Përveç forcave të policisë së shtetit, edhe Garda e Republikës do të angazhohet për sigurinë e përfaqësuesve të Federatës Serbe të Futbollit.
Burime zyrtare thanë se delegacioni serb mbërrin rreth orës 18:00 në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, ku me ç’rast do të bllokohen disa akse rrugore që nisin që prej Rinasit e deri tek hotel Sheraton në kryeqytet.
Në momentin që do të kalojë autobusi i delegacionit serb, nuk do të lejohen as udhëtarët në rrugë, ndërsa automjetet do të jenë të bllokuara të lëvizin.
Përveç Gardës së Republikës, të angazhuara janë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë apo ato të RENEA-s.
Shoqërimi i kombëtares serbe do të bëhet nga një numër i lartë efektivësh ndërsa ditën e enjte pas orës 12:00 do të bllokohen segmentet drejt qytetit të Elbasanit përfshirë tunelin e Krrabës. Nga ana tjetër, të gjitha komisariatet e policisë në Tiranë janë në gatishmëri.
“Janë marrë masat maksimale për garantimin e sigurisë për ekipin mik. E në këtë kuadër, një pjesë e Repartit RENEA, bashkë me një pjesë të Policisë së Shtetit është e angazhuar eksluzivisht për këtë qëllim”, sqaroi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në një konferencë të posaçme për këtë çështje.
Në total, për garantimin e ndeshjes nesër, do jenë të angazhuara mbi 2.300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë të gjitha mjetet dhe infrastruktura në dispozicion.
