Kosova do të ketë për herë të parë në historinë e saj si shtet, Kodin Civil.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në cilësinë e Kryesuesit të Komisionit për hartimin e Kodit Civil, pasi ka falenderuar të gjithë anëtarët e Komisionit për punën e bërë, si dhe ekspertët e projektit “mbështetje kodit civil dhe të drejtave pronësore’’, theksoi që puna në finalizimin e Kodit Civil, është vepra më kapitale për Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë dhe për sistemin e të drejtës civile në përgjithësi.
Ministri Kuçi, theksoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë për punën e Komisionit për hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës. Në vijim të takimit, kryesuesit e grupeve punuese prezantuan konkluzionet dhe rekomandimet kryesore të nxjerra nga takimet e mbajtura më parë ku janë diskutuar raportet e vlerësimit të hartuara nga Projekti “Mbështetje Kodit Civil dhe të Drejtave Pronësore”. Puna për hartimin e këtij Kodi po mbështetet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
