Lorik Cana pritet të jetë në fushë më 8 Tetor, për ndeshjen kualifikuese të Euro 2016 ndaj Serbisë. Edhe pse vetë kapiteni i Kombëtares apo klubi i Nantes ende nuk janë shprehur zyrtarisht, shkalla e dëmtimit nuk është aq serioze sa u mendua fillimisht. Imazhet e Lorikut që largohej nga fusha duke çaluar, në minutën e 55-të të ndeshjes ku Nantes fitoi me Lille, alarmoi stafin e Kombëtares dhe tifozët. Kapiteni kuqezi iu nënshtrua menjëherë kontrolleve mjekësore, të cilat konfirmuan se nuk bëhet fjalë për ndrydhje të kaviljes së majtë. Nga rënia e keqe pas duelit me Baptiste, lëndimi lidhet me pjesën e thembrës, në zonën që njihet si “tendina e Akilit”.
Kjo është një pjesë mjaft problematike për futbollistët, por në rastin e Lorik Canës sinjalet janë shpresëdhënëse. Burime të afërta me mbrojtësin konfirmuan për Supersport se 32-vjeçari vazhdoi kontrollet mjekësore dhe sipas gjasave do të jetë në fushë kundër serbëve. Kapiteni kuqezi do të vazhdojë mjekimin e specializuar, për të bërë të mundur rikuperimin brenda një kohe sa më të shkurtër dhe të japë kontributin në ndeshjen vendimtare të përfaqësueses drejt ëndrrës në Europianin e Francës.
Nga sa mësohet, si masë parandaluese stafi mjekësor i Nantes dhe trajneri Der Zakarian vendosën që pavarësisht një rehabilitimi të mundshëm, Cana të mos luajë në kampionat të shtunën kundër Nice-s. Gjendja e mbrojtësit do të shqyrtohet edhe nga stafi mjekësor i Shqipërisë, sapo të nisë grumbullimi i Kombëtares. Nuk përjashtohet që kapiteni të sakrifikojë për të qenë në fushë, një vendim që lidhet edhe me pikëpyetjet rreth gjendjes së mbrojtësit tjetër të qendrës, Mërgim Mavraj.

Ja kane marre doren keta tanet me “pushimet”.
-Lenjani ndodhet “i demtuar”
-Xhaka i fut nje “sherr” dhe merr te kuqe
Cana “demtohet” dhe rri pushim
Nje pjese e mire jane pa ekip ose, ata qe kane ekip rrine ne stol te pa aktivizuar.
Gjithsesi,ne si tifoza duam qe ata te jene te “pa demtuar” dhe gati per ndeshjen e KRENARISE !