Miliona shqiptarë kanë përpirë intervistat tuaja këto kohë zoti ambasador, të cilat i bëjnë autopsinë trupit të vdekur të demokracisë shqiptare. Ju jeni larguar tashmë nga ky vend, por të gjithë sëmundjet që ishin shfaqur në trupin e demokracisë, kanë evoluar. Ju ishit ambasadori që inkurajuat prokurorinë të hetonte tragjedinë e Gërdecit. Ju ikët duke thënë se ky do të jetë test për shtetin ligjor në Shqipëri pasi bashkon korrupsionin politik me tragjedinë njerëzore. Ju thatë se ky do të jetë testi që do të provojë funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. E kemi humbur këtë test. Asnjë hetim për lidhjet politike me korrupsionin në Gërdec nuk u bë, edhe pse në zyrën tuaj gjeneralët e ushtrisë janë rrëfyer për përfshirjen e djalit të kryeministrit në atë histori dhe rolin diktues antiligjor të ministrit Mediu.
Ju ishit ambasadori që bëtë betejë publike për pavarësinë e gjyqësorit dhe mosndikimin e pushtetit politik në të. Ju bëtë betejë me kryeparlamentaren dhe kryeministrin Berisha kur ata hezitonin t’i hiqnin imunitetin Lulëzim Bashës apo Fatmir Mediut dhe kur kërkonin t’i diktonin prokurorisë akuzat. Duke ikur ju thatë se ky do të jetë testi për të ardhmen e demokracisë shqiptare. E kemi humbur. Sot gjykatat shqiptare, që nga shkallët e para e deri tek Gjykata e Lartë, janë kthyer në një paçavure që pastron fytyrën e pistë të pushtetit, dhe gjyqtarët e Shqipërisë, që nga më i thjeshti deri tek kryegjyqtarët, ngjajnë si shërbëtorë pa dinjitet të pushtetit.
Ju ishit ambasadori që përshkruanit aq bukur në letrat tuaja panoramën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Kishit më shumë fantazi seç duhet. Pasi ikët ju, në Shqipëri zgjedhjet nuk u vodhën më me ato marifete. Ato u bënë të gjitha, por pushteti nuk fitoi. Dhe u detyrua ta rrëmbejë mandatin në sytë e të gjithëve. E kemi humbur dhe këtë test.
Ruajmë një respekt të thellë për ju, për angazhimin personal që bëtë në Tiranë për lirinë e shtypit. Jeni i vetmi ambasador i SHBA që keni dalë nga shtëpia juaj në mëngjes apo mbasdite për të denoncuar dhunën mbi gazetarët apo presionet e shtetit mbi ta. Keni dalë krah gazetarëve dhe keni bërë thirrje për gjykim të ndershëm. Edhe kur socialistët kanë qenë në pushtet vite më parë, ne gazetarët kemi pasur gjyqe, por Gjykata e Apelit, dhe sidomos Gjykata e Lartë, nuk lejonte kurrë dënime drakoniane për të ashtuquajturën fyerje dhe shpifje me shifra që shkojnë në një gjyq 300 mijë dollarë. Gjykatat tani i lejojnë dënimet për gazetarët dhe për të gjithë kritikët e tjerë të qeverisë, ndërsa hajdutët, trafikantët e drogës dhe pushtetarët që denoncohen nga media, dalin të pafajshëm. E kemi humbur dhe këtë test.
Dule lexuar intervistat tuaja shumë njerëz pyesin: Nëse do të kishim fatin që ju të ishit ende ambasador në Shqipëri, a do të kishim dështuar? Besojmë se po. Kjo është dhe arsyeja që na bind të jemi mospajtues ndaj gjithë atyre që mendojnë se Sali Berisha ka vrarë, ka vjedhur dhe ka dërrmuar shtetin shqiptar, vetëm për shkak se ambasadori Arvizu nuk ka qenë kritik apo ambasadorët e tjerë kanë qenë luajalë ose hipokritë me të. Është e vërtetë se ju e njihni mirë Sali Berishën dhe nuk do t’i thoshit burrë shteti pas 21 janarit, por kjo s’do ta pengonte atë të bënte ato që bëri. Thjesht ne nuk do ndjeheshim dhe aq vetëm. Ju me siguri që nuk do ta miratonit rezistencën e tij fatale antikushtetuese për të mos dorëzuar gardistët e dyshuar për vrasje, por kjo nuk do ta pengonte atë të mos i dorëzonte. Ju natyrisht do na kishit dhënë më shumë shpresë dhe do na kishit fokusuar vetëm tek një fajtor, tek Sali Berisha, por nuk do të na kishit shpëtuar dot. Edhe sot që jeni kaq larg dhe kaq i kthjellët, nuk e ndaloni dot Sali Berishën dhe pushtetin e tij të ndalë deformimin e madh të demokracisë dhe rrugës perëndimore të vendit. Kjo është një detyrë që na takon ne.
Sot ne kemi një kryeministër që është dakord me SHBA, dakord me Brukselin, dakord me OSBE-në, dakord me Këshillin e Evropës, dakord me NATO-n, dakord me Bashkimin Evropian, me kushtin e vetëm që të gjithë rregullat dhe standardet e tyre të mos i rrezikojnë pushtetin. Por standardet e Perëndimit dhe standardet e Berishës janë të dënuara të përplasen me njëri- tjetrin dhe ndaj ne jemi të dënuar t’i largohemi Perëndimit, jo për faj të tij, jo për faj të ambasadorëve, por për fajin tonë që pranojmë të qeverisemi prej tij. Ashtu sikur ju e kishit thënë aq thjesht, ne po i ngjajmë përditë e më shumë Rusisë së Putinit, Ukrainës së Janukoviçit dhe Hungarisë së Orbanit.
Intervistat tuaja na e bëjnë më të prekshëm boshllëkun që keni lënë në betejën shqiptare për një vend normal, të lirë dhe demokratik, dhe më tragjik bilancin e degradimit të demokracisë. Riardhja juaj, nderimi që në emrin tonë ju bën Bashkia e Vlorës është gjithsesi një shpresë. Siç ju thamë më lart, me ju pranë, ne nuk do ndjehemi dhe aq vetëm. Por detyra kryesore, ajo e shpëtimit të vetes, na takon sigurisht ne. Siç edhe JU thoni në intervistën që risjell sot DITA: “Ngrini zërin dhe në fund keni për të fituar…”

Po Mariza Lino-ne e keni ftuar? Edhe ajo eshte mike e ngushte e juaja prandaj duhet ta kishit ftuar.