Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thotë se vonesat për nisjen e punimeve mbi Urën e Lumit Ibër, janë të pa arsyeshme. Ajo shprehet e zhgënjyer me Brukselin dhe thotë se çdo shtyrje tjetër do ta tensionojë situatën.
Bashkimi Evropian i ka ndërruar sërish fjalët për “Barrikadën e Gjelbër” mbi Lumin Ibër, e vendosur nga serbët e Veriut, vitin e kaluar.
Kosova dhe Serbia gjatë muajit gusht të këtij viti u morën vesh që largimi i “Parkut të Paqes” të nisë më 15 tetor.
Por, BE, si autoritet për implementimin e marrëveshjes, ka kërkuar edhe pak afat, 48 orë, që të nisë punimet , për t’i dhënë mundësinë Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, që gjatë kësaj kohe të gjejnë akordin për kufijtë administrativë.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, vlerëson se nuk ka arsye që të vonohet fillimi i punimeve, pavarësisht qëndrimeve të kryetarit Goran Rakic.
Në një prononcim për Radio Dukagjinin, ajo tha se vijat administrative të definuara me Planin e Ahtisarit ekzistojnë, ndërkaq tërhoqi vërejtjen se të dy komunat e kanë për obligim të zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.
“E thjeshtë është kjo punë dhe nuk ka nevojë të shtyhen gjërat, për shkak se një zyrtar i Komunës Veriore ka ende dilema se a dëshiron ta pranojë apo jo praktikisht zonat kadastrale, në bazë të vijës administrative”.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi teknik i Kosovës dhe Serbisë, në fund korrik të 2014-së, ishin pajtuar që revitalizimi i urës së Ibrit, të fillojë po atë vit.
Afati i shtatorit u shkel nga pala serbe, ndërkaq barrikada përfundoi në tavolinën e diskutimeve të Brukselit, mes Isa Mustafës dhe Aleksandar Vucicit. Të dy kryeministrat u pajtuan që Parku i Paqes të hiqet më 15 tetor.
Duke folur për afatet, Tahiri tha se është e zhgënjyer me Brukselin dhe çdo shtyrje tjetër pas 48 orësh, tensionon situatën.
“Për faktin që jemi të zhgënjyer, tregon natyrisht se do të ketë pakënaqësi dhe tensione, nëse nuk zbatohet marrëveshja e Brukselit”.
