Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është një taksë që biznesit i rimbursohet. Rimbursimi i saj është një procedurë në të cilën biznesi gjen shumë vështirësi. Për këtë qëllim janë bërë shumë ndërhyrje ligjore.
Ndryshimi më i fundit i bërë, është botuar dje në fletoren zyrtare. Ndryshimet thelbësore kanë të bëjnë me formularin e plotësimit të rimbursimit nga biznesi për këtë taksë dhe rastet kur refuzohet kthimi i kësaj takse.
Po kështu në udhëzimin e djeshëm janë shfuqizohen dhe dy pika të udhëzimit nr. 24, datë 2.9.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që kanë të bëjnë me identifikimin e blerësve të dekoderave.
Konkretisht pika 49.4 dhe pika 50.10 janë dy prej pikave të udhëzimit që shfuqizohen.
Në pikën 49.4 thuhej se “Në rastin e shitjes së dekoderave, në faturën tatimore, shkruhet numri personal i identifikimit të individit blerës të dekoderit. Numri personal i identifikimit të blerësit, person i patatueshëm, vendoset në vendin e përcaktuar në faturë, për vendosjen e NIUS-it, për rastet kur blerës është një person i tatueshëm”.
Ndërsa pika 50.10 cilësonte se “në rastin e shitjes së dekoderave, në faturën tatimore me TVSH, shkruhet numri personal i identifikimit të individit blerës të dekoderit. Numri personal i identifikimit të blerësit, person i patatueshëm, vendoset në vendin e përcaktuar në faturë, për vendosjen e NIUS-it, për rastet kur blerës është një person i tatueshëm”.
Në udhëzimin e ri janë miratuar formatet që do të gjeni dhe në këtë shkrim për “njoftim për mospranimin e kërkesës për rimbursim të TVSH-së”, formati 2, “njoftim për pranimin e kërkesës për rimbursim të TVSH-së” dhe formati 3, “njoftim për miratimin e rimbursimit të TVSH-së”, dhe që zëvendësojnë formatet e mëparshme të udhëzimit. Po kështu shtohet formati 4, “urdhër pagesa për thesarin” dhe formati 5, “njoftim për refuzimin e kërkesës për rimbursim të TVSH-së”, e që tashmë marrin formë zyrtare.
TVSH-ja është një taksë që e paguan konsumatori fundor, dhe të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë ende nuk kanë rezultuar në pritshmëritë e duhura për buxhetin e shtetit.
