ARKIVA: Ndërsa zhvillohej gjyqi i Të Pestëve në fundgushtin zhuritës të ’94-ës…

anazapta

Nuk është e vërtetë se Berisha u prish me amerikanët pas zgjedhjeve skandaloze të 1996-s. As pas rebelimit popullor më 1997. Ftohja kish kohë që kish filluar në mënyrë të pariparueshme.

Në vitet që kam punuar për “Zërin e Amerikës” kam vërejtur gjithçka nga afër dhe kam evidentuar në radion e madhe amerikane thyerjen e madhe në marrëdhëniet mes Berishës dhe Shtëpisë së Bardhë në fundin e gushtit 1994, afro tre muaj para referendumit të 6 nëntorit të atij viti për një project-kushtetutë që u hodh poshtë me votë plebishitare.

Ja si kanë rrjedhur ngjarjet…

 

Incidenti me grekët

Më 10 prill 1994 ndodhi incidenti i rëndë i Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, kur një komando greke hyri në tokën shqiptare natën dhe në një repart ushtarak kreu një masakër të turpshme, duke vrarë dy ushtarakë dhe plagosur disa të tjerë, ndërsa flinin.

Reagimi i parë dhe i menjëhershëm i Qeverisë shqiptare do të bënte fajtore dhe përgjegjëse direkte për këtë ngjarje tragjike Qeverinë greke.

Lajmi u mësua të nesërmen në mbrëmje dhe unë tentova menjëherë të merrja një reagim të palës greke për këtë ngjarje për emisionin e mëngjesit. Telefonova në ambasadën e Greqisë në Tiranë, mirëpo “nuk ndodheshin për momentin” as ambasadori dhe as ndonjë nga zëvendësit e tij.

Më doli në telefon këshilltari për shtypin, fjalët e vetme të të cilit për qëndrimin grek lidhur me ngjarjen e Peshkëpisë ishin: No comment!

Sikurse do të mësohej nga një komunikatë shtypi e orës 01.30 të mëngjesit, që u shpërnda të nesërmen paradite nga ambasada greke, reagimi i Athinës zyrtare ishte më se i ashpër. Për më tepër, ishte fyes. Zëdhënësi i Qeverisë greke, Evangjelos Venizellos, midis të tjerash, deklaronte:

Qeveria greke me habi të madhe u informua për ngjarjen që përshkruhet në notën shqiptare si dhe për akuzat që ajo përmban dhe që drejton kundër Greqisë. Qeveria greke është në dijeni vetëm të pretendimeve shqiptare, të cilat janë në mënyrë të dukshme kontradiktore, përderisa nga njëra anë tentojnë të ngarkojnë me përgjegjësi të plotë Qeverinë greke për një gjoja veprim të paramenduar, kurse nga ana tjetër e ftojnë të zbulojë dhe të dënojë autorët e panjohur…

Më tej në deklaratën e Venizellosit thuheshin disa gjëra të përgjithshme për rolin e Greqisë në Ballkan dhe në marrëdhëniet me fqinjët, duke konkluduar ashpërsisht se Greqia nuk është e predispozuar të durojë asnjë provokacion, asnjë akuzë të pabazë kundër saj, ndërsa përjashtohej kategorikisht çfarëdolloj tentative lidhjeje të Qeverisë greke me ngjarje të tilla.

Ngjarja e Peshkëpisë shkaktoi indinjatë të gjerë në opinionin shqiptar dhe u dënua me forcë edhe nga partitë politike, ndërsa qarqet zyrtare të Tiranës këmbëngulnin për gjetjen e shkaktarëve të këtij akti të shëmtuar.

TV shtetëror dha pamje nga masakra si dhe intervista me ushtarë të plagosur, ndërsa të vrarëve iu bënë ceremoni madhështore varrimi.

Disa kohë më vonë një organizatë nacionaliste greke me emrin MAVI, do të merrte përsipër autorësinë e krimit, por kjo nuk ndryshoi gjë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, të cilat për gati një vit me radhë thuajse ngrinë plotësisht.

Përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjin jugor ndodhi në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, por interesimi i shtetit shqiptar për këto marrëdhënie u rrit shumë pas përmbysjes së regjimit komunist, pasi rreth 300 mijë shqiptarë emigruan në fillim të viteve ’90 në Greqi.

Megjithatë, marrëdhëniet midis të dy vendeve kanë shkuar gjatë këtyre viteve dallgë-dallgë, me shumë luhatje, ashpërsime dhe zbutje, ndërsa pika më kritike është shënuar gjatë vitit 1994, pas ngjarjes së Peshkëpisë dhe sidomos në kohën që zhvillohej gjyqi i pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke, të akuzuar për veprimtari spiunazhi për llogari të shërbimeve të huaja sekrete.

Atë vit, (kur zhvillohej gjyqi i Të Pestëve) për herë të parë u ul në mënyrë të ndjeshme përfaqësimi diplomatik, ndërsa të dy vendet tërhoqën përkohësisht ambasadorët përkatës nga kryeqytetet. Në këtë kohë u vështirësua si asnjëherë qëndrimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi. Emigrantët iu nënshtruan, sipas pohimeve të shumta të tyre, një vale represioni të egër, duke i përzënë forcërisht nga Greqia me anë të të ashtuquajturve operacione Fshesa.

Qeveria shqiptare i kishte hyrë kështu një ballafaqimi të ashpër, por të pabarabartë.

Ndoshta pakkush e kishte marrë me mend se pikërisht kjo ngjarje në ditët e nxehta të gushtit të atij viti, do të linte gjurmët e një ftohjeje serioze (dhe të pariparueshme) të regjimit të Berishës edhe me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atëherë u ravijëzua krisja e parë midis Uashingtonit dhe Qeverisë së Tiranës, ndërsa emri i antishqiptarit greko-amerikan Nikolla Gejxh filloi të përmendej shpesh e më shpesh në shtypin zyrtar të Tiranës….

Në Shtetet e Bashkuara dihet se jeton një lob i fuqishëm grek me ndikim edhe në administratën e Shtëpisë së Bardhë. Prej këtij lobi thuhet se vijnë frymëzimet kundër Shqipërisë, që vitet e fundit kanë njohur një gjallërim të ndjeshëm në qarqe të caktuara greke me pretendime të hapura territoriale ndaj fqinjit verior, pretendime që veçse i nervozojnë shqiptarët dhe janë injoruar vazhdimisht prej tyre.

Gjyqi ndaj Të Pestëve që u zhvillua në gusht të 1994-ës, mund të qe zhvilluar fare mirë në vitet 1980, për shembull, a më 1990, pasi këto plane ambicioze “sekrete” të qarqeve të caktuara greke diheshin e njiheshin me detaje prej kohësh nga Tirana.

Në vitin 1991, ish-presidenti Ramiz Alia ka bërë publike para gazetarëve një plan të vjetër grek për të ashtuquajturin Vorio Epir…

Problemi shtrohet: Sa serioze dhe a ishte në kohën e duhur përgjigjja e Tiranës me gjyqin e Të Pestëve më 1994? A ishte zgjedhur momenti? Apo fshihej diçka tjetër më e thellë pas fasadës? Kjo vlen të diskutohet.

 

I dërguari special i Bill Klintonit në Tiranë

Ndërsa zhvillohej gjyqi i Të Pestëve në fundgushtin zhuritës të ’94-ës, në aeroportin e Rinasit një mbrëmje vonë ulej një avion i posaçëm dhe në Tiranë mbërriti papritmas një mysafir jo i zakonshëm…

Rreth orës tre të mëngjesit cërritja e telefonit më zgjoi si mjaft herë të tjera. Nga zyra në Uashington, Elez Biberaj më njoftoin se atë natë në Tiranë kishte qenë Riçard Shifter…

Ka ardhur për punën e grekëve që po gjykohen aty, më thanë. E dimë, e dimë që nuk është dhënë asnjë lajm për këtë vizitë aty, por ne duhet të japim diçka… Duhet me doemos ta japim këtë lajm… Dhe, pas një pauze, më sqaroi shprehimisht se ai, domethënë Shifteri, është takuar po mbrëmë me atë malokun tuaj aty (Berishën), të cilit i ka dhënë një mesazh të këtij malokut tonë këtu (Presidentit Bill Klinton), por Berisha nuk e ka pritur mirë dhe kjo… do të thotë… E kupton vetë se ç’do të thotë!…).

Sajova një emision të rëndomtë për programin e mëngjesit dhe nga fundi shtova një frazë, krejt si mballomë, për vizitën e befasishme të të dërguarit të Presidentit Klinton ose siç thirret ndryshe Ambasadorit Riçard Shifter në Tiranë.

Në atë frazë nuk mungonin fjalët burime të besueshme bënë të ditur… dhe se ai (Shifteri) ka patur një takim me Presidentin Berisha për çështjen e pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke, por pa rezultat…

Shpejt do të merrej vesh se Berisha e kishte quajtur atë natë, as më pak e as më shumë, por staliniste kërkesën e të dërguarit të Klintonit për lirimin e Të Pestëve.

 

Biseda midis Shifterit dhe Berishës

Sipas disa burimeve brenda PD, biseda mes Shifterit dhe Berishës ishte zhvilluar kështu:

R. Shifter: – Zoti President, SHBA dhe vetë Presidenti Klinton po ndjekin me vëmendje dhe interesim të veçantë gjyqin që po zhvillohet në Tiranë… Ne jemi të shqetësuar se, ndoshta, po veprohet gabim dhe ka ngutje për të dënuar pesë shtetasit tuaj me kombësi greke, njëri prej të cilëve, sikurse mund ta keni marrë vesh, është me shtetësi amerikane…

S.Berisha: – Unë ju falënderoj për ndihmën dhe përkrahjen që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë e po japin për demokracinë shqiptare. Ndihma dhe përkrahja juaj kanë qenë dhe mbeten të pazëvendësueshme për përparimin tonë në demokraci… Por, lidhur me interesimin që ju më parashtruat në emër të Presidentit Klinton, unë ju garantoj se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar… Unë ju siguroj se po zhvillohet një gjyq i ndershëm dhe i hapur…

R.Shifter: – Zoti President! Mos harroni se Greqia është në Bashkimin Europian dhe anëtare e NATO-s. Nuk kemi dëgjuar asnjë pretendim territorial nga Qeveria greke ndaj Shqipërisë, përveç kërkesës për respektimin e të drejtave të minoritetit grek që jeton në vendin tuaj. Por, ne jemi të shqetësuar për faktin se gjyqi që po zhvillohet në Tiranë ka çuar në një acarim të rëndë të marrëdhënieve midis vendeve tuaja dhe në një tensionim të ri të situatës në rajon. Presidenti Klinton është i interesuar që ky tension të kapërcehet dhe acarimi të zbutet nëpërmjet dialogut… Ne mendojmë se ju me autoritetin tuaj mund të ndikoni për të ulur tensionin…

S.Berisha: – Si? Në ç’mënyrë?

R.Shifter: – Ne mendojmë se 5 shtetasit që po gjykohen, duhet të lirohen. Ju mund të ndërhyni si President dhe si kryetar i Këshillit të Drejtësisë…

S.Berisha: – Jo. Nuk mund të bëhet… Unë nuk mund ta bëj këtë edhe për faktin se organet e drejtësisë dhe gjykatat janë të pavarura në Shqipëri.

R. Shifter: – Zoti Berisha! Unë i besoj ato që thoni por këtë që ju kërkojmë duhet ta bëni…

S. Berisha: – E pamundur! Kjo është kërkesë staliniste. Kjo  është ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti të pavarur. Unë nuk mund ta lejoj këtë!…

R. Shifter: –  Ju mendoni se Presidenti Klinton është si Stalini?!

S. Berisha: – Faktet flasin vetë…

Këtu mendohet se takimi i tyre është ndërprerë.

Shifteri kishte planifikuar të shkonte në Athinë po atë natë. Sikurse u mësua pak më vonë, nga kryeqyteti grek ai i ka telefonuar sërish presidentit shqiptar për të mësuar nëse i qëndronte ende deklaratës së mëparshme. Dhe ka marrë afërsisht përgjigjen se, jo vetëm i qëndronte, por do të shtonte se e theksoj se në këtë mënyrë sillej dhe u diktonte vendeve vasale vetëm ish-udhëheqësi bolshevik i Kremlinit, Josif Stalini…

Ambasadori Shifter, siç mund të merret lehtësisht me mend, është befasuar nga ky qëndrim i kryetarit shqiptar të shtetit, të cilin e kishte konsideruar edhe mik personal të tij. Ishte e pamundur ta fshihte shqetësimin në këtë rast.  Por, ishte ende herët për të dalluar (dhe aq më pak për të parashikuar) se ç’do të ngjiste më pas në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA…

Më 7 shtator 1994 përfundoi në Tiranë gjyqi i pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke, të cilët u gjetën fajtorë. Më 9 shtator Qeveria shqiptare bëri një deklaratë mbi mosmarrëveshjet shqiptaro-greke dhe gjyqin e sapopërfunduar.

Qeveria greke, thuhej në deklaratë, duke paragjykuar procesin qysh para fillimit të tij, kërkoi në mënyrë ultimative e të përsëritur ndërprerjen e tij dhe ndërmori një fushatë shumë të gjerë dizinformimi në arenën ndërkombëtare kundër Shqipërisë…“.

Kushtin e Qeverisë greke për ndërprerjen e procesit gjyqësor për fillimin e dialogut me Tiranën, Qeveria shqiptare e quante absurd dhe prepotent dhe se një presion i tillë ishte i papranueshëm dhe i dënueshëm për marrëdhëniet midis vendeve demokratike e sovrane dhe të gjitha këto janë një skenar i bashkërenduar midis Athinës e Beogradit për destabilizimin e Ballkanit jugor.

Tirana vazhdoi në këtë mënyrë sfidën me kokëfortësi, megjithëse e dinte mirë se kjo sfidë kishte një çmim të shtrenjtë. Fakti që njëri prej pesë të gjykuarve me kombësi greke kishte edhe shtetësinë amerikane, kishte bërë që jehona e këtij gjyqi të shkonte shumë larg…

Lirimi i të Pestëve disa muaj më vonë, në fillim të vitit 1995, do të shkrinte akullin në marrëdhëniet Tiranë-Athinë, por ky akt i vonuar dhe më shumë i imponuar, duket se nuk do të ndryshonte gjë në qëndrimin e qarqeve zyrtare amerikane ndaj Tiranës, të cilat ishin duke e kristalizuar gjithnjë e më qartë opinionin e tyre për Berishën dhe politikën e ndjekur prej tij. Amerikës nuk i pëlqejnë sfidat, aq më tepër kur ato i bëhen nga të vegjlit.

Lufta në Bosnjë, me sa dukej, ishte një faktor që i interesonte Berishës dhe që e “frenonte” Uashingtonin “të mos ia priste drutë shkurt” sfidantit të vogël shqiptar.

Sidoqoftë, Amerika ka meritën e vendit të parë perëndimor që ndjeu rrezikshmërinë e Berishës dhe të regjimit të tij, për rajonin në radhë të parë, e, pastaj, edhe për Shqipërinë. SHBA e kishin mbështetur Berishën më shumë se të tjerët për të marrë pushtetin, kurse tani po nxitonin t’i jepnin duart…

Ndërsa Europa flegmatike ka një dukje indiferentizmi, por, thuajse gjithmonë, në fund të fundit, e hedh vallen sipas ritmit amerikan.

Sepse Europa i di gjërat mirë, madje shpesh i di më mirë se mund ta mendojmë, thotë Kadare.

 

Referendumi

Parlamenti i parë pluralist në Prill 1991 shfuqizoi Kushtetutën komuniste të vitit 1976 dhe miratoi një paketë Dispozitash Kushtetuese. Një nga premtimet e mëdha të Partisë Demokratike para se të vinte në pushtet në fillim të vitit 1992 ishte miratimi i Kushtetutës së re.

Mirëpo, pas fitores së 22 marsit, demokratët duket se e lanë pas dore këtë çështje, duke patur sigurinë e 2/3 të vendeve në parlament. U ngrit një komision për hartimin e kushtetutës nën kryesinë e kryeministrit, por shpejt u pa se demokratët nuk e kishin mendjen te kushtetuta. Kërkesat dhe kritikat e përsëritura nga partitë e opozitës si dhe nga Këshilli i Europës, ranë vazhdimisht në vesh të shurdhër. PD nuk ngutej, ndërsa me mazhorancën absolute në parlament i miratonte me shpejtësi dhe pa vështirësi ligjet që dëshironte…

Në mars të vitit 1993, pas një debati të fortë në parlament, me kërkesën e deputetëve socialistë, u la një afat 3-mujor për dorëzimin e projektit të kushtetutës në parlament dhe Aleksandër Meksi, kryeministër dhe kryetar i komisionit, premtoi. Mirëpo, kur erdhi koha, projekti nuk u dorëzua, duke u bërë shkak që socialistët dhe socialdemokratët të braktisnin për një kohë relativisht të gjatë parlamentin.

Por edhe braktisja e parlamentit nuk i shqetësoi demokratët. Në skenën politike kishin dalë çështje të tjera më të ngutëshme dhe kushtetuta dukej se u harrua…

Kështu, çështja e kushtetutës u shty së paku edhe për ndonjë vit.

Në vitin 1994, në mesin e mandatit qeverisës, PD mendoi se kishte ardhur koha e përshtatshme për miratimin e kushtetutës. Por, në ç’mënyrë? Largimi dy vitet e fundit i disa deputetëve nga grupi parlamentar i PD, kishte bërë që partia në pushtet të humbiste shumicën absolute. Ndaj dhe, ndonëse në Dispozitat Kryesore Kushtetuese sanksionohej qartë se Kushtetutën e miraton parlamenti, Partia Demokratike e përjashtoi rrugën e parlamentit.

Duheshin gjetur rrugë të tjera. Por, cilat mund të ishin ato?

Në muajin gusht, (ndërkohë që në Tiranë zhvillohej gjyqi i pesë shtetasve shqiptarë me kombësi greke), një profesor i moshuar, i cili njihej në opinionin e gjerë si këshilltar i Presidentit të Republikës, në një shkrim të botuar në gazetën Rilindja Demokratike hodhi i pari idenë e miratimit të kushtetutës nga një Asamble Kushtetuese. Profesori kishte mendimin se Asambleja duhej formuar dhe dekretuar nga Presidenti dhe në të duhej (mund) të bënin pjesë njerëz të shquar nga fusha të ndryshme dhe intelektualë të zotë. Në këtë Asamble, sipas ish-profesorit të Marksizmit, nuk kishte pse të vendosnin vetëm deputetët; në të mund të bënin pjesë fare mirë edhe artistë të njohur të skenës dhe ekranit, sportistë të dalluar etj., duke përmendur edhe emrat e disave prej tyre.

Kaq duhej për të ndezur një debat të zjarrtë. Opozita e kundërshtoi menjëherë prerazi, sidomos emërimin e kësaj Asambleje nga Presidenti, ndërsa PD e quajti këtë një ide të shkëlqyer dhe demokratike, duke e ditur se ku kishte buruar ajo ide.

Debatet zienin dhe shpejt u pa se, nga mënyra se si u propozua dhe si u kundërshtua, idea e Asamblesë, ishte e papërshtatshme, e parealizueshme dhe jo bindëse si në opinionin brenda vendit, ashtu dhe në organizmat e larta europiane ku Shqipëria aspironte të hynte.

Dhe kështu ngjau.

– Si të duket ideja e referendumit, domethënë që kushtetuta të miratohet nga populli me referendum? – më tha Elez Biberaj, shefi i seksionit shqip të Zërit të Amerikës. Për herë të parë referendumin si rrugë të miratimit të kushtetutës po e dëgjoja kur partitë ishin acaruar së tepërmi për çështjen e Asamblesë. Ende pa ditur qartë procedurën që do të ndiqej, idea se populli do të votonte për Kushtetutën e tij, m’u duk e mrekullueshme.

– Mëshoi pakëz kësaj ideje, – tha shefi.

Pak ditë më vonë, në prag të largimit nga Shqipëria, ambasadori i SHBA në Tiranë, Uilliam Rajerson, gjatë një interviste dhënë gazetarit P. Dhimitri e të botuar në Koha jonë më 2 shtator, do ta zbulonte me kujdes këtë ide për publikun e gjerë. Rajerson, midis të tjerash thoshte në intervistë:

“… me sa lexoj nga Dispozitat Kushtetuese, vetë Parlamenti mund të vendosë me 50 për qind të votave plus 1 për çdo gjë, me përjashtim të Kushtetutës vetë. Unë mund ta imagjinoj se propozimi 50 për qind e votave plus 1 s’u pëlqen shumë njerëzve, prandaj ndoshta, ju lutem përsëriteni fjalën ndoshta, ka nevojë të hartohet një nen ose të bëhet një shtesë për miratim të një referendumi, pasi Projektkushtetuta të përgatitet dhe aprovohet nga Asambleja Kushtetuese”.

Kështu ambasadori amerikan “gjeti” çelësin magjik dhe ndezi dritën jeshile të referendumit.

Më tej ngjarjet rrodhën me një shpejtësi të hatashme.

(vijon neser në DITA)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *