Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, i kërkon bashkëpunim e konsensus politikës shqiptare për të mundësuar hapjen e negociatava . Në një intervistë për Ora News, ajo zbulon se progres-raporti nuk ka rekomandim për çeljen e negociatave.
Tirana zyrtare është e vetëdijshme se procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, kalon nga miratimi i reformës në drejtësi.
Mbi këtë bazë, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ka për politikën shqiptare këtë apel.
“Të ulen me njëri-tjetrin, të dialogojnë dhe të shikojnë analizën më të mirë të mundshme për të pasur një reformë të suksesshme dhe që do ti shërbejë vendit për të ardhmen”, tha Gjosha.
Zyrtarja e qeverisë shqiptare përgjegjësisë për integrimin, thotë se ende nuk e di përmbajtjen e plotë të progres raportit të 21 tetorit, i cili në terma të përgjithshëm është pozitiv, por ka gjithnjë një por…
“Nuk presim një rekomandim të mundshëm për hapjen e negociatave, këtu dua të jem e sinqertë me të gjithë qytetarët, për arsyet se duhet ta përfundojmë këtë reformë sa më parë. Pra reforma në drejtësi është kyçi i kërkesës tonë më pas për hapjen e negociatave dhe të një rekomandimi të mundshëm nga BE”, shtoi ajo.
