Pika e marrë ndaj Kukësit në javën e 6-të të Kategorisë Superiore, mund të konsiderohet një rreze dritë në fund të tunelit për skuadrën e Vllaznisë, e cila vazhdon të mbetet pa trajner pas dorëheqjes së stafit teknik. Por klubi Shkodran mund të humbasë të tjerë elementë të rëndësishëm të organikës, nëse situata nuk ndryshon deri në merkaton e janarit, madje edhe të rinjtë premtues që futbolli shkodran ka nxjerrë vazhdimësi.
Mediat italiane raportojnë se portieri 17-vjecar, Alen Sherri, i cili ka luajtur me kuqeblutë në disa ndeshje të Superiores dhe Kupës së Shqipërisë, nga e hëna e ardhshme do të stërvitet për disa ditë me skuadrën e Romës, ku do të vëzhgohet me kujdes nga stafi teknik. Të paktën deri në enjten djaloshi shkodran do të qëndrojë në Trigoria, ku do të mund të rikthehet shumë shpejt nëse bind me cilësitë e tij.
Sipas Tutto Sport, periudha e provës për portierin e ri është mundësuar nga menaxheri Lulzim Haxhia. Aktualisht te Vllaznia luajnë katër portierë. Zgjedhje e parë mbetet Dragojevic, ndërsa Selimaj, Sherri dhe i riu tjetër Vjerdha, luftojnë për t’i zënë vendin malazezit.

