Kush shan Perëndinë, dënohet me burg  

redaktor
A man arrested awaits the judge to use his gavel to render a decision.

Në shumë prej vendeve anëtare të Unionit, shpifja dënohet me gjobë ose me burgim. Edhe në rast se fyhet apo cenohet autoriteti hyjnor, shenjtëria, apo Perëndia dënimet janë të ashpra në shumë prej vendeve anëtare. Monarku, gjithashtu nuk duhet të bëhet qesharak në turmë dhe media duhet të frenohet për ta vizatuar atë në forma të çuditshme, apo të “turpshme”.

Liria e shtypit konsiderohet si një ndër pikat e forta të imazhit të BE-së, tek imponohet si lider rajonal dhe global. Por, raporti i fundit i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), godet Unionin duke i përmendur jo vetëm ekzistencën e kriminalizimit të shpifjes dhe ligjin mbi blasfeminë, por edhe masat anti-terror dhe survejimin në masë, duke mos përjashtuar as gazetarët. Raporti evidenton ndër të tjera edhe zhbalancimin, që ekziston mes kërkesave të larta ndaj vendeve kandidate për respektimin e lirisë e shtypit dhe dështimin e plotë të Unionit për të kontrolluar nëpërkëmbjen dhe shpërfilljen e lirisë së shtypit, në vetë vendet anëtare të tij.

Survejimet në masë kërcënojnë konfidencialitetin e burimeve të gazetarisë. Aksesi ndaj informacioneve është i kufizuar. Masat anti-terror kanë çuar në hartimin e legjislacioneve dhe praktikave, që kufizojnë të drejtat dhe mundësinë për të punuar të gazetarëve. Edhe pse dhuna është e rrallë, gazetarët janë shënjestruar nga organizatat kriminale në Itali dhe në Bullgari, janë frikësuar nga policia në Spanjë dhe janë vrarë nga ekstremistët fetarë në Francë. Këto janë disa nga konstatimet dhe gjetjet më problematike të raportit, që rëndojnë duke cenuar imazhin, që BE përcjell rajonalisht dhe globalisht. Raport, që paralajmëron gjithashtu se, prezenca e ligjeve të tilla u mundëson shteteve autoritare në botë të justifikojnë veprimet e tyre represive si edhe të akuzojnë BE-në për hipokrizi, duke minuar diplomacinë, që proklamon mbështetjen e lirisë së shtypit.

Blasfemia

Ndonëse raporti specifikon se, në udhërrëfyesin e lirisë dhe të besimit apo fesë, BE ka rekomanduar, që blasfemia të dekriminalizohet, ajo ekziston në 19 shtete anëtare të saj. Ndërsa, disa vende të tjera e kanë përforcuar akoma më tej legjislacionin në lidhje me blasfeminë. Raporti përmend Greqinë dhe akuzat për blasfemi ndaj Filippos Loizos, në vitin 2012, i cili u akuzua nga Agimi i Artë vetëm se kishte hapur një faqe në Facebook, “Elder Pastitsios” që fliste mbi një prift të vdekur grek, që ishte shndërruar në hero në qarqet ultranacionaliste. Edhe pse akuza për blasfemi ra, Loizos u dënua me 10 muaj burg, sepse kishte ofenduar Perëndinë.

Shpifja dhe fyerja

Ndonëse në parim, shpifja duhet të ngelet një vepër e dënueshme penalisht, ajo mbart një problematikë në lidhje me fushën e gazetarisë, pasi përdoret rëndom nga autoritetet shtetërore për të frikësuar dhe intimiduar gazetarët në punën e tyre të përditshme, duke përfshirë në mënyrë të veçantë, rastet e hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kriminalizimi i saj në Union është eliminuar vetëm në Qipro, Estoni, Irlandë, Rumani dhe Britani e Madhe. Në 23 shtete të BE-së, shpifja është një vepër kriminale dhe në 20 prej tyre ky akt kriminal parashikon dënimin me burgim. Sipas CPJ-së, në pesë vitet e fundit, akuzat për shpifje ndaj gazetarëve, janë përdorur në 14 shtete anëtare të Unionit.

Në Bullgari, Francë, Gjermani, Itali, Portugali dhe Holandë, ndëshkimet sipas raportit janë më të ashpra, nëse akuzat për shpifje janë kundër zyrtarëve publikë.

