Java 5-të e kampionatit ka vendosur rekorde në futbollin shqiptar. Skënderbeu vazhdon rrugën e fitoreve dhe për herë të parë në historinë e klubit regjistron 5 fitore në po kaq javë kampionat.
Kampionët me këtë sukses thyen edhe një tabu tjetër, pasi kishin mbi 15 vite pa fituar në transfertë përballë Bylisit.
4 golat e realizuar erdhën me 4 autorë të ndryshëm, duke treguar se forca goditëse është në të gjitha repartet. Për ballshiotët pika e marrë ndaj Tiranës është e vetmja në këtë fillim kampionati.
Partizani vijon rrugën e suksesit, teksa risia është mungesa e penalltisë në favor të të kuqve. Në “Ismail Xhemali” 15 herë kampionët kanë thyer Tërbunin, që në shtëpi ende nuk e ka marrë pikën e parë, kjo dhe për shkak të kalendarit të keq në këto javë.
Formacioni i Starovës ka merituar fitoren, por në momente të caktuara ka treguar mungesë përqendrimi, duke lejuar barazimin e përkohshëm, por edhe duke rrezikuar deri në fund fitoren.
Kukësi vijoi traditën ndaj Flamurtarit, teksa risia në përballjen e tyre në “Zeqir Ymeri” ishte vetëm një gol i realizuar.
Nënkampionët të cilët kanë shënuar me bollëk në duelet direkte në shtëpi me vlonjatët vuajtën disi për të siguruar suksesin e tretë radhazi në shtëpi, duke e kthyer në kështjellë impiantin e tyre.
Për Flamurtarin ka shumë punë për t’u rikthyer si konkurrentë, ndoshta duhet të mendojë edhe për trajnerin e ri që ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka humbur dy takimet e fundit.
Me një fitore të pastër i rikthehet pretendimeve Tirana, që mposhti surprizën e kampionatit, Teutën. Bardheblutë e Shkëlqim Muçës iu falën dy qendërmbrojtësve për të dalë me pikët e plota përpara publikut. Pavarësisht humbjes, “djemtë e detit” treguan nivel të mirë loje dhe mbeten në pjesën e sipërme të klasifikimit.
Nuk ka fund kriza për Vllazninë, që vendos rekordin me 5 humbje radhazi, por edhe 13 ndeshje radhazi pa fitore. Në Pukë shkodranët u mposhtën nga Laçi me rezultat minimal, një humbje që i kushtoi vendin e punës trajnerit Luan Zmijani. Kurbinasit me cinizmin e tyre tashmë i janë kthyer pretendimeve, teksa janë një nga 3 skuadrat e vetme që nuk njohin humbje.`
