Parandalimi i infeksioneve të brendshme të stomakut

redaktor

Mungesa e higjienës, si dhe konsumi i ushqimeve të kontaminuara bëhen shkak për shfaqjen e infeksioneve të mukozës së stomakut, të cilat në masë shkaktohen nga prania e bakterit të njohur si “helicobakter pylori”. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit thuhet se rreth 2/3 e popullsisë në botë është e infektuar me një bakter të tillë, i cili jeton thellë në palat mukoze të stomakut. Vëzhgimet kanë treguar se bakteri mund të përhapet lehtësisht nga personi në person nëpërmjet rrugës fekal-orale, si dhe nga përdorimi i ujit apo ushqimeve të kontaminuara. Në shumë raste ndodh që infeksioni me këtë bakter të shfaqet që në fëmijëri, ku mund të zgjasë edhe gjatë gjithë jetës nëse nuk trajtohet. Infeksioni i shkaktuar nga ky bakter mendohet të jetë shkaku kryesor i ulcerave të stomakut, të cilat nëse nuk trajtohen herët mund të çojnë edhe në ndërlikime më rënda, deri në kancer të stomakut. Shifrat e raportuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vënë në dukje se gjysma e rasteve të reja vjetore të kancerit të stomakut ndodhin për shkak të mos trajtimit të infeksioneve të shkaktuara nga prania e helikobakter pylorit. Sipas tyre, kujdesi në këto raste duhet të jetë shumë i lartë, pasi të kesh ulcerë nuk do thotë që domosdoshmërish je para një risku të lartë për kancer stomaku, por të kesh infeksion me helikobakter pylori, po. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon për lexuesit e “Dita”, se cilat janë shenjat që paralajmërojnë shfaqjen e kësaj sëmundjeje, së bashku me këshillat që nuk duhen neglizhuar për parandalimin e ndërlikimeve që shfaqen në shëndet.

Çfarë është helikobakter pylori?

Është një bakter që shkakton tek njerëzit inflamacionin (infeksionin) kronik të mukozës së brendshme (gastrit) të stomakut. Ky bakter konsiderohet gjithashtu si shkaktari më i shpeshtë i ulcerave të stomakut. Njerëzit infektohen me këtë mikrob nëpërmjet ushqimeve të kontaminuara, ujit, si edhe transmetimit nga personi tek personi nëpërmjet kontaktit. Në Shtete e Bashkuara të Amerikës janë të prekur rreth 30 për qind e popullsisë së rritur, ku pjesa më e madhe e tyre (mbi 50 për qind) i takon moshës mbi 60 vjeç. Prevalenca (shpeshtësia) e infeksionit në të gjithë botën është duke u ulur për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit në lidhje me këtë infeksion, si edhe të masave parandaluese.

Në ç’kushte ndodh shfaqja dhe transmetimi i infeksionit të shkaktuar nga prania e këtij bakteri?

Infeksioni është më i zakonshëm në kushtet e higjienës së dobët. Në vendet e pazhvilluara rreth 90 për qind e popullsisë së rritur mund të jetë e infektuar. Mënyra e transmetimit nga personi në person mund të ndodhë nëpërmjet rrugës fekalo-orale apo edhe vetëm orale. Pjesa dërrmuese e njerëzve që kanë të pranishëm në aparatin e tyre tretës, helikobakter pylorin për periudha të gjata kohe mund të mos paraqesin shenja klinike, por ata shërbejnë si burim infeksioni për personat e tjerë. Ndaj kujdesi dhe ndjekja e kontrolleve rutinë nuk duhet neglizhuar në asnjë rast.

Cilat janë simptomat klinike të këtij infeksioni?

Siç e thashë edhe më lart, shumica e individëve të infektuar me helikobakter pylorin mund të kenë pak nga shenjat dalluese, teksa në shumë raste ndodh që të mos shoqërohet edhe me asnjë simptomë paralajmëruese. Një pjesë e mirë e tyre mund të kenë të përziera, të vjella dhe parehati në zonën e barkut. Kur sëmundja avancon, dhimbjet e barkut janë më të forta, të vjellat mund të jenë me gjak të kuq ose në ngjyrë të errët, po ashtu mund të jetë edhe defekimi (jashtëqitja). Simptoma të tjera mund të përfshijnë diarre, djegësira dhe gromësira, erë të keqe të gojës. Personat që kanë ndjenjën e lodhjes së madhe dhe që defekojnë me ngjyrë të errët duhet të vlerësohen për gjakderdhje të zorrëve. Këto simptoma përbëjnë urgjencë mjekësore.

Cilat janë ekzaminimet që duhet të bëjmë për të konfirmuar nëse ky bakter gjendet në organizmin tonë?

