Luka Shytaj ka lindur në Tiranë në vitin 1986. Si shumë shqiptarë të tjerë, në vitin 1992 ai së bashku me familjen është larguar për në Itali si emigrant ekonomik. Sot ndihet mirë, me gjithë peripecitë e kaluara dhe që janë të kuptueshme për këdo. Si djalë i dy profesorëve, ai ishte një nxënës i rregullt në shkollë. Të studiuarit nuk e la në baltë asnjëherë.
Luka është diplomuar për Gjenetikë dhe Biologji Molekulare, degën në të cilën po shkëlqen. Së bashku më një grup mjekësh, janë në rrugë të mbarë të shpikjes së kurës kundër sëmundjes së shekullit, HIV/AIDS.
Por një nga pasionet e tij ishte edhe loja e shahut. Që fëmijë, i shtyrë nga baba i tij, ai ka marrë pjesë në gara e kampionate të ndryshme, ku ka përfaqësuar Shqipërinë, ka marrë titullin Mjeshtër Ndërkombëtar dhe ka arritur të dalë dy herë kampion i Shqipërisë (2002- 2003) dhe Kampion Kombëtar i Italisë (2009).
Kjo lojë, e cila i kishte marrë zemrën, e njohu me dashurinë e jetës së tij. Në vitin 2013 në një nga kampionatet ku djaloshi shqiptar merrte pjesë, njihet me kampionen e Gjermanisë në shah, Elisabeth Pähtz.
E kështu, më 4 shtator të këtij viti, e bija e Thomas Pähtz, ish-kampion shahu i Gjermanisë lindore u martua me Lukën, djalin e Hysni Shytajt, profesor matematike.
Luka, je larguar i vogël nga Shqipëria, si ka qenë fëmijëria këtu?
Janë kujtime të gjalla mbasi prindërit e mi më krijonin mundësi të jetoja eksperienca të forta si leximi dhe vizatimi, leksione private të shahut, vajtje në teatër dhe në stadium, dalje në park çdo të diel. Fëmijëria ime ishte e lumtur si fëmijë i dy profesorëve universitarë.
Kthehesh shpesh?
Vitet e para ktheheshim të paktën një herë në vit në shtëpinë tonë të vogël një dhomë e kuzhinë, ndërsa më vonë ardhjet tona u bënë më të rralla, sepse prindërit nuk gjenin asnjë portë të hapur dhe asnjë mundësi e gatishmëri për të bashkëpunuar.
Ke studiuar Gjenetikë dhe Biologji Molekulare, pse zgjodhe këto degë?
Studimi i qelizës më kishte mahnitur qysh fëmijë kur e zgjodha si temë për provimin përfundimtar të shkollës fillore me titull: “L’origine della vita: la cellula”. Ruaj akoma këtë studim të parë si gjë të çmuar. Burimi i jetës dhe ruajtja e saj është bërë për mua objektivi kryesor dhe për këtë pas studimeve në Biologji, mbarova doktoraturën e shkencave në Mjekësi.
Ka qenë e vështirë shkolla për ty?
Shkolla kërkon pasion dhe përkushtim kudo; aq më tepër në një vend të zhvilluar si Italia ku programet janë të gjera dhe për fat edhe tekstet mjaft të përpunuara. Prindërit na përcillnin çdo ditë në shkollë me urimin: “Ditën e mirë dhe punë të mbarë” mbasi e konsideronin shkollën punën që duhej të bënim ne si fëmijë.
Ke qenë nga ata nxënës që rrinë me orë të tëra mbi libra… na tregoni pak marrëdhënien tënde me studimin?
Po, kam qenë nxënësi më i mirë i klasës në të gjitha ciklet shkollore dhe rezultatet e mia kanë qenë gjithmonë më të lartat e mundshme dhe janë shoqëruar me “Lavdërimet” zyrtare. Nuk kam qenë sistematik për studimet në shkollë, edhe sepse isha shpesh jashtë për turne shahu edhe sepse më pëlqente më shumë të studioja mbi libra të zgjedhura vetë.
Si një djalë i ri i cili studion Gjenetikë, ke zbuluar diçka në lidhje me shqiptarët në këtë drejtim apo nuk ke bërë kërkime të tilla?
Edhe pse diploma ime është në Gjenetikë dhe Biologji Molekulare, kërkimi im shkencor për tezën ka qenë në biologji molekular në fillim, e në Imunologji/Virologj pastaj për Doktoratën. Kështu unë nuk kam punuar si shkencëtar në këtë fushe dhe mund vetëm të them që zbulimet e gjenetikës mund të ndihmojnë në të ardhmen të qartësojnë pikat e errëta të historisë shqiptare; kështu shpresoj se gjenetistët e rinj shqiptarë ose nga jashtë shtetit t’i thellojnë studimet në këtë fushë.
Je përmendur në media edhe si një person që ke zbuluar një kurë mjaft efikase kundër HIV/AIDS, na trego pak më shumë për këtë punë tënden dhe deri ku kanë arritur përpjekjet?
Unë bëj pjesë në një ekip që ka punuar në Itali edhe në Amerikë për të kërkuar një shërim për infeksionin nga HIV. Puna jonë është zhvilluar mbi majmunët (makaki), që janë modeli më i përshtatshëm për këtë sëmundje. Mbi majmunët ja dolëm mbanë të arrinim atë që teknikisht quhet “shërim funksional”, domethënë që virusi është nën kontroll të sistemit imunitar të majmunit dhe kafsha nuk ka më nevojë për ilaçe. Jam shumë i lumtur që shumë gazeta kanë dhënë këtë lajm, në italisht, anglisht, spanjisht, gjermanisht edhe shqip. Po në disa gazeta shqiptare lajmi është dhënë në mënyrë të pasaktë, e kështu jam i lumtur që më jepni mundësinë të përsërisë që deri sa kjo terapi të eksperimentohet në të gjitha fazat klinike të përcaktuara nga organet mjekësore nacionale dhe internacionale, nuk mund të flasim për kurë (as kurë funksionale) për HIV/AIDS, por vetëm për kurë funksionale mbi majmunët.
Po tek trupi i njeriut kur do të bëhet testi?
Testimi i kësaj terapie mbi njerëz ishte i planifikuar për vitin 2014. Për fat të keq Instituti i Lartë i Shëndetësisë në Itali (ku punoj) ka kaluar një periudhë të vështirë edhe ka ndërruar president tri herë në më pak se dy vjet. Kjo ka bllokuar organizimin e eksperimentimit klinik në Itali edhe na ka vonuar shumë. Tani të drejtat për të përdorur këto ilaçe janë marrë nga një kompani amerikane që po kërkon të organizojë eksperimentimin në Amerikë. Për fat të kaq organizimi i fazës klinike nuk varet nga shkencëtarët por është më shumë vendim politik/ekonomik.
Si reagojnë profesorët apo njerëzit me të cilët bashkëpunon, kur u thua se je shqiptar?
Fakti që jam shqiptar është më shumë një element i masmedia-s të cilat janë të detyruara të jenë sa më të sakta në paraqitjen e fakteve. Për profesorët dhe për bashkëpunëtorët e mi unë jam thjesht Iarti ose Luca sipas preferencës së secilit, dhe nuk ka qenë kurrë nevoja të prezantohem. Rezultatet e mia në shah, në studim edhe kërkimin shkencor kanë bërë edhe prezantimin e personit tim.
A je ndjerë ndonjëherë i paragjykuar apo i diskriminuar për origjinën e vendit tënd?
Jam rritur me një edukatë që të shikoj gjithnjë përpara dhe të jem optimist në jetë. Kjo ka bërë të mundur të lë pas shpine çdo gjë të papëlqyer që mund të ketë ndodhur.

Cila është familja jote dhe si ndihet ajo për rezultatet e tua?
Nëna ime është Fatbardha Shytaj (Shehu), e diplomuar në Ekonomin Politike në Universitetin e Tiranës; ka qenë pedagoge në atë Universitet për 17 vjet dhe ka titullin e vjetër shkencor “kandidate e shkencave”, titull ky që është transformuar në doktorant shkencor me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Ka bërë kërkime ekonomike dhe ka botuar rezultatet në revista të specializuara në Itali.
Babai im Hysni Shytaj është diplomuar për Matematikë në kursin e parë 5-vjeçar të Matematikës së Aplikuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës. Ka qenë asistent profesor në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës si dhe asistent profesor i jashtëm në fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës. Ka kryer kërkime shkencore duke shkruar një artikull që ka si objektiv të vërtetojë se “Integrali i Pacaktuar” është një koncept i panevojshëm.
Unë jam shumë i detyruar ndaj familjes time dhe ja kushtoj gjithë rezultatet e mia sakrificave të mëdha që kanë bërë për mirërritjen time si dhe për edukimin e shëndoshë që më kanë dhënë. Ata kanë qenë gjithmonë mbështetje e sigurt, por asnjëherë nuk më kanë detyruar të ndërmarr rrugën time. Më kanë nxitur që rrugën ta gjej vetë dhe i konsiderojnë rezultatet e mia, frut i punës dhe përkushtimit tim pa kërkuar asnjë shpërblim qoftë edhe jo material për vete.
Cilat janë ambiciet e tua Luka në fushën e mjekësisë, a ke një synim ku do të arrish?
Ambicioni im i parë është të mbarojnë eksperimentet klinike mbi pacientet dhe të konfirmohet zbulimi që kemi bërë në këto vjet.
Martesa
Një dashuri me gur shahu
Luka nuk është vetëm një biolog. Ai është një shahist shumë i mirë, dhe këtë e ka vërtetuar me medaljet që ka marr. Përpos të tjerave shahu e ka njohur me njeriun e jetës. Një muaj më parë ai është martuar me kampionen e shahut në Gjermani. Të dy kanë bërë dasmë si në Gjermani dhe Shqipëri. Për këto dy dashuri, Luka flet në këtë pjesë të intervistës.
Paralelisht me mjekësin ti merresh edhe me shah, na trego pak më shumë për ushtrimin e këtij sporti, kur ke filluar të njihesh me të dhe si te ka lindur dëshira për të marr pjesë në gara?
Kam filluar në moshën 4 vjeç duke dëgjuar babanë që i shpjegonte lëvizjet e gurëve vëllait. Me tërhoqi vëmendjen kompleksiteti i tyre dhe më zgjoi kuriozitetin fëminor për të kuptuar si mund të zihej në kurth mbreti kundërshtar duke pasur të njëjtat mundësi me atë vetë. Kështu kërkova të bëj një lojë me babin që u çudit, mbasi kisha mësuar vetëm duke dëgjuar dhe pranoi të bënim një lojë së bashku, në të cilën të gjitha lëvizjet e mia ishin të rregullta edhe pse nuk fitova. Na vuri të luanim unë dhe im vëlla, dhe e kuptoi menjëherë që të dy kishim më shumë së dëshirë për të luajtur dhe prandaj ju drejtua kampionit të vendit Mendim Veizaj për leksione private. Këto leksione treguan dëshirën dhe mundësitë tona të mëdha për lojën e Shahut, gjë që e vërtetoi jeta më pas.
