Nacionalizmi, studenti serb dhe Ballist Morina (ose dy shembuj në vend të një polemike me Andrea Stefanin)

anazapta

Në të vërtetë unë jam një njeri që i pëlqen nacionalizmi. Natyrisht, jo ai i çartur serb, që nuk mund të zbutet kurrësesi nga fjalët kalimtare të një studenti, që edhe ashtu sjell një shpresë në mentalitetin ndryshe të një brezi fqinj. E po ashtu, nuk jam e nuk mund të jem një pasues i Ballistit Morina, jo sepse është ballist, kjo është e drejta e tij; jo sepse disa nga njerëzit e politikës, majtas e djathtas, republikanë të thekur e monarkistë që nuk kanë asnjë fije gjaku monarkësh, u sulën drejt tij. Dalldia që na përshkroi pas kualifikimit të ekipit tonë kombëtar për të qenë pjesë në finalet e europianit, nuk është shenjë e dalldisë nacionaliste dhe, si kam shkruar edhe më parë, ne, si popull, pjesë e kombit, nuk jemi të shquar për nacionalizëm. As në Kosovë, ku janë shenjat më të qarta të nacionalizmit, nuk ka dalldi aq të fortë, veç asaj kalimtares. Sepse, edhe pas luftës, ku çka fituam gjatë saj po e humbasim tani, tregtia më e gjerë po bëhet pikërisht me biznesin serb; ky i fundit është i shtrirë gjithandej në Kosovë, klane mafioze serbe shpesh herë kontrollojnë pjesë të rëndësishme të vendimarrjes qeveritare në Kosovë, për të shkuar deri atje sa që, njerëz të kërkuar nga të gjitha anët si kriminelë dhe tejet të rrezikshëm, po gjejnë strehë pikërisht në Kosovë, nën mbrojtjen e biznesmënëve shqiptarë, me një fillesë e vazhdim të dyshimtë në botën e biznesit.

Pra, nuk vuajmë, sipas mendjes sime, nga dalldia nacionaliste; përkundrazi vuajmë e heqim nga e kundërta e saj.

Megjithatë, në këtë botë, secili ndërton heronjtë e tij. Disa janë të përhershëm, mbesin në memorien tonë dhe janë pjesë e mendimit dhe e jetës që bëjmë. Disa të tjerë janë të një kohe të caktuar, që duke mos qenë si Morina i armëve të fshehura në mesin e Tiranës, nuk ka pse të mos jenë një shembull që të bën të ndjehesh mirë në të gjithë atë që ndjen. Dhe nëse ka në këtë një dukuri nacionaliste, kjo nuk i bën dëm askujt, përkundrazi, i bën mirë. Shumë vite më parë, para se të niste lufta e hapur në Kosovë, poeti i shquar Xhevahir Spahiu në Zvicër, do më thoshte se “nacionalizmi i bën nder një populli të vogël” dhe kjo u bë njëra nga motot e luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si thashë, kushdo i ngre vetë heronjtë e tij. Disa të përjetshëm dhe disa të një kohe të caktuar. Më pëlqejnë këto shumë më tepër se sa studenti serb, i cili, duke njohur e pohuar një të vërtetë, nuk është se bëhet përgjithësimi i asaj që ndjejnë bashkëmoshatarët e tij. Në jetën e përditshme ka shumë njerëz të tillë, që heshtur dhe natyrshëm bëjnë atë që e ndjejnë se duhet bërë dhe, në një moment të caktuar, bëhen pjesë e një referimi të duhur, ndoshta edhe historik.

Po sjell dy shembuj, nga dy vende të ndryshme e treva të ndryshme, për të bërë të njohur dy nga heronjtë e mi të një kohe të caktuar.

Ai është një djalë nga Shkodra, mos qofsha i gabuar në vitin e trembëdhjetë të jetës së tij, dhe për këtë nuk jam i sigurtë pasi nuk e kam takuar kurrë më parë. Mbiemëri i tij është Meshnuni dhe shokët e thërrasin shkurt, Nedi. Babai i tij, Astriti, ka qenë një sportist i njohur dhe jashtëzakonisht i vyer për qytetin tonë. E kam parë këtë djalë asaj dite kur kombëtarja jonë do të luante me kombëtaren serbe, asaj dite të rrëkeve të shiut dhe padurimit të pritjes. E kishin caktuar të përcillte futbollistët kur do të dilnin në fushë, dhe megjithëse dëshira e tij kishte qenë të përcillte Lorik Canën, i kishin thënë për Xhakën dhe kishte ndjerë gëzimin e çdo moshatari. Befas, si ndërrojnë gjërat atje thellë, dhe djalit i duhet të jetë pjesë e atyre që do të përcjellin ekipin serb. Asgjë e jashtëzakonshme. Ai e percepton drejt, por të afërmit e tij në shkallët e stadiumit, kur e shohin se në cilin kah do të të jetë, skuqen, ulin kokën, sepse kishin pritur diçka tjetër. Vetëm Nedi nuk e humb vëmendjen. Qëndron i heshtur ndërsa këndohet hymni kombëtar serb, dhe kur fillon hymni ynë kombëtar, gërsheton duart në formën e njohur të shqiponjës dhe këndon me gjithë zërin e tij hymnin tonë. Shkoqur, pa iu dridhur qerpiku dhe i sigurtë se edhe aty, në mes të atij shiu dhe tronditjes së njerëzve të tij, ai po bënte detyrën e tij të dyfishtë: Po respektonte fqinjët futbollistë, por mbi gjithçka vendin e tij, pa i fyer të ardhurit.

Për mua, ndoshta edhe për dikë tjetër, qëndrimi dinjitoz i tij, ishte më i prekshëm se sa armët në makinën e Morinës dhe kapadaillëku që i shoqëron deklaratat e atyre që duke dashur të jenë “të prekshëm” bëhen pjesë e korit të shkeljes së ligjit të shtetit të tyre, qoftë ky edhe shefi i opozitës, Basha, aq më tepër ky i fundit.

Shembulli i dytë vjen nga Kosova, por jashtë saj.

Në qytetin e Augsburgut jetojnë tre vëllezër, Iliri, Fatmiri e Fatjoni, nga fisi i Seferëve. Drenicakë, prekazali, vetëm disa dhjetra metra larg kullave të Jasharëve ngrihen shtëpitë e tyre në vendlindje. Kanë shumë vite në mërgim dhe në njëfarë mënyre janë bërë pjesë e jetës së vendasve, të cilët i anë pranuar si të barabartë, e jo rrallë edhe si njerëz me vlera të veçanta, ndonëse të rinj.

Me konsullin e përgjithshëm të Kosovës në Mynih, mikun tim të vjetër, Naser Idrizi, ishim tek ata, pikërisht atë ditë kur do të luhej edhe ndeshja e ekipit tonë kombëtar në Armeni.

Logo e famijes Seferi

Fatmiri është njëri nga vllezërit që e njoha nga afër. Nuk qëndruam gjatë, por aq sa ishte e mjaftueshme për të njohur disa gjarje të jetës së tyre, që i kisha dëgjuar edhe më parë, dhe të cilat, kur i dëgjova në veten e parë më janë dukur më të thjeshta se kur m’i kishin treguar. Ndoshta nga që ishin bërë natyrshëm.

Dy vëllezërit, Fatmiri e Fatjoni drejtojnë sot gjashtë restorante në Augsburg; vëllai tjetër, Iliri, dy të tjera. Lokali ku unë isha i ftuar, është njëri prej tyre dhe ka në brendinë e tij edhe fabrikën e prodhimit të birrës së njohur bavareze. Salla e madhe, me mbi 600 vende, ishte vendi ku bëheshin zakonisht edhe tubimet elektorale apo mbledhjet e mëdha partiake të CSU-së. Shefi i shtetit bavarez, Seehofer, ishte mik i djemve.

