Misioni anti -Serbi ka nisur zyrtarisht, De Biasi ka filluar përgatitjet me pjesën më të madhe të futbollistëve që janë thërritur për takimin e 8 tetorit sipas një plani të mirëorganizuar që parashikon edhe detajet më të vogla. Kapiteni Lorik Cana edhe pse nuk luajti në ndeshjen e fundjavës në kampionatin francez mes Nice dhe Nantes është shfaqur në stërvitje i qetë ndërsa një sinjal pozitiv për formën e tij janë edhe pamjet në të cilat shfaqet duke ecur normalisht pas dëmtimit që pësoi në mesjavë në kaviljen e këmbës së majtë. I rikuperuar plotësisht është ndërkohë edhe Burim Kukeli i cili është i gatshëm për sfidën, por nuk është e thënë që shqetësimet për De Biasin të mungojnë për sa i përket formës së dy futbollistëve të tjerë.
Në seancën e parë Biasi ka preferuar të rezervojë një stërvitje më të lehtë për futbollistët që janë aktivizuar të dielën me Etrit Berishën dhe lojtarët që aktiviziohen në Zvicër si Gashi, Abrashi , Xhimshiti, Sadiku etj që kanë zhvilluar një seancë më të reduktuar. Nuk ka mundur të kapë seancën e parë stërvitore Elsid Hysaj që ka mbërritur më vonë në ambientet e Hotel Tropikal ku është akomoduar Kombëtarja. Kuqezinjtë janë grumbulluar në një atmosferë mjaft pozitive ndërkohë që do ti vazhdojnë përgatitjet në një rregjim të rreptë të vendosur nga Trajneri De Biasi që ka blinduar Hotelin ku ndodhen kuqezinjtë në mënyrë që futbollistë të jenë sa më të qetë dhe të përqëndrohen plotësisht te ndeshja vendimtare me Serbinë.
