Dade: Shqipëria e ka shumë të vështirë çeljen e negociatave me BE-në

Saimir Lleshi

Pas takimeve në Berlin të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit të Shqipërisë, kryetarja e këtij komisioni Arta Dade flet mbi marrëdhëniet dypalëshe, reformat, bashkëpunimin në rajon dhe çështjen e refugjatëve.

E pyetur për çeljen e negociatave, zonja Dade thotë se Shqipëria e ka shumë të vështirë që të përfitojë të paktën këtë vit. Sipas saj, janë disa faktorë që e pengojnë këtë proces.

Intervistë për DW:

-Në procesin e integrimit evropian Shqipërisë i kërkohet përmbushja e reformave, në sektorin e drejtësisë, luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar, dekriminalizimi i politikës? Kemi në moment aferën e CEZ-it. Ku ndodhet Shqipëria në përmbushjen e këtyre kritereve dhe si vlerësohet ecuria e a saj në këto reforma?

Autoritetet që ne takuam, vlerësojnë përpjekjet në kryerjen e reformave për shmangien e informalitetit apo reforma në fushën e energjisë. Reforma në drejtësi padyshim që përbën sfidën më të madhe edhe si reformë në një sektor tejet të vështirë, që mund të konsiderohet një nga elementet kryesore të instalimit të kulturës së pandeshkueshmerisë në çështjet e korrupsionit apo abuzivizmit me pushtetin.

Ka gatishmëri nga partnerët për mbështetje me ekspertizë. Bashkëpunimi maxhorancë – opozitë për këtë reformë është i mirëpritur si domosdoshmëri që kjo reformë të jetë konsensuale dhe të ketë efekte afatgjata, por edhe rezultate të shpejta pozitive për të ndryshuar rrënjësisht perceptimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, por më së pari të krijojë besueshmëri te qytetarët se çështjet e tyre zgjidhen përmes gjykatave profesioniste dhe të pa korruptuara.

Lidhur me të ashtuquajturën dekriminalizim të politikes kjo është një çështje më e gjërë se sa thjesht përfshirja apo mospërfshirja në listat partiake për Kuvendin e Shqipërisë të elementeve me rekorde kriminale dhe kjo padyshim është gjë e lehtë për t‘u përmbushur me shpresë se vullneti politik nga të gjitha partitë ekziston.

-Në dhjetor do të jetë samiti i BE. Si vlerësohet perpektiva e hapjes së negociatave për pranim?

Axhenda jonë europiane pa asnjë mëdyshje vazhdon të mbetet gur kilometrik në ecurinë e reformave, të cilat janë të domosdoshme jo thjesht se kërkohen nga BE, por sepse ato krijojnë kushte më të mira për rritjen e cilësisë së jetës së shqiptarëve për ta ndjerë Evropën këtu e për të mbajtur gjallë shpresën se ky vend ka perspektivën e anëtarësimit të afërt, e shqiptarëve nuk u duhet të marrin rrugët nëpër Evropë si refugjatë.

Është e vështirë që Shqipëria të ketë shansin këtë vit të hapë negociatat për anëtarësim përpos progresit që vlerësohet. Vazhdon të mbetet problem fryma konfliktuale e të bërit politikë e qëndrimet e dyzuara sipas përgjegjësive, që politika ka, kur një parti është në opozitë e kur është në maxhorancën qeverisëse.

Për çështje të integrimit e reformave madhore kërkohet pjekuri e lartë politike e konsensus si edhe artikulim i njëzëshëm me partnerët, që nuk rreshtin së mbështeturi Shqipërinë në këtë proces. Përdorimi i procesit të integrimit për kapital politik është i dëmshëm, sepse në këtë proces të dy anët e politikës janë të humbura, kur një palë bëhet faktor frenues e mbi të gjitha të humbur janë shqiptarët.

Qeveria gjermane nuk mund të marrë vendime lidhur me dhënie mendimi për një vend tjetër për t’u integruar në Bashkimin Evropian në stadet e caktuara të këtij procesi pa konsensusin e Bundestagut. Prandaj roli i parlamentarëve është vendimtar e kërkohet më shumë punë me anëtarët e Bundestagut pa hedhur gurë mbi çatinë tonë të përbashkët, që është ende me shumë problem, por që është e jona.

-Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me bashkëpunimin rajonal. Bashkëpunimi rajonal varet fort nga krijimi i lidhjeve të rrjetit të transportit dhe të energjisë në rajon. Por kriza e refugjatëve po tërheq momentalisht gjithë vemendjen dhe mjete të mëdha financiare të BE. Sa ndikon kjo në dëm të realizimit të shpejtë të projekteve të ndërlidhjes infrastrukturore të rajonit?

Momenti, që po kalon Europa, është i vështirë dhe kriza e refugjatëve kërkon vëmendje, angazhim e mjete financiare, por edhe kontributin e të gjitha vendeve anëtare të BE, të cilët u përmbahen angazhimeve, që burojnë nga aktet e anëtarësimit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të dinë të vazhdojnë ta mbajnë vëmendjen e BE te rajoni, i cili ndikohet nga kriza e refugjatëve, që largohen nga zonat e konfliktit. Vendet tona duhet të ndihmojnë në adresimin e këtyre çështjeve jo të bëhen vetë barrë e shtuar për vendet e BE e në mënyrë të veçantë për Gjermaninë. Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë pse t’i ngadalësojnë ritmet për përmbushjen e detyrimeve apo edhe për thithjen e fondeve për projektet e planifikuara dhe për investime të huaja për projekte rajonale të përbashkëta në infrastrukturë, energji apo të interkonektivitetit.

-Kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë po punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve historikisht të rënduara mes dy vendeve, nën shembullin e Francës dhe Gjermanise pas Luftës së Dytë Botërore, gjë që kërkohet dhe inkurajohet nga BE dhe Gjermania. Kjo u dëshmua edhe në organizimin e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi dhe në takimin e studentëve nga dy vendet. Sa reale është, që komunikimi mes dy vendeve dhe qytetarëve të tyre të bëhet normalitet, pa hasmëri dhe paragjykime, apo është ky një proces i vështirë dhe i gjatë?

Ky është proces i vështirë e që kërkon kohën e vet. Duket se trendi është pozitiv e duhet punuar më shumë me të rinjtë, të cilët nuk mbajnë mbi vete hijet e së shkuarës në mjaft raste të përgjakshme. Por ka kategori politikanësh, të cilët mbijetojnë në politikë veç përmes kartës së nacionalizmit ekstrem e janë faktor frenues sikurse rasti i Presidentit Nikoliç. Ne të gjithë duhet të shfrytëzojmë çdo hapësirë për kontakte më të shpeshta jo vetëm qeveritare por edhe parlamentare edhe të shoqërisë civile, të përfaqësuesve të medias etj. Përparësi marrin marrëdhëniet ekonomike e tregtare, të cilat janë ende larg konsolidimit.

-Gjermania gjendet para një sfide të madhe të strehimit dhe pritjes së një numri të pasosur refugjatësh. Azilkërkuesit nga Shqipëria nuk kanë të drejtë azili në Gjermani, sepse Shqipëria është vend i sigurt origjine. Tani në politikën gjermane po diskutohet për krijimin e zonave të tranzitit, me qëllim që njerëzit pa shanse për azil, p.sh. nga Ballkani, të mos mund të hyjnë fare në Gjermani. A zuri vendi çështja e azilkërkuese nga Shqipëria në bisedimet, që patët në Berlin?

Ne diskutuam për këtë çështje të mprehtë dhe nxisim strukturat përkatëse të policisë së kufirit dhe migracionit të kryejnë detyrën konform kuadrit ligjor, por edhe bashkëpunimin me autoritetet gjermane për realizimin e kthimit të shqiptarëve, që duhet të kthehen. Kujdes dhe vëmendje duhet nga qeveria qendrore apo vendore për krijimin e kushteve të përshtatshme për jetesë normale për ata, që janë detyruar të largohen për shkak të varfërisë.

Share This Article