Logoja e lokalit është një ndërthurje mes temës bavareze të qytetit dhe flamurit tonë kombëtar. Krejt sipër është vendosur shqiponja dykrerëshe dhe kjo zgjon kureshtjen e mysafirëve, të cilët në stinën e verës bëjnë më shumë se 2 mijë vetë në ditë. Në një intervistë të gjatë, mbi gjysmë ore, në stacionin televiziv të landit bavarez, Byerische Rundfunk, djemtë flasin më shumë për Adem Jasharin, jetën e tij, masakrat që ndodhën në Drenicë, bujarinë shqiptare, e më pas për biznesin e tyre.

Kur morën me qira lokalin e parë njerëzit u thanë që të shpallnin veten si italianë apo diç tjetër, pasi nami i shqiptarëve aso kohe nuk ishte edhe aq i mirëpritur. Nuk pranuan. E thanë kombësinë e tyre haptas dhe e vendosën në stemën e lokalit. Fillimisht kishte stepje, por nuk vazhdoi gjatë. Në fund të fundit ishin tre djem që kishin marrë parasysh gjithçka.

Në njërin nga takimet elektorale të CSU-së, shefi i qeverisë bavareze u tha djemve nëse mundet t’i ndihmojë, ndoshta kanë ndonjë dëshirë të fshehur, pasi ata, djemtë, u bënë pjesë e jetës bavareze. “Kemi dy dëshira, – i thanë, – por dëshirën e parë po e mbajmë brenda vetes, ndërsa të dytën do e themi. Duam që në këtë qytet të vendoset statuja e Nënë Terezës”.

Landi bavarez e miratoi kërkesën e tyre. Në një kohë rekord, me financimet e tyre dhe ndihmesën e bashkëatdhetarëve, u ngrit statuja e Nënës shqiptare, Terezë, si është e shkruar, dhe u vendos në sheshin kryesor të qendrës spitalore të qytetit. Djemtë nuk vendosën emrin e tyre, por shkruan thjeshtë se kjo statujë është dhuratë e Republikës së Kosovës për qytetin e Augsburgut. Sepse donin që qeveria e tyre të bëhet e njohur edhe kështu. Lobi maqedonas në Gjermani u afroi shuma të mëdha që të shkruanin se Nënë Tereza është nga Maqedonia, por nuk pranuan dhe shkruan se kjo është Nënë Tereza shqiptare.

I pyeta se cila kishte qenë dëshira e parë e tyre, të cilin nuk ia kishin thënë kryeministrit bavarez. Fatmirit i qeshën sytë pas syzeve dhe tha shkurt: “Statuja e Adem Jasharit, por do i vijë koha shpejt”.

Nuk e di se kur do i takoj rishtas këta djem. Aty pranë jeton miku im i madh, piktori i njohur, Gjolesh Gjoka. Njeriu i mikpritjes dhe i fjalës së ëmbël, i pikturave që të ngelin në mendje, mes tyre e famshmja “Vajtojcat e Kosovës”, realizuar në ditët e masakrave serbe në Kosovë. Piktori i shquar ma dhuroi këtë pikturë, si shenjë miqësie, por ajo nuk mund të ishte pjesë e një shtëpie të vetme, ajo ishte dëshmuese historike, dhe vendosëm të ishte në Kosovë, aty ku kishte ndodhur krimi.

