Është data 1 tetor, darkë vonë, ka lëvizje në Burgun 302 në Tiranë.
Po transferohej një i paraburgosur i rëndësishëm, jeta e tij thuhej se është në rrezik. Të paktën këtë pohonin zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Gardianë e zyrtarë të burgut të Tiranës morën në duar të dhënat e transferimit: Po vinte Kastriot Ismailaj, personi i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim.
Njeriu i qetë në pamje, po që trazoi aq shumë politikën në vend është 52-vjeçari, pas të cilit dyshohet se fshihet një pjesë e skandalit të madh CEZ-DIA.
Gardianët dhe personeli civil morën udhëzime të qarta se ai duhet të ruhej nën masa mjaft të forta sigurie.
Efektivët e policisë e rrethojnë e mbajnë nën vëzhgim sa herë lëviz, apo kalon në ambientin e ajrimit.
Nga burime konfidenciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mësohet se Ismailajt i është siguruar një qeli më vete, pasi nuk duan që të ketë kontakt me asnjë person, përveç punonjësve të burgut.
Gjendet në të njëjtin kat dhe sektor, ku veç të paraburgosurve të tjerë janë edhe Mark Frroku dhe Ermal Hoxha.
“Në ditët e para ishte shumë në tension, nuk kishte besim tek askush dhe shpesh ankohej”, – tregojnë zyrtarë të burgut.
Pavarësisht se bashkëshortja ishte lejuar të fuste ushqime, ai dyshonte se nuk ishin të përgatitura nga duart e saj.
Ndërsa tashmë ka nisur të ambientohet, pas transferimit nga burgu i Fierit.
Masat e sigurisë, tejet ekstreme, justifikohen me mbrojtjen fizike të tij, por Ismailaj tani ka nisur të dyshojë se ky është një terror që po i bëhet për ta veçuar dhe që mos ketë asnjë kontakt me të dënuar të tjerë, sepse “mund t’i shpëtojë ndonjë fjalë”.
Në kohën kur të gjithë të paraburgosurit shkojnë në ajrim dhe ato pak çaste ikin nga qelitë e ngushta dhe të mbipopulluara, Kastriot Ismailaj rri i mbyllur në dhomëzën e tij.
“Është masë sigurie, pasi kemi urdhër që të mos ketë asnjë kontakt fizik dhe verbal me të paraburgosurit e tjerë, gjithsesi në ajrim e dërgon grupi i gatshëm dhe nuk i mohohet kjo e drejtë”, thonë burimet, citon Mapo.
Çdo i paraburgosur ka të drejtë të bëjë dy telefonata në javë, ndërsa Ismailajt kjo nuk i lejohet.
Këto masa të forta kanë bërë që para gjykatës të pretendojë se nuk e kanë lejuar që të takojë bashkëshorten.
Sa për ushqim, ai i vjen shpesh nga shtëpia, por gjithsesi burime konfidenciale shprehen se “vezët e ziera, ndonjëherë i merr nga burgu”.
Ai e ndjen se aty në burgun 302 nuk është nga ata që quhen “tipa të fortë”, por sërish ia di rëndësinë vetes dhe çështjes.
I paraburgosuri VIP pretendon një shumë prej 130 milionë eurosh.

Po ballist Morina ne ket kat eshte, po baba TAKUU