Ndonëse Evropa po përballet me një sërë situatash emergjente, kriza britanike qëndron stoike në pritje të zgjidhjes së saj. Kërkesat janë të pandryshuara, reformim i Unionit ose britanikët do të vendosin mbi qëndrimin apo daljen nga BE. Fushat ku kërkohet ndërhyrje janë delikate, si qarkullimi i lirë i personave, ekuilibrim mes fuqisë që krijon zona euro dhe vendeve që s’janë pjesë e saj, thellim i tregut të brendshëm, apo rishikim i politikave ekonomike dhe monetare.
Qasja e Britanisë së Madhe ndaj Unionit ka një karakter të veçantë, duke u pozicionuar kryesisht në interesat e saj ekonomike dhe në kundërshtim të vazhdueshëm ndaj çdo projekti me karakter të thelluar politik, apo me tendenca federaliste. Në shumë prej fushave të bashkëpunimit evropian Britania ka refuzuar pjesëmarrjen. Po në emër të interesave kombëtare britanike, drejtuesit e saj konservatorë, kërkojnë reformim dhe rishikim të rolit të Britanisë së Madhe në Union, duke pretenduar për një detyrim me natyrë patriotike. Ankesat fokusohen në mënyrë të veçantë edhe ndaj mungesës së transparencës dhe të kontrollit demokratik të procesit të vendimmarrjes së Unionit. Çka në këndvështrimin britanik imponon një përforcim të rolit të parlamenteve kombëtarë, të drejtën e vendosjes së vetos ndaj vendimmarrjeve që nuk përputhen me interesat specifikë britanikë. P.sh., ndonëse vlerësohet se fusha të caktuara kanë një funksionim të kënaqshëm, siç është bashkëpunimi policor ndërkufitar, gjykohet krejtësisht i panevojshëm veprimi i Unionit në fushën e drejtësisë penale.
Në fakt, kjo e fundit, imponimi në fushën e drejtësisë, është një pikë e ndjeshme për politikën britanike. Nuk duhet nënvlerësuar fakti se, vetëm pak kohë më parë Britania e Madhe kërkoi të tërhiqej nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe detyrimeve, që rrjedhin prej saj. Arsyeja bazohej tek argumentet se vendimet, që dalin nga GJEDNJ në Strasburg, nuk duhet të kenë prioritet ndaj të drejtës kombëtare dhe se parlamenti britanik duhet të gëzojë të drejtën e vetos për të penguar aplikimin e tyre në legjislacionin vendas.
Edhe ky reformim, që propozohet mbart të njëjtën tendencë, shmangien e ndërhyrjeve të institucioneve jo kombëtare, në të drejtën britanike. Logjikë, e cila kërkon që burimi i fundit i autoritetit ligjor të jetë Parlamenti, ndërsa Gjykata Supreme të jetë realisht supreme në interpretimin e ligjit. Plani reformues, që synohet të kryhet thekson se, gjykatat britanike nuk kanë bërë ndonjë kërkesë që GJEDNJ të ketë rolin e një gjykate, që krijon precedent ligjor për Britaninë dhe se, ndonëse kjo kërkesë figuron në Aktin e të Drejtave të Njeriut, nuk është një akt sovran dhe Parlamenti britanik, duhet të lejojë ndërprerjen apo vazhdimin e tij.
Teksti i Konventës së GJEDNJ-së, synohet të adaptohet në legjislacionin e brendshëm juridik, por duke iu referuar vetëm tekstit fillestar (1950), dhe jo tekstit që ka evoluar dhe ndryshuar me kalimin e viteve, si domosdoshmëri logjike dhe juridike në përputhje me ndryshimin dhe evoluimin e shoqërisë. Pas miratimit të ligjit të ri britanik, do t’i kërkohet Këshillit të Evropës, të pranojë këtë pozicionim, si një përqasje legjitime ndaj aplikimit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në rast të kundërt, Britania e Madhe nuk do të ketë asnjë mundësi tjetër, veçse të tërhiqet nga KEDNJ.
