Odiseja e pambaruar e një gjyqi

redaktor

Çështja e një gjyqi pronësie, që për autoren e letrës së paraqitur në redaksinë e DITA-s, kalon përtej një konflikti privat.

Sepse dëshmon mënyrën sesi punojnë gjykatësit në vend, madje edhe ata më të lartët. Palët e tjera janë të ftuara të reagojnë, nëse dëshirojnë.

*****

Flitet shumë sot për parime në vendimet e gjykatave, si “drejtësia jo vetëm të bëhet, por edhe të shihet si bëhet”. Sa më poshtë, po trajtoj shkurtimisht një problem që ka lidhje me disa vendime të gjykatave, nga viti 2008 e deri në sot, në mënyrë që lexuesve t’u jepet mundësia të gjykojnë vetë se si kjo drejtësi bëhet e si perceptohet që bëhet.

Kam zotëruar (deri në vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë) një pronë në qytetin e Korçës, lënë një pjesë nga nëna ime me kontratë dhurimi dhe një pjesë nga tezja ime me trashëgimi ligjore. Në vitin 1995, ose 9 vjet para se të vdiste, nëna ime pjesën e saj të pronës (ose gjysmën pjesë ideale) jua bëri dhuratë mbesave të saj që i rriti dhe që bashkëjetuan me të, derisa u larguan për të ndjekur studimet universitare. Unë, nëna e vajzave dhe vajzë e vetme, jetova me nënën dhe tezen deri në vitin 1980, dhe më pas, shpesh edhe në kurriz të jetës sime, u përkujdesa për nënën e tezen deri në fund të jetës së tyre, duke u përgjigjur për çdo problem të tyre. Ndërsa vëllai im u martua që student dhe bëri jetën e vet. Vëllai im vdiq para tezes.

Dhe këtu fillojnë edhe problemet. Kodi Civil, neni 364, përcakton prerë trashëgiminë e tërthortë. Sipas këtij neni unë ngelem trashëgimtare e vetme e pjesës së pronës së tezes. Por 2 fëmijët e vëllait, edhe pse me formim juridik, njëri ish-gjykatës në Pogradec dhe tashmë noter në Tiranë, dhe tjetri ish-prokuror në Lushnjë dhe tani përgjegjës i sektorit të marrëdhënieve me publikun në Gjykatën e Lartë, duan me çdo kusht një pjesë të pronës dhe kalvari pa mbarim i gjyqeve fillon këtu. Në gjyqe, edhe pse pa vlerë juridike për kronologjinë e vdekjeve të personave të interesuar, përmendet një testament i hartuar në rrethana të çuditshme nga një noter në Pogradec, origjinalin e të cilit nuk e kam parë kurrë dhe as nuk e kam gjetur kopjen respektive në gjërat e tezes sime pas vdekjes. Sigurisht që ky testament, edhe pse pa vlerë ligjore në ndarjen e pasurisë (tezja vdiq pas vëllait tim) e meriton një ekspertizë ligjore. Nuk kam dashur të merrem me të sepse nuk kishte pasoja juridike dhe sepse nuk kam dashur të përbalt emrin e vëllait tim, por kur e dëgjoj të përmendet në çdo shkallë gjykate, deri në atë Kushtetuese, mendoj se e meriton një ekspertizë. E tundin dhe e shkundin përpara trupave gjykues për të treguar, që me demek tetoja ime e ka shprehur një vullnet juridik, por që rrethanat e bënë atë të pavlefshme, thua do të mallëngjejnë kështu gjyqtarë si ata që do të përmend më poshtë, edhe pse që në shkallë të parë kanë kërkuar që gjykimi të bazohet në trashëgimi ligjore.

Kalimi i pronës së tetos në pronësinë time, është vendosur në të gjitha shkallët e gjykimit, bazuar kjo në nenin 364 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Në këtë nen sqarohet qartë se “në radhë të tretë thirren në trashëgimi vëllezërit e motrat si dhe fëmijët e vëllezërve dhe motrave të paravdekur”. Meqë tezja ime nuk kishte familje të sajën, dhe nëna dhe vëllai im vdiqën para saj, fëmija i vetëm i ngelur i motrës, jam unë.

Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, ky nen shtjellohet në mbi një faqe të vendimit, po kështu në Gjykatën e Apelit, u risqaruan të gjitha pretendimet, si në lidhje me dhuratën, ashtu edhe nenin 364, duke na dhënë 3-0 pronën që na takonte.

