Bulku humbet derbin, Plaku në dyshim

redaktor

Ervin Bulku pritet të jetë mungesa e rëndësishme e Tiranës në derbin e parë sezonal me Partizanin, që do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45 në “Qemal Stafa”.

Kapiteni i bardhebluve nuk ka mundur të përgatitet bashkë me pjesën tjetër të skuadrës për shkak të një dëmtimi në shpinë dhe vështirë se mund të ndodhë ndonjë mrekulli që 34-vjeçari të jetë në dispozicion të Muçës për një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit.

Ndeshja e fundit e Bulkut është përballja me Bylisin në “Qemal Stafa”, e cila përfundoi në barazim 0-0. Edhe pse qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në fushë, Bulku pati probleme në shpinë që e shoqëruan edhe në ditët në vazhdim.

Për rrjedhojë nuk ishte pjesë e Tiranës në humbjen 2-1 me Skënderbeun në Korçë por as në fitoren 2-0 me Teutën në “Qemal Stafa”.

Por nëse Tirana nuk do të ketë Bulkun, Partizanit pritet t’i mungojë Sebino Plaku, i cili la fushën i dëmtuar në fitoren 2-1 në transfertë me Tërbunin.

Në minutën e 38-të të takimit me pukjanët Plaku ia la vendin Morinit për shkak të problemeve në gju. Tre ditë para derbit, Plaku mbetet në dyshim, madje gjasat janë që Starova të mos e llogarisë për bardheblutë. Një lajm i mirë nga infermieria e kuqe është riaftësimi i Fazliut, i cili për herë të fundit ka zbritur në fushë në fitoren 2-1 me Vllazninë në Pukë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *