Sabrija, një grua e moshuar 85 vjeçare, vendosi më në fund të udhëtonte në një nga vendet e Evropës, për të parë fëmijët e saj. Por, të gjithë të dhënat e saj personale, duke filluar nga numri i telefonit, preferenca për ushqimin, personat që e shoqërojnë, numri i kontaktit të tyre, mënyra e rezervimit apo pronotimit të biletave dhe vendqëndrimi i saj, do të regjistrohen automatikisht në një regjistër unik të dhënash. Normalisht nënë Sabrija, mund të ngrejë pyetjen: “Po, ç’iu duhet numri im i telefonit ? Po, numri i dhomës së hotelit, që më rezervoi vajza, pranë shtëpisë së saj, ç’tu duhet vallë ?!”
Sigurisht që nënë Sabrija mund të shqetësohet realisht, apo të paktën të dyshoj mbi sigurinë e integritetit të saj fizik, teksa nr. i dhomës së hotelit ku ajo do të qëndrojë, nuk dihet se në duart e kujt mund të bjerë. Edhe pse mund t’i shpjegohet, se kjo gjë bëhet në emër të luftës kundër terrorizmit, sigurisht që nënë Sabrija do të futet në një qerthull të madh habie, duke u hutuar nëpërmjet halleve të saj, tek mendon se ç’lidhje mund të ketë vallë, mosha e saj tejet e thyer me luftën ndaj terrorizmit?! Por, nëse nënë Sabrija, do të ishte e kualifikuar në jurisprudencë, sigurisht që do të revoltohej me logjikë, duke kërkuar të drejtën e saj për ruajtjen e të dhënave private, si edhe mos cenimin e së drejtës për privatësi.
Teknikisht, thelbi i projektligjit evropian, që synon krijimin e një regjistri unik të dhënash (PNR) do të kryejë regjistrimin, transferimin dhe mbledhjen automatike të të gjithë të dhënave të personave, që hyjnë dhe dalin nga BE, duke përfshirë edhe vendet kandidate. Transportuesit ajrorë si edhe agjencitë e udhëtimit do të imponohen të furnizojnë me të dhëna shtetet anëtare të Unionit mbi të gjithë pasagjerët, që kryejnë fluturime ndërkombëtare me destinacion hyrje apo dalje nga territori i BE-së.
Bëhet fjalë për 19 lloje të dhënash: emri, datat e udhëtimit, itinerari, mënyra e pagesës, rezervimi i hotelit, i veturave, disa preferencave të udhëtarëve, si p.sh. ushqimi i kërkuar gjatë fluturimit (vegjetarian, halal, etj), natyra e bagazheve, informacionet për të kontaktuar të paktën një prej pjesëmarrësve në udhëtim, informacione mbi biletat, etj. Të dhëna që do të përdoren në kuadrin e një hetimi, për të parandaluar një shkelje dhe për të vlerësuar riskun që mund të prezantojnë disa pasagjerë. Objektivi: terrorizmi, krimi i organizuar dhe lufta ndaj imigracionit të parregullt.
Por, këto pasagjerë, qoftë qytetarë të BE apo jo, nuk janë të dyshuar për ndonjë krim, as nuk janë subjekt i një hetimi kriminal, apo i një mase sigurie. Arsyeja e vetme që të dhënat e tyre i transmetohen autoriteteve qeveritare, agjencive të përforcimit të ligjit duke u shpërndarë edhe tek palët e treta të interesuara, është vetëm fakti se ato kanë rezervuar një fluturim.
Direktiva, që synohet të miratohet deri në fund të këtij viti, ka shkaktuar shumë polemika. Ndonëse fillimisht Parlamenti Evropian, krijoi një situatë bllokade për të frenuar miratimin e tij, ngjarjet e Francës mobilizuan një frymë përshpejtuese, si nga kreu i Këshillit Evropian Tusk, por edhe nga kreu i Komisionit Evropian Junker, për nevojshmërinë e miratimit të shpejtë të saj.
I gjithë shqetësimi ngrihet mbi faktin se, forma të nxituara në administrimin dhe menaxhimin e rrezikut, ndonëse shumë të rëndësishme, nuk duhet të shkojnë në përplasje, cenim dhe mohim të të drejtave themelore.
