Ardian Prenjasi është pyetur sërish nga prokurorët lidhur me zhdukjen e të miturit Çela ndërsa vazhdon t’i qendrojë variantit se e ka hedhur atë në vendgrumbullimin e mbeturinave në Sharrë. Por edhe pse pas 4 seancash pyetjesh në paraburgimin, Mine Peza, prokuroria nuk mund ta akuzojë 45-vjeçarin për vrasje, kjo për shkak, se, gjetja e provave materiale është mjaft e vështirë.
Të gjitha dëshmitë e dhëna nga i dyshuari për vrasje, Ardian Prenjasi, nuk po përkojnë me rezultatet në terren ku hapësira e kërkimeve në landfillin e Sharrës sa vjen e zgjerohet. Kjo u vërtetua dhe mëngjesin e së premtes, ku eskavatori nisi kërkimet në pika të ndryshme të vendgrumbullimit të mbeturinave dhe jo aty, ku 45-vjeçari tregoi fillimisht. Nisur nga kjo por edhe vështirësive të cilat po has çështja, prokuroria tha se nuk ka përjashtuar nga hetimi dhe trafikimin e mundshëm të 11-vjeçarit apo dhe vrasjen e tij për shkak të detyrës së të babait.
Ndërkohë që në banesën e Prrenjasit, nuk u gjet ndonjë provë shkencore që të lidhë pedofilin me zhdukjen e të miturit Çela, 45-vjeçari vazhdon të mbahet në qeli me akuzën e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur, vepër kjo e cila parashikon një dënim maksimal deri në 15 vite.
