Duke qenë se vuaj nga sëmundje reumatizmale, mjekët specialistë më rekomanduan të shkoja në plazh, dhe kështu veprova. Gjithë muajin Gusht e kalova në plazhin e Golemit. Por krahas kushteve të favorshme natyrore, disa kushte që varen nga ana njerëzore ishin ibret.
E para, ana higjienike ishte përtokë, sidomos pjesa e plazheve publike që nuk pastrohej as një herë në javë.
E dyta, me sa di unë nga këto dy bashki që mbulojnë pjesën e plazhit, nga Plepat në Golem, është raportuar se derdhja e ujërave të zeza në det është ndërprerë. Ky mendoj është një mashtrim pasi ato përsëri vazhdojnë të derdhen në det. Këto dy fenomene janë shkaku kryesor i rënies së fluksit të turistëve të huaj e vendas.
E treta, autobusët urbanë Golem-Durrës dhe anasjelltas kanë një orar pune të reduktuar. Ata e fillojnë punën në 7 të mëngjesit dhe e mbyllin në 7 të darkës. Në pikun e turizmit njerëzit para dhe pas këtij orari e kanë të pamundur të qarkullojnë në këtë segment rrugor. A nuk është kjo një pengesë kryesore për zhvillimin e turizmit? Në të njëjtën kohë ka edhe urban Durrës-Plepa dhe anasjelltas me biletë 30 lekëshe dhe që ndalon në tërë stacionet. Atëherë pse hyn urbani i Golemit në Durrës kur nuk ndalon në asnjë stacion në segmentin Plepa-Durrës, çmimin e biletës e ka 60 lekë?
E katërta, në supermarketet e zonës së plazhit, le që çmimet i kanë të thekura, por mungojnë mjaft artikuj dhe një pjesë syresh nuk të japin kupon tatimor pasi nuk kanë as kasë fiskale.
E pesta, çdo ditë qindra turistë bënin shëtitjen e mëngjesit dhe mbrëmjes në bregdet ku relaksoheshin në ajrin e pastër duke marrë dhe jodin e duhur, por kur ktheheshe nga shëtitja dhe hyje në zonën e banuar sidomos në banesat mbi shinat e trenit, të merrej fryma nga ujërat e zeza.
E gjashta, bregdeti në zonën e plazhit në kulmin e turizmit me sa pashë unë shërbente dhe si një shëtitore, të cilët shëtitjen e bënin në errësirë të plotë.
Letër e nënshkruar
Llambi Mino