Fyerjet kundër shtetit, simboleve shtetërore, institucioneve, krerëve të huaj shtetërorë, bile edhe organizatave ndërqeveritare janë prezentë në shumë kode penale të vendeve anëtare. Edhe fyerjet ndaj monarkisë që dëmtojnë dinjitetin e një monarku janë vepër penale. Në raport, përmendet Holanda dhe akuzat ndaj një aktivisti anti-racist, që kishte fyer monarkinë duke e lidhur atë me të kaluarën koloniale. Në të përmendet edhe Spanja, me rastin e saj të dënimit me 3 mijë euro gjobë për fyerje të familjes mbretërore, mbi një karikaturë të publikuar në faqen e parë të revistës El Jueves, ku tregohej princi Filip në një akt seksual me bashkëshorten e tij.

Por, përtej dy problematikave kryesore, siç janë blasfemia dhe kriminalizimi i shpifjes, që frikësojnë duke cenuar ndjeshëm punën e gazetarëve dhe të medieve, fokusi i raportit shkon edhe ndaj mosfunksionimit të mekanizmit të kontrollit demokratik në vendet anëtare, pasi ato anëtarësohen.

Rasti i Hungarisë, tashmë më flagranti në rrëshqitjen e angazhimeve demokratike risillet në raport, duke ritheksuar se liria e shtypit është përkeqësuar ndjeshëm nën drejtimin e liderit ultrakonservator, Viktor Orban. Mediat në Hungari janë shndërruar në një gojë qeveritare, ku reklamat përdoren për shpërblimin e miqve dhe ndëshkimin e kundërshtarëve dhe ku legjislacioni i përpiluar frenon punën e gazetarëve, për hetimin e rasteve të korrupsionit. Por, Unioni kritikohet në këtë raport, për mos angazhimin e tij me veprime konkrete për ta detyruar Hungarinë të jetë në përputhje me vlerat evropiane. Sipas CPJ-së, përtej rezolutave parlamentare dhe procedurave ndëshkuese të kufizuara, veprimi i BE-së është i zvarritur. Nën presionin e vendeve anëtare të përcaktuara për ruajtjen e sovranitetit të tyre, BE dështoi gjithashtu në aktivizimin e mekanizmit të sundimit të ligjit, që supozohet të penalizojë shtetet anëtare që iu ikin përgjegjësive dhe që mund të kishin parandaluar rrëshqitjen e mëtejshme të Hungarisë.

Në tërësi, kritikat ndaj BE-së shkojnë si ndaj faktit se institucionet e saj nuk janë model i transparencës, por edhe ndaj kufizimit në akses ndaj dokumenteve kyçe apo takimeve të rëndësishme me interes për opinionin publik. Pengesat në bllokimin e informacionit vërehen edhe kur gazetarët kërkojnë dokumente, që mund të kundërshtojnë rrëfimet zyrtare. Nëpërmjet rreshtave të raportit, konstatohen edhe dëshira apo parapëlqime fine të autoriteteve institucionale të BE-së, për linja konformizmi.

Liria e shtypit, vlerësohet si një prej lirive kryesore publike dhe kusht i nevojshëm për funksionimin e demokracisë. Sigurisht që kjo liri kushtëzohet si nga veprimi politik, por edhe nga ai ekonomik. Raporti Special i CPJ-së, mbart një fokus të rëndësishëm mbi rolin global që ka Unioni mbi lirinë dhe mbrojtjen e shtypit të lirë, duke kërkuar që një sërë sfidash dhe problematikash të rëndësishme të korrigjohen në mënyrë që vendet autoritare të mos i shfrytëzojnë si pretekst për të legjitimuar dhunën dhe shtypjen e tyre, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e diplomacisë së BE-së, ndërkombëtarisht. Ndonëse CPJ konstaton se fuqia e institucioneve të BE-së është e dobët për të adresuar dhunimet e lirisë së shtypit dhe se pushteti i tyre nuk lejon anulimin kombëtar të shpifjes, blasfemisë, apo mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, ajo i rekomandon BE-së të vërë në zbatim mekanizmat funksionues mbi detyrimin për përputhje të politikave kombëtare, me vlerat themelore të Unionit. Këto rekomandime shkojnë njëkohësisht edhe ndaj vendeve anëtare të BE-së, që të heqin si vepër penale blasfeminë, shpifjen dhe fyerjen ndaj autoriteteve të larta shtetërore, dhe të ndalojnë survejimin në masë, që po komprometon rëndë të drejtën e gazetarëve për privatësi dhe ruajtjen e fshehtësisë së burimeve të tyre./im.ta/

 

Share This Article