Në vitin 1998 në Bari të Italisë ku jetojmë u zhvillua një simultane e Universitetit të Moshës së Tretë ku edhe nëna jonë jepte ndihmën e saj dhe kërkoi të pranoheshim edhe ne të dy fëmijët. E pranuan si një shaka, por doli e vërtet se kandidat mjeshtri i simultanes u mahnit nga loja jonë dhe na propozoi të frekuentonim Akademinë e Shahut në Bari. Prindërit tanë kishin kërkuar pa rezultat për 6 vjet me radhë të gjenim një mundësi dhe më së fundi ajo u bë realitet. Qysh në turneun e parë të Akademisë arritëm rezultate të larta dhe lamë mbresa tek pjesëmarrësit dhe kjo u bë zanafilla e rritjes time shahistike.
D.m.th e paske të trashëguar pasionin për shahun…?
Besoj se po. Jo vetëm babai im që është një shahist i mirë dhe që na ka mësuar lëvizjet e para, por edhe ne trungun familjar luhet shah me kënaqësi nga shumë veta.
Thonë që shahu është një lojë për mendjet e zgjuara, sa e vërtet është?
Mua më tërhoqi për kompleksitetin e tij dhe është e natyrshme që është një lojë që nuk i përshtatet njerëzve që preferojnë thjeshtësinë e mendimit.
Sa përfshihesh në garë?
Tensioni varet nga niveli i garës; nëse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore relaksi është i garantuar; por edhe në një garë zyrtare, kur fiton je i shpërblyer për lodhjen dhe tensionin që ke jetuar gjatë garës. Në të gjitha rastet loja është një gjimnastikë e shkëlqyer për mendjen dhe tensioni i garës është stërvitje e mendjes dhe e trupit për të përballuar më mirë luftën e jetës. Shahu më ka dhënë jo vetëm kënaqësi intelektuale, por edhe mundësin që të njoh e të vizitoj një numër të madh vendesh në botë qysh në moshë të re. Kjo eksperience më ka rritur si person më shumë se çdo libër i lexuar dhe më shumë se çdo arritje e natyre tjetër.
Cilat janë arritjet e tua në shah?
Më të rëndësishmet janë besoj titulli Mjeshtër Ndërkombëtar, titulli kampion Shqipërie në 2003, në moshën 17 vjeç, edhe përfaqësimi i Shqipërisë edhe Italisë në Olimpiada shahistike botërore.
Luka, ju sapo jeni martuar dhe bashkëshortja është shahiste gjithashtu; pse jo mjeke?
Nuk e di, nuk e kisha menduar kurrë mbase duhet t’i them të fillojë mjekësinë. (buzëqesh)
Çfarë të ka tërhequr më shumë tek kjo vajzë gjermane?
Është personi më i ëmbël që kam takuar në jetën time. Edhe ka një inteligjencë intuitive, spontane, që më pëlqen shumë.
Kur luani bashkë kush nga ju kapet “mat”?
Nuk luajmë për të mos ta prishur martesën…
Ke “frikë” të përballesh me të, për më tepër është edhe gjermane…?
Jo, pse do kem frikë, normalisht në Evropë kanë më frikë nga shqiptarët sesa nga gjermanëtJ
Çfarë mendimi ka ajo për Shqipërinë dhe a e ka pranuar lehtë këtë fakt dhe çfarë i pëlqen më shumë nga Shqipëria?
Shqipërinë ajo e njeh shumë pak dhe kryesisht nga çka dëgjuar prej meje ose prej prindërve të mi; natyrisht deri tani vetëm gjëra pozitive. Vitin e kaluar kërkoi të vinte në Shqipëri dhe për 4 ditë në Tiranë krijoi përshtypjen e një populli të ri në moshë dhe aktiv. Kemi menduar të pranojmë ftesën e një miku të familjes që së afërmi do të organizojë për në një tur të bregdetit. Do te jetë rasti më i mirë që ajo të njihet më mirë me vendin që në të ardhmen do jetë edhe i fëmijëve të saj.
Ti ke bërë dy dasma, ishin ato tradicionale apo moderne?
Të dyja dasmat ishin moderne, por pa harruar traditat e mira të secilit popull. Në Erfurt u bë prerja e trungut me sharrë druvarësh si dhe plotësimi me gjethe dhe lule të pemës gjenealogjike të çiftit; të dyja tradita të mira të atij populli. Në Tiranë u përdoren kostumet kombëtare si dhe u përsëritë pema gjenealogjike duke e përshtatur si një traditë e mirë. Në Tiranë u përdorë edhe muzika e vallet popullore shqiptare si dhe muzikë gjermane dhe italiane.
Momentalisht ku po jeton dhe cilat janë angazhimet tuaja të momentit?
Tani po jetojmë në Romë për shumicën e kohës. Po takohemi shpesh edhe ne Gjermani se Elisabeth, duke qenë shahiste profesioniste (është nr.1 i Gjermanisë) udhëtojmë po thuaj çdo dy javë. Besoj që nëse eksperimentimi klinik do të vejë përpara në Amerikë, do transferohemi atje.
Kush është Elisabeth Pähtz
Elisabeth Pähtz, e lindur në Erfurt në 1985, është një shahiste Gjermane, e bija e mjeshtrit të madh ndërkombëtar, Thomas Pähtz, ish kampion i Gjermanisë lindore. Në moshën 9 vjeç Elisabeth u shpall Kampion e Gjermanisë nën-11 vjeç. Në 1999 fitoj kampionatin gjerman absolut për femra. Në të njëjtin vit Elisabeth ka qenë një nga këshilltaret e skuadrës “The World” në ndeshjen “Kasparov versus The World”.
Në vitin 2002 Elisabeth u shpall kampion botëror nën-18 vjeç për femra edhe në vitin 2004 e replikoi suksesin duke fituar kampionatin botëror për nën-20 vjeç për femra. Elisabeth ka përfaqësuar Gjermaninë në të gjitha Olimpiadat botërore të shahut që janë zhvilluar nga viti 2000.
Titulli i saj shahistik është Mjeshtër Ndërkombëtar.



Shume mburje ka ky djale, pak me i thjesht o shoku. Ka shume e shume shqiptare te tjere qe kane arritur majat dhe jane shume modest. Ti mire ben qe ke punuar shume dhe vazhdon te punosh, kjo ka rendesi, the rest is taken care of itself. Kishim harruar dhe numer njeshin.
Shume e bukur historia, jete te lumtur. te talentuarit dhe punetoret gjithmone ia dalin
….gjithmon ja dalin por……gjithmon jashte Shqiperise dhe pothuajse nuk i vene dijenit e tyre ne sherbim te vendit te tyre….kjo eshte kthyer ne tradite per shqiptaret gje qe lejon qe ky vende te drejtohet nga mafioze….
e ke pyet veten ditag, PERSE ndodh kjo me shqiptaret?
arsyeja eshte se mafiozeve nuk u intereson te kene njerez te zgjuar verdalle se nuk bejne dot maskaralliqe, pra i perzene, e degjove ctha per prinderit petagoge te vjeter, ktheheshin cdo vit ne shqiperi dhe nuk gjenin hapesire per te bere dicka. si mos te dekurajohet njeriu i talentuar dhe i paster pastaj. pra nuk e ka fajin Djali por mentaliteti si ky me larte qe thote avash mos u mburr dhe kur personi vetem po pergjigjet pyetjeve te nje gazetari mbi jeten e vete e tu tregoje te tjereve si ka arritur aty. nese doni mafjozet jashte pushtetit duhet populli ti hedhe poshte e te therrese keta te talentuarit qe te drejtojne. ky do ishte ideal per drejtimin e mjekesise ne shqiperi se di si te gjeje fonde per kerkime dhe ku ti zbatoje ato fonde me se miri ne nje sistem te kalbur si ky qe kemi ne. mendo sa pune do behej sikur te gjithe talentet te therriteshin dhe te drejtonin ne fushat e veta se bashku per te pakten nje kater vjecar.
Urime.