Lordët u zgjuan
Kjo klimë politike, ku nga njëra anë kërkohet me insistim reformim i Unionit dhe rishikim i rolit të Britanisë së Madhe, dhe nga ana tjetër kërkohet shmangie nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe detyrimeve juridike, që burojnë prej saj, sigurisht që kanë efekt në opinionin publik. Opinion, i cili sistematikisht në të gjithë vëzhgimet e kryera nga sondazhet e Eurobarometrit, konfirmon dozat e larta skeptike ndaj projektit evropian.
Bashkimi Evropian shikohet ndryshe nga britanikët. Ky perceptim i ndryshëm, është konstant ndaj çdo tentative për përforcim të mëtejshëm të projektit politik evropian. Britania e Madhe nuk ka qenë pjesë e luftërave të përgjakshme, që kanë përfshirë territorin evropian. Ajo s’ka qenë pjesë e ndonjë pushtimi të dhunshëm të territorit të saj. Por, nuk ka qenë as fragment i ndarjes së akullt, që krijoi përgjatë gjysmë shekulli Evropa e dy kampeve. Ky karakterizim krejtësisht i ndryshëm që ka përfshirë elitën politike, por edhe opinionin publik britanik e bën të pakuptueshëm simbolikën e idealizmit të projektit evropian. Projekt, që synonte bashkimin për t’i dhënë fund luftërave, konflikteve shkatërruese dhe përçarjeve ideologjike. Përqasja britanike, duke mos qenë pjesë e përjetimit real të dozës ideologjike, ka një karakter të pastër praktik, ekonomik.
Ndoshta në këto lëvizje të vazhdueshme për fuqizim të rolit të Britanisë së Madhe në Union, fshihet edhe ekzistenca e një lloj frike. Frikë, që del në sipërfaqe dhe konstatohet lehtësisht sa herë proklamohen dëshirat politike, për shkëputje fizike të pjesëve përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar. Një Britani e Madhe, që mund të shndërrohet edhe në një Britani të vogël.
Por, në këtë terren të fortë euroskeptik dhe dëshirë politike për reformim dhe ripozicionim, po shfaqen edhe shenjat e një ndërgjegjësimi politik, që po çon në veprime konkrete për aktivizimin dhe nisjen e një fushate pro-evropiane, me synim qëndrimin e Britanisë në BE. Nën moton “Britania e Madhe është më e fortë në Evropë”, një grupim elitar i botës politike dhe ekonomike, po përpiqet të kompensojë dhe ekuilibrojë lëvizjet politike të forcave aktuale në terren, që propagandojnë daljen e Britanisë nga Unioni. Koalicioni elitar, që ka filluar fushatën për mbajtjen e vendit në Union, ka aktivizuar figura të rëndësishme të botës politike, si tre ish kryeministrat, Major, Blair dhe Brown, një sërë industrialistësh, përgjegjës sindikatash, kryesi pronarësh dhe parti politike të ndryshme si të krahut të majtë, por edhe të djathtë.
Propaganda pro qëndrimit në Union, është fokusuar në aspekte të rëndësishëm, në dobi të mbrojtjes së interesave kombëtare britanikë. Aspektit ekonomik dhe përfitimeve të larta të vendit, pjesë e Unionit Evropian, i shtohet frika e izolimit, që do të shndërrojë tokën britanike në terrenin e kërkuar nga kriminelët, që kërkojnë t’i rrëshqasin drejtësisë evropiane dhe ekstradimit, duke u bërë të paprekshëm nga mandati i arrestit evropian. Grupimi eurofil vlerësohet se, do të penetrojë në boshllëkun e terrenit që ka krijuar përçarja e grupimeve anti-evropiane, të grumbulluara sa rreth ekstremistëve të UKIP, po aq edhe pranë grupimit tjetër të konservatorëve dhe laburistëve të pakënaqur nga Unioni. Kjo lëvizje e munguar, është shumë e rëndësishme jo vetëm për ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi dobishmërinë e padiskutueshme të qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE, por mbart dhe vlerat e një mekanizmi të nevojshëm demokratik në balancimin e qëndrimeve dhe opinioneve pro dhe kundër interesave kombëtare të Britanisë së Madhe në BE. Britania ka nevojë për Unionin, por edhe vlerat e një Unioni të bashkuar nuk mund të konceptohen pa praninë e Britanisë së Madhe./im.ta/
