Në vijim të vizitës në Bullgari, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, së bashku me homologun bullgar Rosen Plevneliev, ka përshëndetur formonin e përbashkët të biznesit Bullgari-Shqipëri që u zhvillua në Sofje. Nishani theksoi se vizita përveç karakterit politik, kishte për qëllim edhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
“Mendoj se potencialet që vendet tona kanë, sfidat me të cilat duhet të përballemi për një të ardhme më të sigurt për popujt dhe fëmijët tanë, si dhe të qenit pjesë e një hapësire fqinjësore, duhet të na nxisin të gjithëve për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet dhe mundësitë tona edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar”, u shpreh kreu i Shtetit.
“Mendoj se ne si politikanë, Qeveritë e të dy vendeve, por edhe të gjitha institucionet përkatëse, duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një ambient miqësor biznesi e t’ju japim ju dhe të gjithë përfaqësuesve të biznesit së të dy vendeve, por jo vetëm, garancitë dhe lehtësirat e nevojshme, si dhe të mbështesim aktivitetet tuaja përbashkëta”, theksoi, duke shtuar se mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e infrastrukturës dhe transportit, energjetikës, turizmit, bujqësisë, industrisë agro-përpunuese, etj., por edhe në projektet rajonale, veçanërisht ato të lidhura me Korridorin VIII, mund të shfrytëzohen edhe më mirë.
“Shpirtit ndërmarrës të përfaqësuesve të bizneseve të të dy vendeve i duhet dhënë vëmendja e duhur. Dhe, në këtë këndvështrim vlerësoj se, shkëmbimi i informacionit mbi resurset dhe potencialet ekonomike të të dy vendeve, si dhe mundësitë për vendosje kontakti mes bizneseve, duhet të marrë një vëmendje më të madhe si nga institucionet shtetërore ashtu edhe nga vetë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, nënvizoi Presidenti.
