DITA! Shanset historike s’na kanë munguar dhe në të shkuarën, por e keqja është se ato s’kemi ditur t’i shfrytëzojmë sa duhet në dobi të interesave tona. Shkaku duhet kërkuar jo vetëm te qelbësirat e huaja që na janë ngatërruar gjithmonë mes këmbëve dhe s’po na lënë as sot e kësaj dite të marrim frymë lirisht, por edhe te mungesa e pjekurisë së duhur politike, si dhe ke mosangazhimi serioz i mediave për të ndërgjegjësuar shoqërinë civile për rolin e rëndësishëm që ka ajo në përzgjedhjen e përfaqësuesve të devotshëm për të drejtuar.
S’ka pse të kërkohet hetim ndërkombëtar nëse policia dhe prokuroria shqiptare kanë përgatitjen, aftësinë dhe mbi të gjitha vullnetin e duhur për t’u përballur ashpër me sfidën që po i bën antishteti. Se sa të interesuar janë eksponentët drejtues, kjo për ne vrojtuesit e jashtëm mbetet akoma një dilemë për shkak se mungojnë akoma shenjat për ndryshim.
