Simfoni në dy kohë
Me ty takim-kur kisha lënë,
tek vendi ynë-ndënë pjergull,
ç’torturë hiqja-duke pritur,
ç’më dukej ora sa një shekull!
Me padurim e ankth trazuar,
s’i hiqja sytë nga akrepi,
një çast m’u duk-ashtu si ora,
në vend kish mbetur dhe Planeti!
Harruan zogjtë të cicërinin,
dhe njerëzit i harruan fjalët,
bari dhe gjethet s’fëshfërinin,
s’i shkumëzonte lumi valët!
M’u duk se isha atë natë,
banor’ i vetëm i Planetit,
o-ç’qenka pritja kaq e gjatë,
ç’mundim i sillka dhe poetit!
Po ja-papritur-ti u shfaqe,
e shpejtë-si flakë vetëtime,
dhe nisën zogjtë nëpër parqe,
një simfoni me cicërime.
Dhe lumi prapë i zgjoi valët,
nisi vërshimet pranverore,
gjithçka filloi të fluturonte,
veç një sekondë pas asaj ore!
Dhe yjet që kish mbledhur nata,
të tërë syri yt i treti,
të putha ty-pastaj besova,
lëviz nga puthja dhe Planeti!
Tiranë, 11.10.1978
Unë t’i kam puthur ata sy
Kot më shikon e zemëruar,
me mua kot ti mban mëri,
dikur-me mall të përvëluar,
unë t’i kam puthur ata sy.
Kot më shikon me sy të vrenjtur,
un’ prapë të dal në ëndërrime,
i nxehti prush i buzës tënde,
djeg edhe djeg në buzën time.
Kot më shikon e zemëruar,
ty zemërimet nuk të shikojnë,
ti ende je e dashuruar,
dhe sytë gjithnjë të tradhtojnë.
Tiranë, 1980
Diell e det
O det i dashur-det i kaltër,
plot melodi edhe mister,
si sot-s’të pashë më të pastër,
as më të bukur ndonjëherë.
Rrezet e diellit-plot shkëlqim,
ta ngjyejnë gjirin me varak,
skuqur ai-në perëndim,
ësht’ ndalur të sodisë pak.
Sot miken time e kam pranë,
zemra rinore i këndon,
një fllad ia hedh flokun mënjanë,
dhe sytë e blertë ja mbulon.
Në këtë pamje magjiplote,
sodisim diell edhe det,
e duket sikur vala jote,
në gjirin tënd po na thërret.
O det-sa fort të dua ty,
dhe diellin që me dritë të lan,
po shumë më fort nga ju të dy,
dua mikeshën që kam pranë!
Durrës, 1980
A mund?
Vështrimi i syrit tënd,
lëkund një det me valë,
më thuaj pak-të lutem,
a mund t’i bëj dot ballë?!
Kurbeti
Ç’m’i thau-si mallkim-kurbeti,
ndjenjat e holla prej poeti,
këtu i huaj e jetim,
i huaj dhe në vendin tim.
Llum i pushtetit-mal i lartë,
as e çan kokën për një Dukë,
një Dukë që punon argat,
sepse fëmijët duan bukë!
Një jetë e tërë me frymëzim,
një jetë e tërë iku kot:
“Mallkuar qofsh-o vendi im,
që as me bukë nuk na mban dot!”
Athinë, Janar 1993
Shënim: Me shprehjen “Mallkuar qofsh-o vendi im!” nënkuptohet pushteti i atëhershëm në Shqipëri.

Bukur mire kur te flet zemra…