Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim përfaqësues të shoqatave shqiptare në Itali, të cilët kanë kërkuar të drejtën e votës. Ata po mbështeten edhe nga konsullja e Shqipërisë në Milano.
Presidenti u shpreh se e drejta e votës duhet pasqyruar në ligjin zgjedhor në mënyrë që të gjithë shtetasit me shtetësi shqiptare, pavarësisht se ku ndodhen apo jetojnë, të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet parlamentare. Kreu i Shtetit nënvizoi se diaspora shqiptare ka potenciale të jashtëzakonshme, të cilat mund të kontribuojnë shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik, social, kulturor të Shqipërisë.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës shprehu bindjen e tij mbi nevojën e krijimit të Ministrisë së Diasporës si një domosdoshmëri e kohës dhe si një institucion ku diaspora shqiptare të shprehë mendimet e saj lidhur me vendimmarrjet mbi zhvillimin e vendit.
Në vijim të bashkëbisedimit, përfaqësuesit e Forumit Shqiptar në Itali, parashtruan disa nga shqetësimet dhe kërkesat e tyre, të cilat kishin të bënin me ushtrimit të së drejtës sovrane të votës por edhe mbështetjen në nxitjen e institucioneve shqiptare për krijimin e Instituteve të Posaçme të Kulturës në Itali apo dhe në vende të tjera, me qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe si dhe të kulturës shqiptare në mënyrë që ato t’i përcillen brezave të ardhshëm. /Dita/

prit edhe pak te boshatiset kombi.