Deputeti Dashamir Shehi, aleat i Partisë Demokratike nuk e kapërdin dot mungesën e Sali Berishës, Genc Pollos, Fatmir Mediut dhe Myqerem Tafajt në seancën e të enjtes së kaluar për hetimin ndërkombëtar të CEZ.
Si pasojë e këtyre mungesave nisma e PD-së për tu futur me procedurë të përshpejtuar u rrëzua për vetëm katër vota. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Shehi thotë se PD luajti teatër në seancën parlamentare.
“Unë jam një prej deputetëve të Kuvendit që kemi firmosur të bëhet një hetim për këtë çështje. Mirëpo ajo vota atje nuk më pëlqeu, se ajo u bë pak si teatër dhe besoj se e kanë kuptuar të gjithë këtë. Nuk ka nevojë t’ia shpjegojmë më njeriu këtë çështje, pasi ishte teatër i pastër.
Një parti që ishte direkt e interesuar për këtë hetim, siç ishte PD-ja, gjysmat e votave i dha kundër, gjysmat pro. Dhe këtu mbaron ky diskutim, pasi nuk ka më nevojë për analizë”, deklaroi Shehi.
