqi shumë dëshirë por që u ndal nga Frashëri, që bashkë me Elis Bakajn ishin më të mirët në fushë. Magani rikthehej në kryeqytet por këtë herë si kundërshtar i Tiranës, që kërkonte fitoren pas humbjes në fund përballë Skënderbeut. Fillimi i bardhebluve ishte i furishëm me ndeshjen që nisi me gol që në aksionin e parë. Harkimi i Bakajt u devijua lehtë nga Gentian Muça, që e dërgoi topin në rrjetë.

Teuta megjithatë nuk qëndroi pasive por në të 13-ën rrezikoi seriozisht portën e Frashërit, me Emiliano Mustën, që nga pranë gaboi një gol të sigurt. Në të 24-ën, Tirana u ndihmua nga Frashëri që zgjati këmbën për të ndalur Viktor Kukën. Në momentin më të mirë të durrsakëve, bardheblutë shënuan dhe golin e sigurisë, me Bakaj që dha një tjetër assist këtë herë për mbrojtësin serb Karan, që me kokë shënoi golin e 2-0.

Ndeshja e Teutës u komplikua dhe me zëvendësimin e Rizvanit nga Moçka në minutën e 35-të, ndërsa në të 38-ën Bakaj nga njeri asist mendoi të shënonte vetë por anësori sinjalizoi për pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë, freskia e të rinjve të Teutës u ndje në fushë, me durrsakët që vunë në vështirësi Frashërin në të 58-ën, pas një goditje të Ditës. Portieri Tiranës shpëtoi portën dhe në të 67-ën, ndërsa në të 69-ën, Dita kuptoi që nuk ishte dita e tij kur u ndal dhe nga shtylla. Tirana më në fund rrezikoi në të 79-ën me Kërçikun, që pas një aksioni personal pa topin t’i devijohej në goditje këndi. Minutat e mbetura ishin menaxhim i mirë i bardhebluve që morën fitoren e parë në shtëpi për këtë sezon duke u ngjitur tashmë në kuotën e 8 pikëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *