Projekt-Kushtetuta 2 – Referendumi Nano

redaktor

Mesditën e dt. 10 nëntor 1998, pra dhjetë ditë para mbajtjes së votimeve për projekt-kushtetutën, një ngjarje e pakëndshme rrezikoi rendin dhe qetësinë e shkodranëve. Tre anëtarë të shoqatave anti-komuniste, përkatësisht Marjan Gryka, Artan Grishaj dhe Valentin Lisi u arrestuan. Kjo ndodhi pas një proteste të shoqatave anti-komuniste, ku, sikurse raportonte opozita: ”Agjentë të SHIK-ut dhe forca speciale të Tiranës, të mbërritur me dy furgona me targa të Durrësit kanë arrestuar tre nga pjesëmarrësit në protestë dhe anëtarë të shoqatave antikomuniste të qytetit të Shkodrës…” Ky zhvillim solli situatë të rënduar të rendit e qetësisë publike ngaqë u shoqërua me krisma armësh dhe mbyllje të banorëve nëpër shtëpia, gjatë gjithë orëve të pasdites e të mbrëmjes. Prefekti i Shkodrës, Ali Laçej, i denoncoi këto arrestime, duke i etiketuar si politike, ndërsa deklaroi se ato nuk ishin bërë nga policia e qytetit por nga trupa të panjohura të ardhura nga Tirana. Bashkë me denoncimin e këtij fakti, PD-ja, më e madhja parti e opozitës, kërkoi çtensionimin e situatës dhe lirimin e të arrestuarve, duke konkluduar se: “…qëllimi i qeverisë kësaj rradhe është ta lërë Shkodrën jashtë referendumit, nga që ajo është e bindur se Shkodra nuk do të hedhë asnjë votë për pasaportën e Fatos Nanos dhe të Fatos Klosit. Pikërisht për këtë ata duan të krijojnë situatë jashtë kontrollit, të bëjnë edhe arrestime të tjera, në mënyrë që ta shpallin qytetin jashtë kushteve për të bërë votim. Ky është qëllimi final. Skenari është i tillë jo vetëm për Shkodrën, por edhe për zona të tjera në veri, që ata qëllimisht i kanë lenë jashtë kontrollit…” Ndërkohë, sikurse njoftonte shtypi i dt. 11 nëntor: “Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmë, qendrën e kryeqytetit. Ka qenë ora 19:30, kur një sasi e konsiderueshme eksplozivi ka shpërthyer vetëm tre metra larg ëmbëltores “Lozana”, që ndodhet në afërsi të redaksisë së gazetës “RD”. Lënda eksplozive, e vendosur anës rrugës ka dëmtuar rëndë autoveturën me targë DJ-30802, që ndodhej e parkuar në vendin e shpërthimit si dhe ka shkaktuar thyerjen e xhamave të lokaleve përreth…” Ndonëse nuk raportohej për viktima njerëzore ky ishte një incident që nuk i ndihmonte krijimit të një situate të qetë parareferendare. Po atë mbrëmje, në hyrje të Kamzës, policia kishte ndaluar deputetin dhe sekretarin për Marrëdhëniet me Publikun të PD-së, Vili Minarolli ndërsa kthehej nga takimet elektorale në Peshkopi. Sipas opozitës: “Megjithëse, oficerët e policisë e kanë njohur deputetin, persona civilë të armatosur, që ishin në postbllok, me arrogancë dhe sharje kanë insistuar në kontrollin e makinës. Z. Minarolli u ka kërkuar atyre identifikimin duke u kujtuar imunitetin e tij, si dhe një ligj që ndalon kontrollet e ndalimin e deputetëve, por si përgjigje ka marrë fjalë fyese dhe bastisjen e makinës”.

 

Në ato ditë të fushatës refendare raportohej për votues të mbetur jashtë listave të votimit në Gramsh. Këtë informacion ia bënte të ditur misionit të vëzhguesve të OSBE, Bajram Kllogjeri, nënkryetar i KQV të rrethit Gramsh. Në një konferencë shtypi të dhënë në dt. 31 tetor 1998, nënkryetari i KQV-së Pëllumb Çela, përfaqësuesi i opozitës së grupuar nën siglën “Bashkimi për demokraci”, denoncoi faktin që: ”Sipas ligjit, hartimi i listave të votuesve bëhet nga bashkitë dhe komunat, por qeveria ka nxjerrë akte nënligjore për të manipuluar listat e votimit. Qeveria nuk ka të drejtë të nxjerrë akte nënligjore, prandaj ajo ka shkelur ligjin për zgjedhjet në hartimin e listave”. Çela bëri me dije se një fakt të tillë ia kishin bërë të ditur ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Daan Everets, si dhe juristëve të pranishëm në takim, të cilët morën përsipër t’i shqyrtonin vërejtjet. ”Këto shkelje ne i paraqitëm në KQZ, por kryetari i saj, Daver Çani dhe përfaqësuesit e socialistëve, fatkeqësisht, u shprehën se: “Nuk duam t’ja dimë për kërkesat tuaja dhe parregullsitë. Ne do të vazhdojmë punën rregullisht…” Nëse nuk do të korigjohen këto gabime ne do të marrim një vendim për t’u larguar nga KQZ. Eksperienca e hidhur e zgjedhjeve të pjesshme të 21 qershorit nuk është marrë në konsideratë as nga Presidenti i Republikës as nga përfaqësuesit e OSBE në Tiranë. Qëndrimi i OSBE-së për referendumin nuk është i drejtë. OSBE nuk po i përmbahet me saktësi ligjit për referendumet…” Në nenin 44/1 të ligjit përcaktohet se Komisioni i Zgjedhjeve është në vartësi të pushtetit lokal, por janë vërejtur shkelje të rënda në përbërje të komisioneve”, -artikulonte zëlartë PD.

Sipas raportimit, në ora 12:30 të dt. 02 nëntor ’98, punonjësi i policisë, D. Kalja, së bashku me dy punonjës të SHIK-ut kishin goditur dhe keqtrajtuar shtetasin Hysen Avdija, kryeplak i lagjes 38/4, Laprakë, Tiranë dhe sekretar i seksionit të PD-së në këtë lagje, ndërsa ishte duke vazhduar regjistrimin e banorëve për referendumin. Pasi e kishin pyetur “Si po shkon regjistrimi”, ata i qenë sulur Avdiut duke e goditur me grushta e mjete të forta në fytyrë e trup. Ngjarja kishte ndodhur disa metra larg komisariatit nr. 3 të policisë, në drejtim të të cilit kishin lëvizur pas këtij akti dy rrahësit. PD e deklaroi këtë rast si pjesë të dhunës që qeveria e drejtuar nga socialisti Pandeli Majko po ushtronte ndaj demokratikasve.

Votimi për projekt-kushtetutën vinte pasi Gjykata e Kasacionit e kishte hedhur poshtë draftin me unanimitet, ngaqë në ripunim nuk ishte marrë parasysh asnjë vërejtje e bërë më parë nga kjo gjykatë për kapitullin që bënte fjalë për gjykatat. Po ashtu, mbajtja e referendumit vinte pas përplasjeve për mosnjohjen nga ana e pushtetit lokal të akteve dhe udhëzimeve nënligjore të nxjerra nga qeveria e që binin ndesh me ligjin ngaqë bënin fjalë për hartimin e listave e përbërjen e KQV-ve paralele.

“PD, jo fasadë për referendumin”, -ishte kryetitulli i editorialit të gazetës “RD”, të dt. 7 nëntor 1998, që shpallte vendimin më të fundit të dalë nga selia e PD. Sipas editorialit, opozita paralajmëronte largimin nga KQV: “Nëse RTSH nuk do të zbatojë ligjin mbi minutazhin e balancuar, një braktisje e tillë ishte ndërmarrë një ditë më parë kur ishte lëshuar paralajmërimi për të pritur përmbushjen e kërkesave deri të hënën, në të kundërt braktisja do të ishte përfundimtare…”

“Gjatë një konference shtypi të dhënë në dt. 13 nëntor 1998, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, sekr. organizativ Fatos Beja dhe shefi i Departamentit të Pushtetit Lokal Njazi Kosovrasti denoncuan krijimin e listave paralele të votuesve në një numër të madh komunash e bashkish.

U raportua për 8 “IFA” që shpërndanin armatime e forca speciale për ditën e votimeve, iu kërkua presidentit Rexhep Mejdani të shtynte ditën e mbajtjes së votimeve, u publikua se 36 parti dhe personalitete të botës perëndimore të mbledhur në kongresin e 12 të Unionit të Partive Kristiandemokrate, në Madrid, e dënuan projekt-kushtetutën, u akuzua OSBE se me qëndrimin e saj po shkelte mandatin, u publikua bujshëm se nëpërmjet nënsekretarit të vet, Vladimir Petrovski, OKB vlerësoi se: “Projekt-kushtetuta ishte çështje vetëm e shqiptarëve”, -dhe data e mbajtjes së votimeve do të vinte nën moton e opozitës: “Qeveria po cënon integritetin e votimeve”, “Referendumi i paligjshëm”, “Drejtori i arsimit: ”Kush nuk voton pushohet nga puna”, ”Policia dhe SHIK-u paralajmërojnë vrasje pa paralajmërim në Shkodër, Lazarat, Laç, Kukës, e gjetkë”, ”Do të përgjaket referendumi…”

Në dt. 21 nëntor, mesazhi i lëshuar nga opozita në adresë të votuesve ishte: “Ja pse nuk duhet shkuar në votime”. Përveç kësaj, nëpërmjet një konference shtypi të mbajtur në hotel “Rogner”, paraditen e dt. 21 nëntor 1998, krahas denoncimit për manipulime, falsifikime, dhunë, terror e arrestime, që kishin sunduar procesin pararefendar, kryetari i PD-së, Sali Berisha, shpalli: ”Nuk do ta pranojmë një proces të pandershëm.”

 

PAS-REFERENDUM

Policia dhunon qendrat e votimit

 

Në deklaratën e shpërndarë, në datën 23 nëntor opozita jepte këtë situatë, rreth asaj, që, sipas saj, ishte “gjeografia e dhunimit të referendumit, rast pas rasti”:

Është plagosur nënkryetari i Qendrës së Votimit, Orikum, Vlorë, mjeku Qerim Bozhani, përfaqësues i PD-së. Ai u qëllua me armë zjarri nga sekretari i Komisionit, përfaqësues i PS-së.

Zyra Kola, administratore dhe përgjegjëse për qendrat e votimit 156, 157, 158, Tiranë, është rrahur nga oficerë të shërbimit sekret, në qendrën e votimit ku votonte kryeministri Pandeli Majko. Oficerët rrahës e kanë goditur me grushta dhe e kanë hedhur nga makina me të cilën e kishin rrëmbyer duke e kërcënuar se do ta vrisnin nëse do të denonconte.

Në qendrën e votimit nr. 181 Tiranë, pranë shkollës “1 Qershori”, janë keqtrajtuar anëtarët e KQV, Hysen Osmani dhe Mati Pepa, përfaqësues të “Bashkimit për Demokraci”. Ata kishin shkuar në këtë qendër për të verifikuar informacionin se atje kishte shkelje të rënda të ligjit dhe manipulime.

Në ora 18:15 minuta, në Lushnjë, policia ka hyrë me dhunë në qendrat e votimit dhe duke nxjerrë jashtë forcërisht përfaqësuesit e PD-së kanë marrë me vete kutitë e votimit.

Në qendrën e votimit 101 Tiranë, në QSUT, Onkologjik, një person me emrin Simon, i prezantuar si kryetar i QV dhe njëkohësisht nënpunës i kuadrit të Onkologjikut, ka kërcënuar pacientët e shtruar, duke u thënë se “po nuk shkuat në votime do t’ju nxjerrim nga spitali”. I njëjti person ka kërcënuar edhe personelin e shërbimit për pushime nga puna.

Në Tiranë, në qendrat e votimit me nr.249 e 250, njerëzit kanë votuar forcërisht, të paregjistruar në listat e votimit dhe pa dokument identifikimi.

Në fshatin Bishqem-Fushë, policia është futur me maska duke mbushur kutitë me fletëvotimi. Po e njëjta gjë ka ndodhur në fshatin Verri Vajkal, Fier, ku njerëz të armatosur kanë hyrë në qendrat e votimit duke futur fletëvotimi të plotësuara. Po e njëjta gjë është konstatuar edhe në komunën Kryevidh, të rrethit Kavajë.

Në Qendrën e Votimit 137, Tiranë, komandanti i Gardës së Republikës, ka ushtruar presion ndaj komisionerëve të PD-së për të lejuar votimin e ushtarëve të Gardës, të papajisur me karta identifikimi.

Prefektura e Lushnjës ka shpërndarë lista paralele, duke hequr 3100 vetë nga listat e mëparshme të Bashkisë. Në QV Gostilë, Kukës, një person ka hedhur në kutinë e votimit 30 fletë të plotësuara. Në Shishtavec kanë votuar 40 persona të papajisur me dokumenta identifikimi.

Në qendrat e votimit nr. 43, 136, 118, 119, 120, 121, Tiranë, kryetarët dhe sekretarët socialistë kanë fshirë me forcë shumë emra nga listat. Në qendrat e votimit nr.178, 179, Tiranë. Janë ndërruar në mënyrë arbitrare listat e votimit, me urdhër të prefektes.

Në Qendrën e Votimit nr. 2, Tiranë, është vjedhur vula dhe është penguar procedura e fillimit të votimit.

PD ka protestuar kundër urdhërit të ministrit të Drejtësisë, Thimio Kondi, sipas të cilit ditën e diel, gjatë mbajtjes së procesit të votimit, gjykatat duhet të jenë të hapura e të pranojnë ankesat e anëtarëve të PS-së për t’u shtuar në listat e votimit, si dhe kundër udhëzimeve të KQV-së për refendumin.

Në fshatin Vau i Dejës, Shkodër, ushtarët e repartit ushtarak nr. 1130, të papajisur me dokumentat përkatëse të identifikimit kanë votuar me forcë, pas presionit të bërë nga komandanti i repartit Havdi Ankollari, ndaj nënkryetarit të Komisionit.

Në Qendrën e Votimit nr. 67, Tiranë, është kapur një urdhëresë e prefektes Makbule Çeço për të votuar një repart ushtarak, me 85 votues, pa qenë të regjistruar.

Në komunën Shalës, fshati Kutalli, Elbasan, policia ka marrë me dhunë kutitë e votimit.

Në Qendrën e Votimit me nr. 51, të qytetit të Vlorës, pasi u konstatua se në votime morën pjesë 26 përqind e votuesve të asaj qendre, përfaqësues të PS-së rrëmbyen dhunshëm kutinë e votimit dhe më vonë, në Komisionin e Bashkisë u depozitua një proces-verbal me firmë të falsifikuar të nënkryetarit të PD-së. Në Qendrën e Votimit nr. 10, po të qytetit Vlorë, pas hapjes së kutisë së votimit u konstatuan 112 fletëvotimi më tepër se ai i fletëve që duhej të ishin.

Më dt. 23.11.1998, në Pukë, kryetari i Komisionit Qendror të Votimit, drejtor miniere, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të koalicionit qeveritar, kanë marrë një vendim duke përjashtuar 342 votues të përfshirë në proces-verbalet e votimit të firmosura nga komisionet e qendrave të votimit.

Në Qendrën e Votimit Gosë e Madhe, Kavajë, pas mbylljes së kutive të votimit (nga 480 persona kishin votuar vetëm 78 persona), është futur një grup policësh me maska dhe kanë keqtrajtuar përfaqësuesit e PD-së në komision. Ata kërkonin një proces-verbal krejt të ndryshëm nga ai reali dhe të firmosur nga përfaqësuesi i PD-së. Në Qendrën e Votimit nr. 3, Gosë e Madhe, Kavajë dhe në atë nr. 4, rreth orës 16:30, policia ka hedhur në kuti fletëvotimi të mbushura. Nënkryetari nuk ka firmosur…

Këto qenë disa nga raportimet e bëra, sipas të cilave, në Tiranë ka patur 33 raste dhune dhe presioni mbi komisionerët e opozitës, 1450 raste kërcënimi e detyrimi për votim mbi gjithë votuesit e familjarët që nuk donin. Në proces-verbalin zyrtar të ardhur nga Kavaja në KQV rezultonte se ishin 3000 fletëvotimi më pak nga numri i votuesve të deklaruar. Në Tiranë qenë 30 mijë votues të përjashtuar nga listat paralele. Në Shkodër, të hequr nga listat ishin 3 mijë vetë, në Krujë 4 mijë, në Elbasan 14 mijë votues të hequr nga listat, Në Mat 6 mijë, etj.

 

Rezultati

Në orën 03:00 të datës 27 nëntor 1998, KQZ votoi për të dytën herë që të konfirmonte rezultatin përfundimtar të votimit për projekt-kushtetutën, pas braktisjes së bërë më parë nga opozita që e kundërshtonte atë, duke pretenduar manipulimin.

Në konferencën e shtypit të paradites së dt. 27 nëntor, kreu i KQV, Daver Çano, njoftoi se: “Në procesin e votimit  u regjistruan 1.914.859 votues. Në të gjitha rrethet e vendit u ngritën dhe funksionuan normalisht 4578 komisione qendrash votimi, 308 komisione komunash, 65 komisione bashkish dhe 36 komisione rrethesh. 879 488 votues i thanë “po” projektit, duke përbërë 93,5% të gjithë pjesëmarrësve.

Përsa i përket ankesës që përfaqësuesit e “Bashkimit për Demokraci” në KQV do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nuk përbën asnjë problem, pasi gjithçka është e përputhur me ligjin. Edhe nëse do të ndryshohet shifra që tregon pjesëmarrjen e votuesve në referendum, përmes një verifikimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, besoj se kjo shifër do të shkonte nga 50,57% në 56% vetëm për shkak të manipulimeve që janë bërë me listat”.

 

 

Nesër:  BETEJA ELEKTORALE 2000. Fushata nis me atentat ndaj Sali Berishës

Share This Article
1 Comment
  • Nga sa kam ndjekur keto shkrimet e z.shyti kam kuptuar se deri me sot asnjehere nuk kemi patur zgjedhje te ndershme.N e vjedhje e manipulime te votave ngjajne si dy pika uji Nano-Berisha-Majko- Meta. Te provojme njehere Edi Ramen se mbase nuk do te perseris vjedhjen e manipulimin. falenderoj redaksine qe na jep te tila shkrime se jemi popull me amnezi ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *