Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, po merr pjesë në punimet e Ministerialit të Mbrojtjes që po zhvillohet në Bruksel.
Në këtë Ministerial do të diskutohen tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me sfidat e Aleancës, si dhe zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë dhe mbrojtjen.
Ministrja Kodheli tha për mediat se ky takim vjen në një moment delikat për shkak të kërcënimeve nga Lindja dhe nga Jugu.
“Në kufijtë e NATO-s ka kërcënime që vijnë nga lindja dhe nga jugu. Evropa vazhdon të ketë dhe do të ketë për një kohë të gjatë probleme me refugjatët që vijnë nga të gjitha vendet që kanë konflikt, probleme të tjera që lidhen me mënyrën se si do të menaxhohet situata në Siri, në Libi dhe në Afganistan. Aleanca duhet të jetë e përgatitur si nga pikëpamja strategjike, ashtu dhe nga pikëpamja praktike për një përgjigje sa të shpejtë aq edhe të gjatë në kohë ndaj gjithë këtyre kërcënimeve”, tha Kodheli.
Ajo u shpreh se fondamentalizmi është një problem tjetër me të cilin kufijtë e Aleancës përballen.
“Ky është një moment i rëndësishëm për të marrë vendime të rëndësishme që lidhen me zgjidhjen në mënyrë të drejtë dhe paqësore të të gjitha problemeve,të cilat megjithëse duken të pazgjidhshme për momentin do të jenë pjesë e diskutimeve tona”, nënvizoi.
Zonja Kodheli ka nënvizuar se Shqipëria është përgjigjur dhe do të vazhdojë të jetë në linjën e parë të gjithë përgjigjes pozitive që ne japim në raport me aleatët tanë.
“Ne do të kemi gati një kompani Deployable, pra e lëvizshme në një periudhë kohore prej brenda 4-5 ditëve nga momenti kur mund të ketë nevojë për tju përgjigjur pozitivisht të gjitha thirrjeve të Aleancës.
Ndërkaq, nga viti 2016 deri në vitin 2018 ne do të përgatitemi për këtë dhe do të vazhdojmë me modernizimin e Forcës tonë të Armatosur, për të qenë në të njëjtin nivel me aleatët tanë me qëllim rritjen e sigurisë, jo vetëm të vendit, jo vetëm të rajonit, por dhe të sigurisë mbarë botërore”.