Kombëtarja serbe e futbollit la në orën 18:00 hotelin ku ishte akomoduar në Tiranë, për t’u nisur drejt qytetit të Elbasanit, ku në orën 20:45 do të nisë sfida e vlefshme për Euro 2016 me Shqipërinë.
Autobusi me futbollistët dhe pjesën tjetër të stafit serb shoqërohej nga forca të shumta policore, përfshi këtu edhe repartet speciale që janë angazhuar vazhdimisht në mbrojtje të ekipit serb që prej zbritjes së tij në Rinas.
Ora: 18:30 – Në Tiranë tifozët pushtojnë rrugët kryesore
Ndërkohë që pritet të fillojë ndeshja në “Elbasan Arena”, atmosfera në Tiranë është ndezur në maksimum.
Me qindra e qindra tifozë kanë mësyrë rrugëve kryesore të kryeqytetit, me shalle, simbole kombëtare, flamuj kuqezi, duke nisur festën në prag të ndeshjes. Ata kanë sfiduar dhe shiun që kishte filluar të binte më herët për të mbështetur kombëtaren kuqezi pavarësisht se ndeshja luhet pak kilometra larg.
Policia vazhdon të mbajë të bllokuara disa akse kryesore dhe po kontrollon trafikun në mënyrë rigoroze, ku përveç këmbësorëve nuk mungojnë as makinat të veshura me simbole kombëtare. Në kryeqytet janë vendosur disa ekrane gjigante, ku tifozët do të mund të mbështesin kombëtaren në mënyrë të organizuar.
Edhe forca të policisë së Kosovës në Elbasan

Në ndihmë të Policisë së Shtetit, për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe sigurinë e tifozëve, kanë shkuar edhe disa forca policore nga Kosova. Sipas informacioneve, mësohet se kanë mbërritur 20 agjentë specialë, të cilët do të jenë në gatishmëri për të identifikuar ndonjë person apo individ të rrezikshëm nga Kosova, që mund të tentojë të hyjë pa biletë në stadium.
Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga ndeshja historike mes Shqipërisë dhe Serbisë në ‘Elbasan Arena’, në qytetin e Elbasanit, atmosfera kuqezi ka nisur të ndjehet që në orët e para të mëngjesit. Me qindra mijëra vetë të veshur me simbolet kuq e zi kanë dalë nëpër rrugët e qytetit duke kënduar këngë patriotike dhe duke thirrur ‘Forca Shqipëria’, çka ka krijuar një atmosferë mjaft festive në qytet.
Ndeshja Shqipëri-Serbi pritet të luhet në orën 20:45, ndërsa është parashikuar që akomodimi i tifozëve brenda stadiumit të bëhet disa orë para këtij orari.
Në kuadër të masave të ndërmarra nga policia për mbarëvajtjen e ndeshjes, të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, në Bulevardin ‘Aqif Pasha’, nga Stadiumi deri tek Shatërvani, nga ora 12:00 dhe deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.
Gjithashtu, gjatë ditës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës; përreth dhe përballë stadiumit; si dhe përgjatë dy bulevardeve kryesore.
Hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 16:30, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Ata do të kontrollohen të gjithë në hyrjen e stadiumit dhe duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe, monedha apo metale. Lidhur me ndeshjen janë angazhuar 1.500 punonjës policie, nga të cilët 308 nga Drejtoria e Elbasanit.
