Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna pas zgjedhjeve lokale të qershorit është rritur ndjeshëm. Instituti i Statistikave ka publikuar një buletin, ku thuhet se në tremujorin e dytë të këtij viti janë miratuar gjithsej 99 leje ndërtimi, me një sipërfaqe rreth 214.225 m.
Sipas INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 21,2 % të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele, tregtare,
industriale dhe të tjera) zë 78,8 %. Lejet e miratuara për ndërtesa zënë 55% të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit miratuar në tremujorin e dytë 2015, ndërkaq lejet e miratuara për punime inxhinierike zënë 45 % të vlerës së përafërt të lejeve gjatë së njëjtës periudhë.
Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarkun e Tiranës me 64,6 % dhe Durrësit me 23,2 %. /Dita/