Nuk i solla rastësisht dy shembujt nga dy vise të ndryshme shqiptare dhe jo rastësisht do të bëj shënimin e mëposhtëm:

Ka kaq kohë, ndoshta 25 vite, që dëgjojmë çdo ditë e çdo natë se si pjesë të atdheut shiten copë copë, ndoshta jo në formën e hektarëve tokësorë apo të miljeve detare, megjithëse është synuar edhe ashtu, por duke ia zhvatur mrekullitë që i janë dhënë, duke u pasuruar mbi vuajtjet e të tjerëve dhe duke shngjyrosur deri në palcë ndjenjën e kombit. Në më shumë se dy dekada, thuajse të gjithë njerëzit e politikës, që e filluan karrierën, më ndjeni, “brekëgrisur”, gjatë një mandati qeveritar apo bashkiak, u bënë të pasurit e dheut. Ndërtuan një perandori financiare dhe i betonuan përmes një oligarkie mafioze që të merr frymën. Çdo gjë që kishte lidhje me kombin ata e banalizuan deri aty sa që shpeshherë, një njeri që prosperon si idealist, e përtallin, e gjuajnë me breshërinë e fjalëve, e nëpërkëmbin dhe kështu, vlera e asaj që duhej të ishte tek nacionalizmi ynë, bëhet groteske dhe e përqeshur.

Unë e kam dashur që në fillim gazetën DITA, edhe kur nuk isha pjesë e stafit të saj, pikërisht sepse kishte këtë vizion kundërthënës ndaj politikës, dhe kjo nuk është e pakët në kohë të tillë. Deliri që përcolli një kualifikim, më shumë se sa dalldi nacionaliste, ishte një përshfaqje e natyrshme e kundërvlerës që na kanë servirur “ideologët” e politikës; ishte si të thuash, gëzimi i atyre që për një çast e menduan veten si faktor mbi politikën, por që të nesërmen i duhej të luftonin përsëri për bukën e gojës. Ata nuk e panë këtë kualifikim si triumf të nacionalizmit, por të përbashkimit; ata nuk deshën ta shfrytëzojnë atë si pjesë të karrierës së tyre, por shpërthim të dufit që kanë mbledhur brenda vetes dhe ku, në të cilin, gëzimet janë bërë aq të pakta.

Shqiptarët nuk vuajnë nga dalldia nacionaliste. Për fat të keq, dhe kjo më dhemb, ndjenja nacionale është bërë si një lëkurë e tëhuaj, e cila na është veshur dhe me zor po na shqitet.

Ndoshta ju duket e çuditshme, por edhe në vitin 1998, viti i pikut të luftës në Kosovë, tregtarët shqiptarë të Kosovës, bënë në Serbi një tregti prej më shumë se 400 milionë markash gjermane. Ndoshta është e pabesueshme, por edhe sot kur ndarja e kufijve dhe vendosja e një sinori është kaq e prekshme, vlera tregtare është dhjetëfishuar.

E si mund të jemi nacionalistë, kur mallrave të të dy vendeve u pritet rruga dhe u rritet dogana, ndërsa mallrat e “hasmit” janë si në shtëpinë e tyre.

Mos më keqkupto, zoti Stefani. Secili nga ne, besoj, ka të drejtë në arsyetimin e tij. Por për një njeri si unë, shokët e afërt të të cilit janë vrarë në luftën e Kosovës, ndjenja e besimit ndaj një thënieje rinore serbe, është ende e largët.

 

*Në foton kryesore ndodhen anëtarë të familjes Seferi.

Shkrimin e zotit Stefani mund ta lexoni të plotë KËTU

Share This Article
4 Comments
  • Nuk mbulohet dielli me shoshe Berdri,komento pak eksodin e ambasadave dhe te marsit me anije te 97, te tanishmin ,dicka nuk shon por heroj mbs lufte ke sate duash.

    • Po Berdriu ishte ne nje lufte e nuk u tremb o fshatar pa mend e pa fshat. Shife vedin se ku futesh kur te nise nje sherr e jo nje lufte. Turp per redaksine qe lejojne kesi poshtersish kunder gazetareve te vet. Turp.

  • Pa e mbaruar shkrimin mendja me tha: sa nevoje kane daoleshentet dhe te rinjte tane te lexojne shkrime te tilla! Po kush kujdeset per kete? Askush, pervec z.Islami dhe pak te tjereve qe shkruajne me kete fryme dhe per kete fryme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *