Z.Vuçiç, kot u trembe!

redaktor

E tepërt të themi se humbja 0-2 me Serbinë dje në Elbasan Arena na mërziti. Shumëkënd edhe e zhgënjeu. Jo sepse ne kemi qenë ndonjëherë superiorë ndaj futbollit jugosllav e serb, por sepse rrethanat e këtij edicioni të Europianit erdhën të atilla që të kishim, dhe kemi akoma, shpresa reale për kualifikimin e parë në Kombëtares në një kompeticion të këtij niveli. Cilat ishin këto rrethana?

Serbia pa asnjë interes pikësh për kualifikim, kombëtarja jonë e formatuar nga De Biazi me një përmirësim të dukshëm cilësor dhe një trepikësh ose më troç, një gol fatlum, sado i shëmtuar, i zakonshëm apo i bukur, që mbrëmjen e djeshme do ta çonte në Francë 2016. Një përjetim emocional i pazakontë ai i minutave të fundit kur ende nuk kishim pësuar gol, e kur nga ndeshja tjetër Portugali-Danimarkë erdhi lajmi i humbjes së rivales direkte daneze. Dhe një topitje po kaq e pazakontë kur pësuam të parin, pastaj golin e dytë…

Por për mua personalisht, dhe besoj për shumë të tjerë, gjendja shpirtërore e pasndeshjes ishte më shumë një kthim në esëll, sepse zhgënjim. Humbëm sepse bëmë gabime, sepse aq e kemi takatin, sepse përmirësimi që solli De Biazi nuk mjafton, por duhen vite e vite të tëra punë, humbje e fitore, që të ngremë nivelin e një sporti që e duam aq shumë.

Në fakt, për këtë kthim “me këmbë në tokë”, ndikoi jo aq ndërgjegjësimi se po, tek e fundit nuk jemi ende gati për të qenë të fundit mes elitës së futbollit, edhe pse po trokasim në atë derë më fort se më parë; por ndjesia e çaktivizimit të një ankthi të akumuluar prej kohësh. U ngritëm në atë lartësi që pretendojmë se e meritojmë, për të organizuar një ndeshje sportive dhe jo politike.

Dhe ky është një motiv për t’u ndjerë të kënaqur; dhe në një lartësi morale për t’u ëndërruar nga mysafirët serbë. Të cilët ndeshjen e parë, si zot shtëpie, është e kotë të ripërmendim sesi i trajtuan tifozët tanë, gazetarët e deri stafin kombëtares.

Ishin gati edhe dje, mediat dhe politika serbe, për të gjetur qimen e tyre në qullin tonë. Vendi me tifozërinë më vandale në Europë, diplomatikisht lëvizi me një notë absurde proteste për një guralec në xhamin e autobusit të ekipit, nga një adoleshent jetim. Thuhet se kanë “ngrirë” ambasadorin tonë në beograd për 6 muaj, pse nuk pranoi të merrte notën qesharake. Panë letrat e fatit dhe gjetën një komplot vrasës ndaj kryeministrit Vuçiç nëse do vinte në Tiranë e mandej në Elbasan. Zbuluan një amerikan të dyshimtë në hotelin ku do qëndronin, dhe nuk pranuan të hynin në dhoma. Ishte fjala për zotin Majkëll Granoff, kreun e Fondit Amerikan të Ndërmarrjeve! Deklaruan se “po vazhdoi kështu kjo punë, nuk do luajmë fare!” Vaj halli nëse do gjendej atypari dhe ambasadori Lu. Atëherë do bërtisnin, “këtu ka tradhti, burra!”

Thënë shkurt, dje treguam se jemi “më pak ballkanikë” se serbët. A kanë vend në këtë histori togfjalëshat “një humbje e bukur” etj etj.? Nuk e besoj. Djemtë na mërzitën, ta marrë e mira. Ej Xhani, ose Gani më saktë, pse nuk fute Roshin gjysmë orën e fundit? A e pe Lenjanin që nuk pasonte fare? Më mirë të guxonim dhe ta hanim gol në minutën e 60-të, sesa në të 90-tën!

Po, këto janë emocionet e futbollit, pozitive dhe negative, që Aleksandër Vuçiç mund t’i kishte përjetuar në stadium. Dhe mund të kishte duartrokitur i ekzaltuar për dy golat. Por mesa duket, kësaj i druhej, dhe kjo do kishte qenë humbja reale për “mikun tim Aleksandër”, siç i drejtohet shpesh homologu shqiptar Rama. Një poshtërim i dytë, sado bizare të tingëllojë kjo, pas ndeshjes së Beogradit. Sepse do t’i tregonte se shqiptarët kur duan, janë në gjendje t’i mposhtin djajtë e tyre. Edhe pse munden me meritë të plotë të kundërshtarit në fushën e lojës. Diçka që Vuçiç ende nuk mund ta thotë për palën e vet. Megjithatë, kohën e kemi përpara. Kot u trembe dhe nuk erdhe, Z.Vuçiç…

Share This Article
12 Comments
  • Mendoj se DJEMT luajten shume mire, taktikisht dhe tenikisht, por gjithmone minutat e fundit tregojne forcen fizike, morale dhe psiqike. Te mos harrojnese me cfar lojtaresh erdhi SERBIA.shumica e lojtareve ne per klubet me me ze ne Evrope prandaj sduhet kurre ti humbim shpresat e kualifikimit.

    • A ka mundësi ta injorojmë këtë Vuçiçin dhe t’i harrojmë serbët. Sa më shumë e përmendni aq më pikë fiton.

  • futja pordhes… e para cunave ti kerkojme falje se i terbuam fare para ndeshjes me kuc e me mac, nga politika, media, rruga.. u be si jete a vdekje. Golat, po te kete bythe politika, le ti shenoje ne politike se beri asocionin serbi ne Kosove, me vrap serbia zyrtare e pershendeti, ndersa beri asocionin shqiptari ne Presheve e me gjere dhe asnje fjale ketej nga ne!!!!!!!!! E dyta, te veme mend dhe te mos behem “patriota” koti sepse keta qe hiqen si te tille, ende shume prej tyre votojne ate qe vrau e dogji Shqiperine duke i bere nder serbit, shiten detin, bene kontrabande nafte etj etj. Ca te tjere votojne akoma ate mbretin qe fali troje, prandaj boll me patriotizma llafesh.

  • Cunat i trullosem me prapagande budallopatriotike dhe duhet tu kerkojme te falur .Respekte cuna.Shikoni perpara mbase mundni Armenine tani.

  • Zoti Vucic nuk u frigua aspak. Ne pytje ishte se nuk deshiron qe Edi Rama te konsiderohet si factor ne Ballkan. Kje eshte e nqarte ne qendrimet e udheheqjes Serbe.

  • kot qe s’erdhe Vuqo djali
    per ty kishim nje gote dhalli,
    me mire ftonim mister Bin-in
    sesa Vuqo nastradinin.

    Po c’ti besh se do Evropa
    te sheshojme nja dy gropa,
    se per mik po ta them une
    Vuqo djali na hengsh mu..ne.

  • si te thuash,kot u trembe se ne te hame mutin si ne fushen tone si ne fushen jashte,fryhemi kot me xhepa bosh dhe koken lart,pa rruar dhe kacake nete.Nganjehere krenaria kombetare kthehet ne regres dhe jo ne biznes.

  • I gjithe trajtimin i ndeshjes ishte ne fakt nje shembull i paster se sa jo-imun jemi nga nga idiotlliqet e jashtme qe shpifen per ne. Te gjithe e dimin qe kjo ndeshje s’do kishte incidentet, te gjithe e dinim, se shqiptaret perkundrejt serbve jane ku e ke me te civiluzar, me te bute dhe tolerant. Por gjithe fryrja mediatike e udhehequr nga media Serbe qe ndikoj dhe media Europiane, na beri te gjitheve te dyshonim mbi veten. Kjo eshte nje fatkeqesi per nje komb si i yni qe ngelur si plasteline duke marr format e paragjykimeve qe ka bota per ne.

  • E po kjo pune! ka shume te drejte Por po sqaroj dicka, Asosacioni ne presheve nuk duhet te behej sespse serbi ate do. Nuk jane fare kushte e njejta per paralelizem Presheva ka territor te permbledhur, eshte e dobet dhe nuk mbeshtete me fonde ngs nga kosova as nga Shqiperia, preshevaret e papune pa te drejta nen presionin e serbeve dhe spiuneve te shitur shqiptare te blere nga serbia, po braktisin Presheven nderkohe qe zajednicat ne Kosove zene jo vetem shume territore por ato jane zonat me te begata te ndara qe ne kohen e Titos dhe me vone te theksuara ne kohen e Miloshevicit dhe te mbeshtetura financiarisht fort nga serbet
    Pislleku qendron se poltikanet ne Kosove dhe ne Shqiperi qe jane me te rrahur me keto manovra luajne indiferentin, lenien ne heshtje dhe nuk sqarojne shqiptaret e Presheves te cilet nga padija dhe te etur per pavaresi bien ne rrjeten e mafiave shteterrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *