Jashanica-Abazi: Mes Superiores dhe E. League, diferenca të mëdha

Dita

Fitorja e thellë 4-1 në fushën e Bylis konfirmoi edhe një herë diferencat e mëdha që ekzistojnë mes Skënderbeut dhe skuadrave të tjera të Superiores. 5 fitore radhazi në 5 takimet e para është një rekord historik për kampionët e Shqipërisë, që tashmë e kanë përqendruar vëmendjen të sfida e dytë në grup të Europa League ndaj Lokomotivës së Moskës në transfertë. Bajram Jashanica dhe Leonit Abazi, dy futbollistët kosovarë të Skënderbeut, e pranojnë se diferencat mes ndeshjeve të kampionatit dhe përballjet të Europa League janë të mëdha.

“E kemi nisur mirë kampionatin, por tani duhet të përgatitemi për një transfertë shumë të vështirë në Europa League. Diferencat janë të mëdha, sepse në Europa po përballemi me ekipe të mëdha, shumë më cilësore se kundërshtarët që kemi në Superiore. Shpresojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv në Moskë”, deklaroi Jashanica.

Të vetëdijshëm për mundësitë e pakta që ka Skënderbeu për të kaluar grupin, një nga objektivat kryesore të drejtuesve korcarë mbetet spikatja e lojtarëve të rinj për të cilët ka interes nga klubet europiane.

“Ne jemi të përqendruar te Skënderbeu, por sigurisht shpresojmë që të transferohemi në kampionate më të forta në Europë. Më parë duhet të japim maksimumin për Skënderbeun”, tha Abazi.

Seancën e parë stërvitore të javës Skënderbeu e ka zhvilluar në fushën e vogël me bar sintetik në kompleksin “Tropikal”, pasi terreni me bar natyral nuk është në gjendje shumë të mirë, aq më tepër që duhet të jetë gati për Kombëtaren në prag të dy ndeshjeve eliminatore me Serbinë dhe Armeninë. Josa i ka patur të gjithë futbollistët në dispozicion, por mbetet në dyshim braziliani Ademir për arsye dëmtimi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *