Organizata Joqeveritare CIVIL, ka vërejtur në monitorimin e fushatës parazgjedhore në terren, një sërë problemesh dhe parregullsish.
Njëri nga rastet më eklatantë të manipulimit të votuesve, është vërejtur në një komunë rurale maqedonase, ku jeton kryesisht popullatë me status të pazgjidhur martesor.
Sipas CIVIL-it, banorëve të kësaj komune u është ofruar nga një parti, nuse për martesë, nëse japin votën e tyre për opsionin e caktuar.
Vërejtjet janë zbardhur sot nga kryetari i CIVIL-it, Xhabir Deralla, i cili ka vlerësuar se fushata ngërthen më shumë parregullsi dhe shkelje ligjore, sikundër është, ndër të tjera, edhe përurimi i projekteve për ndërtimin e objekteve infrastrukturore.
“Maqedonia është shndërruar në një kantier ku projektet kapitale që janë nën kompetencë të pushtetit qendror, promovohen dhe realizohen me pjesëmarrje të përfaqësuesve lokalë, të cilët shfrytëzojnë mundësinë për t’u reklamuar dhe prezantuar programin e tyre”, ka thënë Deralla.
Sipas kreut të kësaj organizate, zgjedhjet lokale nuk janë fare lokale, për shkak se, sipas tij, gara po zhvillohet edhe në baza ndëretnike.
“Këto tensione po shfrytëzohen rregullit nga ana e poliitkanëv për përfitimin e votave, që është një nga shkeljet më serioze dhe që mund të ketë pasoja afatgjate”, ka thënë Deralla.
CIVIL ka vërejtur gjithashtu se të punësuarit në administratë detyrohen nën presion të punojnë dhe angazhohen në aktivitetet parazgjedhore të partive./zhurnali/
