Lajmi për vrasjen në krye të detyrës të oficerit Gjeta, ka mbërthyer në lot e dhimbje familjarët e tij, që banojnë në afërsi të Qytetit të Nxënësve në Tiranë.
Të gjithë ishim mbledhur bashkë dje për të qëndruar për herë të fundit me të.
Vëllai i tij i madh, Luigji, që për pak kohë ka qenë edhe vetë pjesë e forcave speciale RENEA, shprehet se punë të tilla mund të kenë edhe një fund si ai i Simonit.
Aq më tepër për atë që, sipas tij, ishte njeri i sakrificës, që për të mbuluar e mbrojtur shokët e tij, ishte gati të merrte përsipër vetë çdo risk.
Ndërsa vëllai më i vogël, Petriti, i cili jeton në Greqi, ka udhëtuar gjithë natën drejt Shqipërisë, sapo është lajmëruar për ngjarjen tragjike. Ai tregon bisedën e fundit telefonike që ka bërë me Simonin, mesditën e së shtunës, kur i tha se atë natë nuk do të kthehej në Tiranë, por do të flinte në repart në Shkodër, pasi kishte shërbim.
“Në drekë kam folur me të për herë të fundit në telefon. Më tha se ishte me shërbim në Shkodër. Nuk më tha gjë dhe nuk dija gjë për ndonjë operacion. Por thjesht më tha që ishte me shërbim atje dhe do të kthehej në shtëpi të dielën. Më tha se do të rrinte në repart në Shkodër, sepse kishte disa shërbime për të bërë”, tregon ai.
