“Zeqir Ymeri” mbetet thjesht një tabu për Flamurtarin. Ekipi vlonjat pësoi humbjen e 6-të radhazi në këtë stadium që kur Kukësi u bë pjesë e Kategorisë Superiore në verë të 2012-ës. Mateus Lima, lojtari më i mirë i kësaj sfide, i hedhur në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë, i dha fitoren e tretë në kampionat formacionit të Marcelo Troisit, që e meritoi këtë sukses për gjithçka dha në fushë.
Takimi nis i ekuilibruar, madje futbollistët e Flamurtarit rrezikuan të parët në minutën e 10-të me Ylli Hoxhën në zhvillimet e një goditjeje të lirë, por pret në pozicion Koci. 10 minuta më pas Kukësi nuk arrin të shfrytëzojë një goditje të lirë thuajse në vijën e 16 metrave, ndërsa në të 23-tën Sakaladaze në dy tentativa të njëpasnjëshme me kokë nuk e shënjestron si duhet portën e Kocit.
Në minutën e 25-të Halilaj shmang golin në zhvillimet e një goditjeje dënimi të Kukësit, ndërsa në të 31-tën Leomir Cruz e dërgoi topin ngjitur me traun, duke e lënë të palëvizur Halilajn. Rasti i fundit i pjesës së parë i përket minutës së 42-të me Erik Flores që provon me një gjuajtje të kalibruar, por topi kalon ngjitur me shtyllën.
Pjesa e dytë nis me një moment të vështirë në portën e Halilit, i cili devijon në këndore një goditje nga distanca të futbollistëve vendas. Pak çaste më vonë gabon mbrojtja e Flamurtarit, por goditja e Felippe Moriera prirët me portën, devijohet në fundore. Në të 50-ën kombinojnë bukur brazilianët Moriera dhe Cruz, por Hasani në një pozicion të volitshëm nuk arrin të shënojë. Në këtë fraksion bie në sy mungesa në stol e trajnerit të Flamurtarit Stanislav Levy, i cili për shkak të luhatjes së tensionit qëndroi nën vëzhgimin e mjekësve në dhomat e zhveshjes. Rreth 20 minuta para përfundimit të kohës së rregullt Lima hidhet në fushë në vend të Kariokës, ndërsa te Flamurtari Nexhipi i lë vendin Nijaz Lenës.
Me kalimin e minutave Kukësi e rrit presionin në gjysmëfushën e vlonjatëve, derisa në minutën e 85-të Mateus Lima kërcen bukur me kokë pas krosimit të Nikës, duke e lënë të palëvizur portierin Halilaj.
Në minutat e mbetura Flamurtari nuk arrin të reagojë si duhet, madje në minutat shtesë Nijaz Lena shfaqi shenja nervozizmi, duke e detyruar gjyqtarin Pashaj t’i tregonte kartonin e kuq. Me këtë fitore Kukësi ngjitet në kuotën e 9 pikëve, aq sa ka grumbulluar Laçi dhe Teuta, ndërsa Flamurtari mbetet në vendin e shtatë me 4 pikë të grumbulluara në 5 javët e para.

Flamurtarin e mori Turku dhe e vuri poshte. Qe kur Flamurtarin e moren bisnesmenet Turqe , Flamurtri po kalon nga humbja ne disfate.