Vetëm pak ditë më parë, në opinionin e tij të publikuar, Mbikëqyrësi Evropian për Ruajtjen e të Dhënave, Xhovani Butareli, ka shfaqur sërish shqetësimin mbi këtë grumbullim masiv dhe pa asnjë lloj përzgjedhje, apo kategorizimi të të dhënave. Në logjikën e tij institucionale, nuk ka justifikim për këtë grumbullim në masë të të dhënave të pasagjerëve ajrorë dhe se autoritetet duhet të shpjegojnë se, pse është i nevojshëm miratimi i kësaj direktive në mënyrë urgjente. Butareli u kërkon legjislatorëve evropianë hartimin e një tjetër plani për të shënjestruar subjektet e dyshuara, sepse kjo do të ishte më efektive se, sa profilizimi në masë i të gjithë udhëtarëve.
Demokracia kundër Demokracisë
Mbrojtësit e të drejtave dhe lirive të njeriut e kanë shndërruar tashmë në kauzë të tyre pengimin e miratimit të këtij mekanizmi, pasi ai bie ndesh me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, si edhe me ruajtjen e të dhënave personale. Kjo direktivë, i trajton të gjithë individët në masë si të dyshuar, shkatërron prezumimin e pafajësisë, si edhe bie ndesh me arsyetimet e vazhdueshme, që japin nëpërmjet gjykimeve të tyre, si Gjykata Evropiane e Drejtësisë, por edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Një sërë pikëpyetjesh janë ngritur nga aktorë dhe institucione të ndryshme, që lidhen me kohëzgjatjen e ruajtjes së këtyre të dhënave, me faktin që nuk precizohet saktë natyra e autoriteteve përgjegjëse, që do të marrin në dorëzim këto të dhëna duke përfshirë edhe shërbimet inteligjente, si edhe përdorimi i tyre me synim profilizimin e të gjithë individëve.
Gjykata Evropiane e Drejtesisë ka refuzuar tashmë një ligj me karakter të njëjtë vitin e kaluar për shkak të grumbullimit të përgjithshëm dhe diskriminues të të dhënave masive mbi qytetarët. Edhe GJEDNJ, në gjykimet e saj të vazhdueshme në lidhje me këtë përplasje ka konfirmuar se, ligji duhet të jetë preciz, për t’iu treguar qytetarëve në çfarë rrethanash dhe nën çfarë termash autoritetet publike pajisen me kapacitet ligjor për të grumbulluar informacion mbi jetën e tyre private dhe ta përdorin atë. Janë një sërë gjykimesh, që përpiqen të japin përgjigje mbi këtë përplasje, që shkaktohet mes objektivit të rëndësishëm të luftës kundër akteve terroriste dhe ruajtjes së të drejtave dhe lirive themelore. Përgjigjet, që vijnë nga këto instanca, janë të qarta dhe pa asnjë ekuivok se, “demokracia nuk mund të shkojë kundër demokracisë”.
Thelbi i kësaj direktive shqetëson, pasi krijon përplasje me atë çka parashikojnë traktatet evropiane, si lëvizja e lirë e qytetarëve, funksionimi i marrëveshjes Shengen, e drejta e hyrjes dhe e qëndrimit të qytetarëve të Unionit, në territorin e shteteve anëtare, por përplaset edhe me direktivën që mundëson ruajtjen e të dhënave personale dhe lejon kontrollimin e këtyre të dhënave nga vetë qytetarët.
Masat e luftës ndaj terrorizmit duhet të merren në respekt të plotë të të drejtave themelore dhe lirive fondamentale me synim, që të mos i vënë këto të fundit në dyshim. Në rast të kundërt siç edhe Butareli paralajmëron: “..qëllimi kryesor i skemës, nuk është kontrolli i kufirit tradicional, por shërbimet sekrete dhe arrestimi i personave, që nuk janë të dyshuar përpara se krimi të jetë kryer..(…) zhvillimi i një sistemi të tillë ngre çështje serioze të transparencës dhe proporcionalitetit, dhe se mund të çojë në një lëvizje drejt një shoqërie të survejuar”.
Nëse direktiva, që pritet të miratohet deri në fund të vitit, do të bjerë ndesh apo do të cenojë lirinë dhe të drejtat themelore të qytetarëve, kjo mund të konfirmojë edhe filozofinë e njohur të skeptikëve, se: “Demokracia është si ato dy ujqërit dhe një qengji, që votonin se çdo të hanin për darkë, teksa Lirinë e shikojnë si një qengj të mirë armatosur, që e konteston fort këtë votim”./im.ta/
