I dashur dhe i nderuar Z. Thano!
Sido që të luajmë me fjalët ma ke apo ta kam, një gjë është e sigurt, që ndonëse të tilla kemi me bollëk e pambarimisht, por zgjidhje aspak dhe as që mund të presim për një gjë të tillë.
Në retrospektivë kujtoj me keqardhje dhe dëshpërim se kundërshtarët e dy forcave kryesore politike akuzojnë njëra-tjetrën për krime, korrupsion dhe gjithëfarë problematika të ndryshme të shumta dhe tepër tepër të rëndësishme që janë me pasoja të rënda për shoqërinë tonë.
Po e filloj me firmat piramidale që çuan në shkërmoqjen e shtetit, me tragjedinë e Gërdecit që shkaktoi 26 viktima, 300 të plagosur dhe dëme ekonomike të pallogaritshme, 21 janarin ku ekzekutuan 4 qytetarë të pafajshëm e për të përfunduar tek çështja “CEZ”.
Në ngjarjen e rëndë e tragjike të 21 janarit të gjithëve ne që nuk na ka lënë memoria na kujtohet saktësisht se si mazhoranca e atëhershme dhe opozita e asaj kohe akuzonin njëra tjetrën. Nga njëra anë kryeministri dhe makina prapagandistike e tij për ti shpëtuar fajësisë dhe për të mbajtur pushtetin me thonj e me dhëmbë akuzonin opozitën dhe kreun e saj Edi Rama, kreun e presidencës Bamir Topi dhe kryeprokuroren Ina Rama se gjoja organizuan puçin e shtetit. Ndërsa nga ana tjetër opozita dhe lideri i saj Edi Rama e kanë akuzuar me të drejtë ish kryeministrin Berisha dhe ish ministrin e Brendshëm Basha se ata dhe vetëm ata ishin vrastarët e 4 protestuesve paqësorë e të pafajshëm. E megjithatë, asgjë.
Me keqardhje e them por e njëjta histori po ndodh edhe me problemin e shumëpërfolur “CEZ” e që përsëri asgjë. Dhe a dini përse?! Sepse në përgjithësi gjyqësori ynë e në veçanti organi i akuzës, nuk ndëshkojnë, por i mbrojnë haptazi shkaktarët e krimeve.
Letër e nënshkruar
Pali Nito
