Nisi sot në Tiranë aktiviteti “Ecja e 7-të Vjetore Kundër Kancerit të Gjirit”, kur merrte pjesë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ambasadori amerikan Donald Lu dhe gra deputete. Java për sensibilizimin kundër kancerit të gjirit, synon ndërgjegjësimin e grave për të kryer kontrolle dhe për të kapur në kohë këtë sëmundje.
Pjesëmarrësit në ecjen simbolike, të bërë tradicionale tashmë, përgjatë segmentit të këmbësores nga Sheshi i Gardës deri te kryqëzimi i parë i Parkut të Liqenit, bën thirrje për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.
Edhe këtë tetor, për të shtatin vit radhazi, shoqata “YWCA of Albannia”, në bashkëpunim me një numër partnerësh tradicionalë, zhvillon fushatën për informimin dhe ndërgjegjësimin e grave e të vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit, nën moton: SHËNDETI I GJIRIT VARET NGA TY – NJË GJEST I THJESHTË TË SHPËTON JETËN!
Ministri Beqaj tha se Ministria e Shëndetësisë ka nisur të ofrojë shërbimet e kimioterapisë edhe në qytete jashtë Tirane. “Kemi një kujdes të shtuar, edhe për të furnizuar më mirë shërbimin onkologjik në QSUT, edhe pse duhet ta pranojmë, se ende ai nuk i plotëson të gjitha nevojat që janë në atë spital. Por, të paktën këto ditë, jemi duke përfunduar vënien në punë, të një pajisjeje shumë të rëndësishme për radioterapinë – është një Akselerator Linear Modern, i cili duke zgjeruar kapacitetet me trajtim radioterapisë, plotëson kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë”, tha ai.
Beqaj tha se sfida nuk mund të përballohet nëse nuk spostohemi nga sëmundja tek shëndeti, nuk spostohemi nga pacienti tek qytetari apo qytetarja.
“Prandaj, unë edhe njëherë ju bëj thirrje, që të gjitha grave, të kenë sa më shumë kontakte me mjekët e familjes, pasi mjekët e familjes kanë sot njohuritë e domosdoshme për të bërë një këshillim të parë”, shtoi ai. /Dita/
