Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 104/2015 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, si dhe shqyrtimi nen për nen i projektligjit.
Përfaqësuesit e këtyre grupeve kundërshtuan ndryshimin duke deklaruar se nëse ne marrin barna nga vendet e rajonit me çmim të lirë, do të cenohet cilësia e barnave.
Përfaqësuesi i Unionit të Biznesit Farmaceutik, , Kastriot Zotaj u shpreh kundër futjes së ilaçeve nga Ballkani, duke theksuar se ky ndryshim i ligjit përbën krim. Z. Zotaj tha se po mbyllen zyrat e kompanive farmaceutike evropiane dhe këto ndryshime do ta shkatërrojnë sistemin.
Në emër të Grupimit të Përfaqësuesve të Xhenerikëve, Rezeart Agolli shprehu mendimin e lejimit të barnave nga vendet ballkanike që plotësojnë standardet sipas rregullave të vendosura nga EMEA ose FDA për të siguruar cilësinë dhe sigurinë për pacientët shqiptarë.
“Secili prej nesh si përfaqësues i kompanisë që përfaqëson garanton që barnat që ne importojmë në vend kontrollohen nga këto organizma dhe pajisen me certifikatat përkatëse të sigurisë duke shoqëruar barnat që importohen në vend. Ne si grup interesi kërkojmë që të jemi gjithmonë pjesë e debateve të tilla për farmaceutikën në vendin tonë për të nxjerrë një produkt përfundimtar që është në dobi të pacientëve dhe popullatës”, tha z. Rezeart Agolli.
Përfaqësuesi i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Arjan Jaupllari deklaroi i paraqiti dy propozime komisionit për këtë nen.
Përfaqësuesja tjetër e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma, u shpreh se nuk janë marrë opinionet e grupeve të interesit dhe se ata janë anashkaluar gjatë diskutimeve.
Por ky nen u mbrojt nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Zhvillimit Ekonomik, pasi sipas tyre, duhen respektuar marrëveshjet e tregtisë së lirë me CEFTA dhe OBT.
Importi i ilaçeve, grupet e interesit kundër ndryshimit në ligj
Leave a Comment