Për të përcaktuar praninë e këtij bakteri përdoren ekzaminimet e gjakut, të materialeve fekale, si edhe ekzaminimi endoskopik (fibrogastroskopia). Të gjitha këto kryhen vetëm me rekomandimin e mjekut specialist. Në varësi të ankesave të paraqitura nga pacienti, mjeku vijon me përcaktimin e ekzaminimeve që duhet të bëhen deri në vendosjen e diagnozës së plotë.

Po në lidhje me trajtimin që duhet të ndiqet tek personat që janë të rriskuar nga kjo sëmundje, ç’mund të themi?

Për trajtimin e këtij infeksioni ka protokolle të përcaktuara mirë, të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme. Qëllimi i trajtimit është për të çrrënjosur bakteret, për të shëruar ulcerat e shkaktuara dhe për të parandaluar rikthimin e ulcerave (riakutizimin). Shumica e shtameve të këtij bakteri janë të prirura të shkaktojnë ulcera të stomakut dhe vetëm një përqindje e vogël e disa shtameve mund të çojnë deri në ndërlikime edhe më të rënda siç është sëmundja e kancerit të stomakut. Deri më sot nuk ka vaksinë kundër këtij bakteri, por studimet tregojnë se ajo do të jetë në dispozicion në një të ardhme të afërt. Aciditeti i stomakut përbën një ambient shumë të favorshëm për zhvillimin dhe shumëzimin e helikobakter pylorin.

Çfarë rekomandohet për të bërë të mundur parandalimin e këtij infeksioni?

Mbajtja e një higjiene sa më të rreptë, përzgjedhja e kujdesshme e ushqimeve që konsumojmë gjatë ditës, përzgjedhje e cila duhet të orientohet më shumë drejt frutave dhe perimeve, si dhe reduktimit të përdorimit të sheqernave. Gjithashtu është e këshillueshme që të mos teprohet me përdorimin e kafesë, alkoolit dhe duhanit. Këto të fundit shtojnë rrezikun për shtimin e këtij bakteri dhe infeksioneve që vijnë prej tij. Megjithatë, duhet të dimë që shumica e këtyre infeksioneve janë të buta dhe prodhojnë pak ose aspak simptoma klinike. Prognoza (ecuria) e infeksioneve të shkaktuara nga helikobakter pylori është shumë e mirë, nëse dhe kujdesi që ndjek pacienti është i rregullt. Pacientët me simptoma më serioze që trajtohen në mënyrën e duhur sipas protokolleve të caktuara, kanë edhe këta një ecuri të mirë, edhe pse në deri në 20 për qind të rasteve mund të kemi përsëritjen e infeksionit. Terapia është më e gjatë të pacientët ku prania e bakterit shkakton ulceracione, por edhe këto kanë ecuri të mirë nëse nuk neglizhohen në trajtim.

Me çfarë ndërlikimesh shoqërohet sëmundja nëse neglizhohet trajtimi i hershëm i infeksionit?

Nëse infeksionet nuk trajtohen, prognoza është më e rezervuar sepse dëmet mund të shkojnë në anemi dhe presion të ulët të gjakut (hipotension), kjo si rezultat i gjakderdhjes në stomak ose në zorrë. Këta pacientë duhen trajtuar sa më shpejt. Gjakderdhja përbën urgjencë mjekësore.

 

Kujdesi për dietën ushqimore

Në radhë të parë lani duart sa më shpesh që të jetë e mundur, kjo me qëllim për të shmangur kontaminimin me bakteret.

Ndaloni pirjen e duhanit dhe mbani nën kontroll përdorimin e alkoolit. Është vënë re se pirja në mënyrë të moderuar e alkoolit, që është përcaktuar jo më shumë se një pije për gratë në ditë, dhe dy pije për burrat mund të ketë rezultat pozitiv në shëndet. Por, të pish më shumë, shkakton një sërë problemesh që përfshijnë irritimin e stomakut shfaqjen e infeksioneve të tij, e mund të rëndohen deri në dëmtime të shumta të ezofagut, të cilat më pas mund të çojnë edhe në kancer të stomakut.

Shmangni kafetë e shumta gjatë ditës (alkooli, kafeina dhe duhani rrisin sekrecionin e substancave acide në stomak.

Dietologët sugjerojnë përzgjedhjen e kujdesshme të ushqimeve që duhet të konsumojmë gjatë ditës. Regjimi ushqimor duhet të jetë i pasur në fruta dhe perime, dhe sa më i varfër në sheqerna, pasi vetëm në këtë formë mund të ndihmojnë në uljen, ose në ndalimin e shfaqjes së këtij infeksioni.

Konsumimi i ushqimeve të konservuara, të tymosura, të regjura, i ushqimeve me përmbajtje të nitriteve dhe nitrateve, sidomos në mishrat e përpunuar, përben një faktor risku që nuk duhet neglizhuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *