Rikthimi i reshjeve po përkeqëson situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e disa komunave në Shkodër prej disa ditësh. Të mësuar me ujin në shtëpitë dhe tokat e tyre prej më shumë se një jave, banorët e Shkodrës thonë se harta e tokave të përmbytura sa vjen e zgjerohet. Ndërkohë, sot një tjetër burim uji i është shtuar atij që vjen nga lumenjtë e fryrë. Liqeni i Shkodrës ka dalë mbi sipërfaqen e zakonshme, duke përmbytur pedonalen e qytetit. Shkak janë bërë prurjet e lumenjve që vijnë nga Mali i Zi. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në zonën e Shirokës. Lokalet buzë liqenit tashmë janë përmbytur, ndërsa prania e ujërave është e konsiderueshme edhe në aksin Shkodër-Shirokë. Situata është e rëndë edhe në fshatin Obot, ku mjaft banesa prej një jave ndodhen nën ujë. Banorët vijojnë të kërkojnë ndihmën e shtetit për përballimin e situatës që sa vjen e përkeqësohet.