Paditësit e çuan çështjen në Gjykatën e Lartë, ku Dhoma e Këshillimit, në raportin 4-1 nuk e pranoi rekursin dhe la në fuqi vendimin e Apelit me arsyetimin: Nuk ka kundërshtim me nenin 472 të KC. Ka dhe një vendim të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, me nr. 810, dt. 05.05.2005 me 5 gjyqtarë, në një rast identik me timin, ku neni 364 është interpretuar si në shkallët e gjykimit që përmenda më lart.

Pra, në favorin tim janë shprehur jo pak, por 4 gjykata dhe 13 gjyqtarë!

Tre ditë para mbarimit të afatit 2 vjeçar, çështja u çua në Gjykatën Kushtetuese, gjë që më parapërgatiti për mundësinë e rikthimit në Gjykatën e Lartë, gjë që u bë për arsye procedurale, me sa kuptoj. Ajo që vijoi në Gjykatën e Lartë ishte një farsë për të qarë e për të qeshur. Ja ku na u bënë bashkë një kancelar shkodran e dy gjykatës shkodranë, që me sa u duk nga qetësia, siguria dhe humori i mirë i paditësve, vendimi ishte i njohur pa qenë nevoja të shiheshin apo dëgjoheshin argumentet dhe ligjet.

Trupi gjykues i përbërë nga Admir Thanxa, Majlinda Andrea dhe Artan Broci, në mes të punimeve të një gjyqi tjetër, më japin verdiktin gojor: rrëzohen vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit dhe ankimimi i noterit dhe punonjësit së Gjykatës së Lartë pranohen për të drejta, pra vullneti i nënës sime të ndjerë dhe neni 364, nuk kanë më vlerë. Në këtë rast ato nuk i hyjnë njeriu në punë. Në një rast tjetër mund të interpretohen ndryshe, por kësaj here nuk duhet.

Atëherë më vjen të perifrazoj një thënie të z. Ngjela: “Gjykata është ligji apo ligji është gjykata?” Ky trup gjyqësor e njihka nenin 364 dhe 13 gjyqtarët e tjerë që janë shprehur për të jo! Të mos përmendim këtu vendime të proceseve të tjera të vetë Gjykatës së Lartë të cilat i kemi grumbulluar dhe që flasin ndryshe.

Sot sistemi gjyqësor me shkallët e shumta të gjykimit (pesë në rastin tim) dhe me kohën e gjatë që konsumojnë është një pellg i qelbur, ku pelivanët notojnë e peshkojnë për bukuri.

Lexuesit le t’i nxjerrin vetë konkluzionet. Më duhet të them që ka edhe gjyqtarë të zotë dhe të ndershëm, por që për fat të keq përfaqësojnë një pakicë, dhe ky nuk është vetëm perceptimi im.

Unë dëshiroj t’i them Kryeministrit tim dhe grupit të Reformës në drejtësi, për të vënë në binarë këtë lloj drejtësie për të cilën shumë faje i ngelen politikës. Për sa kohë gjobat e Strasburgut i paguan xhepi i taksapaguesve të varfër shqiptarë dhe jo i këtyre gjyqtarëve “kompetentë”, ne do na shërbehet jo ligji, po Maliqi. Ja pse ikin shqiptarët.

 

Share This Article
3 Comments
  • Te nderuar lexues. Te gjitha sa jane shkruar ne shkrimin e mesiperm jane te paverteta, sepse e verta qendron krejt ndryshe. E vetmja gje qe mund te shkruaj ne komentin tim eshte se zonja e nderuar e cila ka paturpesine qe edhe te shkruaje “teper e indinjuar” se i kane marre pronen eshte pikerisht personi qe ne menyren me te paskrupullt duke shfrytezuar çdo lidhje miqesie (sepse nuk kam dijeni per lidhje korruptive) na ka grabitur pjesen qe na takonte ligjerisht ne pronen qe behet fjale dhe qe me strermundime e kemi fituar ne gjykimin e fundit ne Gjykaten e Larte. Ajo qe me habit eshte se si mundet te gjeje kurajo dhe te pretendoje qe e kane grabitur kur eshte pikerisht ajo qe na KA VJEDHUR PRONEN PATURPESISHT. Gjithkush le ta vleresoje vete. Fabuia eshte shume e thjeshte jane dy femije nga te cilet njeri perjashtohet dhe tjetri na qenka trashegimtari i vetem i prones. Po deshironi detaje ne ditet ne vazhdim mund te jap detaje pa fund sesi kjo zonje e “nderuar”, mundi te na behej trashgimtare e vetme e prones. Specifikimet ligjore dhe interpretimet e termave ligjore nese deshiron zonje e “nderuar” ti jap une jo ashtu si ti pretendon por ashtu si jane. Eshte e frikshme te dashur lexues te mesoni makinacionet qe ka perdorur kjo zonje per tu bere pronare e kesaj prone.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *