Të sëmurët kronikë, për të marrë një ilaç në QSUT, duhet të paraqisin analizat në konsultë me mjekët, e cila fillon çdo ditë në orën 10:00. Konsultë i thënçin. Që të quhet e tillë aty duhet të jenë 3 mjekë specialistë për diagnozën dhe të firmosin rekomandimin për tek mjeku i familjes që të marrësh ilaçin për 6 muaj. Por ç’ndodh në të vërtetë? Mjeku i vetëm që është në konsultë, mbasi e firmos vetë të thotë të gjesh dy mjekë të tjerë dhe t’u marrësh firmat, kudo ku të jenë ata, në pavion, oborr të spitalit ose në klub.
Kjo më ndodhi mua dhe gjithë të tjerëve në datën 25 shtator. Mbasi mora rekomandimin, u nisa për në pavionin e sëmundjes së veshkave që është në katin e pestë të godinës. Kur vajta ashensori ishte i bllokuar, shërbente vetëm për mjekët dhe e vinin në lëvizje me kartë. Kështu, mbasi ngjita 80 shkallë, vajta tek pavioni për të gjetur dy mjekët e tjerë. Shkallët ishin plot me hallexhinj si unë, të rinj, pleq, fëmijë dhe të paralizuar që ngjisnin e zbrisnin shkallët. Urdhri për të bllokuar ashensorin ishte i drejtoreshës së spitalit. Se për çfarë arsye, nuk e di. Ky urdhër është absurd dhe i dëmshëm për pacientët.
Nejse, te dera e pavionit, mbasi pyeta gjeta një mjek. Mbasi i thashë se doja një firmë, as nuk më pyeti, as pa rekomandimin. Mori fletën, e vendosi në mur, e firmosi dhe e vulosi. Mbasi mora rekomandimin, ashtu siç isha, gjeta një mjeke tjetër, të tretën. Ajo, mbasi i thashë për një firmë, më tha se i kishte humbur vula dhe nuk më ndihmonte dot. Mirë thotë populli, mos të humbtë vula! Mbas 30 minutash erdhi një mjek tjetër nga jashtë, më firmosi dhe vulosi rekomandimin. Pastaj vajta dhe i vura kryevulën e spitalit. Pra, mbas 5 orëve, mbarova punë. Mora një taksi dhe shkova në shtëpi, sepse nuk kisha më fuqi. Shpresoj që këto reshta t’i lexojë drejtoresha e spitalit… Përshëndetje DITA,
Letër e nënshkruar,
Vasil Thanasi
