Partia Demokratike i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për përfshirë në axhendën e punimeve të Kuvendit kërkesën për hetim ndërkombëtar për kompaninë CEZ.
Në dokumentin e firmosur nga Edi Paloka, thuhet se nisma duhet të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar. Paloka thotë se megjithëse Meta ishte parimisht dakord me kërkesën në fjalë, ajo nuk është përfshirë në punimet trejavore të Kuvendit.
“Duam të besojmë se mospërfshirja e këtij projektligji në draft kalendarin e shpërndarë tashmë tek anëtarët e Konferencës së Kryetarëve, ka qenë një harresë e paqëllimshme nga ana juaj!”, shkruan ai.
Pakola shprehet se nuk ekziston asnjë justifikim i ligjshëm për mospërfshirjen e këtij ligji në kalendarin e punimeve trejavore të Kuvendit.
“Në përfundim, risjellim në vëmendje se çdo vonesë në miratimin e këtij ligji, është në dëm të hetimit të plotë dhe gjithëpërfshirës, si dhe potencialisht pamundëson zbulimin e të vërtetës dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës”, thekson drafti.
