Mokra “e vjetër” dhe Reforma e re

redaktor

Fjala Mokër mbart në vetvete një nocion: territor, komunitet, traditë, kulturë, histori, por ne do të shtonim, dhe një ëndërr. Kjo është një e vërtetë jo vetëm për Mokrën, por për të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Me historinë e saj shumë shekullore në të gjitha kohërat ka dhënë kontributin në historinë kombëtare. Kjo ka bërë që ajo të jetë një trevë e njohur, e dëgjuar, por dhe e vlerësuar në shumë aspekte të jetës së saj. Në këtë shkrim ne nuk duam të bëjmë a të tregojmë historinë, pasi mokrari është autori i saj. Pikërisht këtu fillon edhe shkrimi ynë. Në këtë çerek shekulli edhe në këtë zonë kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Një nga ato, që të bie në sy është eksodi masiv i këtyre njerëzve drejt qyteteve të ndryshme dhe kryesisht Pogradecit, duke lënë pas toka e shtëpi djerr e të braktisura, në të shumtën e rasteve edhe të shembura plotësisht, Nëpër fshatra kanë lulëzuar gjerësisht ferrat e gjembat, pa llogaritur baltën edhe gurët nëpër rrugë, me drita e pa drita e kështu mund të radhisim plot e plot shumë të tjera. Nuk duhet të harrojmë se nga viti 1996 e deri në vitin 2015 kjo zonë u drejtua dhe u administrua nga të ashtuquajturat Komuna, të cilat, pothuajse nuk bënë asgjë në të mirë të kësaj zone dhe atyre njerëzve, që mbetën dhe vazhdojnë të punojnë e të jetojnë në këto kushte me stoicizëm.

Ka fshatra që kanë ngelur edhe me 3-4 shtëpi. Janë mbyllur shkolla, janë bashkuar klasa, është reduktuar në maksimum, duke u kthyer në një qendër shëndetësore spitali zonal. Nga dy shkolla të mesme, sot një dhe ajo me problemet e saj. E ç’të numërojmë më parë?! Mokra Sipër regjistronte rreth 9000 banorë dhe sot nuk kanë mbetur më shumë se 3000-3500 banorë. Ky eksod e kjo braktisje kishte një shkak: Në kushtet e Demokracisë tendenca për një jetë më të mirë.

Një dukuri e tillë sot është kombëtare në një formë të re: Ikje masive tani nga Atdheu drejt vendeve perëndimore, duke shkuar si azilant politik dhe ekonomik, por më kot. Bota na quan si vend i sigurt dhe kështu kthehen përsëri të dëshpëruar, duke kërkuar rrugë të tjera nëpër botë. Shkaku: përsëri papunësia në shkallë të lartë, pamundësia për të jetuar me kohën e re dhe kushtet e reja. Pa dyshim midis tyre ka me dhjetëra e qindra mokrarë… “Politikanët” shkojnë premtojnë dhe nuk bëjnë asgjë.

Po cili ishte fshati mokrar dhe zona e Mokrës para viteve ’90? Në çdo fshat shkolla të Ciklit të Ulët, arsimi 8-vjeçar në bazë ekonomie, infermiere, mami në çdo fshat, në disa fshatra Shtëpi Lindje, Vatra Kulture, abonime në shtyp, filloi televizioni, grupe artistike, ujësjellësa. Në qendër të lokaliteteve apo ekonomive, më vonë komunave, Shkolla të Mesme, Farmaci, Stomatologë, Librari, Shtëpi Kulture, aktivitet tregtar në çdo fshat, shërbim rendi, rezervuar të mëdhenj si ai i Mbujazës, pa llogaritur ata me bazë ekonomie, ishin të pakta ato familje që nuk kishin një pjesëtar në punë të shtetit, pasi gjithë familja punonte në kooperativën bujqësore. Shtrohet pyetja shumë thjesht: Nëse do të ishin në vazhdimësi këto kushte e shërbime, pa aluduar për ish-sistemin monist dhe pasojat e tij, por tani në kushtet e reja, që krijoi Demokracia, do të ndodhte një eksod i tillë? Besojmë se jo, por edhe sikur të kishte, nuk do të ishte i këtyre përmasave. Nuk punuan titullarët e komunave në këto kushte për t’i përsosur, për t’i ruajtur, për të krijuar të tjera shërbime. Shteti ka pasur fonde dhe kanë marrë jo pak, por ç’është bërë, ç’ka mbetur, ku kanë shkuar?

Viti 2015 dhe fillimi i 2016-ës është një stad i ri në pikëpamje teritoriale, që solli Reforma Administrative. Pogradeci si rreth është vetëm një Njësi Administrative. Deri tani kanë filluar nga puna Administratorët, por nuk shohim dhe nuk dimë ndonjë gjë konkrete, një fillim të ri premtues. Nga ato shërbime, që ishin shumica nuk ekzistojnë dhe ato, që kanë mbetur janë të reduktuara Në këtë zonë po kryhen punime në një segment të autostradës Qukës-Qafë-Plloçë, një shpresë e madhe, një ëndërr e mokrarëve, që po bëhet realitet. Këto vitet e fundit, megjithëse jo në masë të madhe, një pjesë familjesh po i kthehen fshatit, duke rikonstruktuar shtëpitë, duke punuar tokat dhe kjo është një shenjë e mirë, një e ardhme akoma më e mirë.

Si do të punojë me fshatin Bashkia e re, sidomos atë malor të Mokrës Sipër, nga do t’ia fillojë? Apo do të vazhdojë si komuna, do të “qahen” si të parët për mungesë fondesh apo borxhe publike, që nuk ka pak, por në shifra alarmante…!

Nëse ndodh kjo, Mokra do të mbetet akoma më keq: as e vjetër dhe as e re. Në këto kushte do t’i shkonin për shtat vargjet e Pashko Vasë Shkodranit: “Po sot Shqypni, pa më thuaj si je?/ Po si lisi i rrëxuem përdhe./ Shkon njeri sipri me kamb të shklet/ Kurrkush një fjalë të ëmbël s’ta flet”. Reforma mbetet thjesht Reformë dhe Mokra mbetet Mokër me historinë, me vlerat dhe vetëdijën e saj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *