“Presidenti i Ukrainës Kuchma viziton Moskën dhe kthehet në Ukrainë me lajme të mira: “E vizitova Moskën dhe Kremlini ra dakord të fshijë borxhin prej 12 miliardë dollarë, që i detyrohemi.” “Si ia dole t’i bindje ?” e pyeti Ministri i tij. “Po, ja mora shefin e Moskës dhe e ula në një stol, në sheshin e Kuq dhe i ofrova atë çka kërkonte, një favor seksual.” Ministri e pyet sërish: “ Po, pse e ule në stol?” Kuchma iu përgjigj: “Është e papranueshme për ne t’i ulemi në gjunjë një rusi, apo jo ?”
Një pjesëz humori e përdorur gjerësisht në fushën e politikës, për të konceptuar ndarjen apo përplasjen, që real politika shkakton me parimet, vlerat, apo idealin.
Zgjerimi është një proces i bazuar në kritere të qarta, që prekin një sërë elementësh thelbësorë që vendet duhet të përmbushin për t’u anëtarësuar. Kriteri politik, ku kërkohet stabilitet i institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut si edhe respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve; kriteri ekonomik ku kërkohet një ekonomi tregu funksionuese dhe kapacitet për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut; si edhe kapacitet institucional dhe administrativ për të zbatuar në mënyrë efikase legjislacionin e Unionit dhe aftësi për përballimin e detyrimeve, që rrjedhin nga anëtarësimi.
Vizita e kancelares gjermane në Turqi, vetëm dy javë përpara zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Turqi, konfirmoi avancimin e dosjes integruese turke drejt BE-së. Konkretisht pritet të hapet kapitulli mbi Çështjet Ekonomike dhe Politikat Monetare si edhe kapitujt mbi drejtësinë dhe të drejtat themelore, kapituj të bllokuar përkohësisht nga Qipro. Ndonëse jo normë, në parim hapja e kapitujve preferohet të kryhet mbi çështje, që ka një avancim apo përparim në terren.
Ky kompromis që po çon në hapjen e kapitujve të tjerë, ka në thelb arritjen e marrëveshjes, ndër të tjera, mbi një çështje të rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por që prek pothuajse tërë Unionin, çështjen e refugjatëve dhe të imigrantëve.
Por, a do të hapeshin këto kapituj në rrethana të tjera, apo në kushte normale në mungesë të krizës, që paraqet përballja me flukset e larta të refugjatëve? Pra, a do të avancohej në kushtet aktuale me dosjen turke, në rast se nuk do të kishte një presion për zgjidhjen e një problemi politik kombëtar apo të disa shteteve anëtare, brenda Unionit ?
Probabiliteti është shumë i ulët, për të mos thënë vështirësisht ekzistent.
Nga njëra anë, kompromisi u prezantua si operim i logjikës diplomatike në fushën e politikës së jashtme, që favorizon real politikën, pra sistemin e veprimit politik, që bazohet më shumë mbi një logjikë praktike, se sa në konsiderime morale, apo ideologjike. Ky sistem veprimi sigurisht që ndikohet edhe nga presioni i konsiderueshëm, që ushtron mandati politik në kohë, duke kërkuar zgjidhjen më të shpejtë dhe afatshkurtër.
Por, nga ana tjetër, kjo logjikë praktike operimi ndonëse e dobishme në terma të interesit kombëtar, e fut në dilemë ekzistenciale dimensionin moral, në kuptimin e thjeshtëzimit të kalkulimit racional se, çfarë është e suksesshme është e drejtë dhe çfarë është e pasuksesshme është e gabuar.
Instrumentalizimi
Por, ky kompromis ndonëse i justifikuar në terma të real politikës, na përball me një tjetër fenomen, instrumentalizimin e politikave të zgjerimit për arsye të pastra kombëtare. Pra, nëse në parim zgjerimi bazohet në kritere të qarta, si ai politik, ekonomik apo institucional, ka një tendencë sistematike për të dalë nga korniza fillestare, duke rrëshqitur në një terren problematik, të shfrytëzimit të perspektivës së zgjerimit, apo elementëve të saj. Për hir të një marrëveshje, që tejkalon kriteret e anëtarësimit, zgjerojmë perspektivën e aderimit me hapjen e tre kapitujve të tjerë, apo e ngushtojmë atë, duke i bllokuar përkohësisht po të njëjtët kapituj.
Ky instrumentalizim kombëtar, ka bërë që dosja turke të bllokohet në mënyrë të vazhdueshme sa nga Qipro, sa nga Greqia, sa nga Franca, apo edhe nga vetë Gjermania. Turqia është gjithashtu rasti flagrant, ku perspektiva e anëtarësimit ka humbur përkohësisht identitetin e saj teksa në mes të procedurave i komunikohet se vullnete të caktuar kombëtarë kërkojnë një marrëdhënie partneriteti të privilegjuar dhe jo anëtarësimin e saj në Union. Çka, pavarësisht kalkulimit të pastër racional të real politikës, që përkthehet në pushtet vote mbi bazat e larta demografike që ka Turqia, e ekspozoi sërish në dilemë ekzistenciale sistemin e vlerave në politikat e zgjerimit që përfaqëson Unioni. Këto instrumentalizime janë të njohura edhe në Ballkan, si rasti Kroaci-Slloveni me çështjen e “Gjirit të Piranit” dhe çështjen e“Ljubljanska Bank”, apo rasti Maqedoni-Greqi me çështjen e zgjidhjes së emrit.
Zgjerimi, ndryshe nga ç’konceptohet në opinionin e gjerë publik, nuk është aspak në dorë të institucioneve evropiane. Janë vendet anëtare, ato që kontrollojnë tërësisht dhe vendosin mbi politikat e zgjerimit. Pra, nëse ka një vëmendje të lartë të opinionit publik ndaj Komisionit Evropian, reagimeve apo raporteve, që vijnë nga ky institucion, këto qëndrime institucionale janë të papërfillshme nga vetë shtetet anëtare. Sidomos kur bëhet fjalë për politikat e zgjerimit. Rastet janë flagrante. Ndonëse Komisioni ka rekomanduar për të nëntën herë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, bllokimi vjen pikërisht nga shtetet anëtare (Greqia) në Këshill, ku kërkohet unanimitet. Apo rasti i Shqipërisë, në vitin 2011, ku pavarësisht incidenteve të rënda politike që njohu ai vit, vlerësimi i Komisionit në progres raportin e tij ishte për dhënien e statusit të vendit kandidat. Vlerësim që jo vetëm nuk u mor parasysh nga vendet anëtare, por iu kërkua Komisionit formulimi i një tjetër raporti të ndërmjetëm në pranverë, që sërish nuk u mor parasysh. Edhe roli i Parlamentit Evropian ndaj zgjerimit është thuajse minimal, ku vetëm në fund të negociatave ka një vendosje me bazë të thjeshtë, po ose jo. Vendet anëtare marrin rëndësi të lartë në vendosje, ku në Këshill kërkohet unanimiteti dhe në rast transferimi për vendosje në Këshillin Evropian, vendoset po nga shtetet dhe krerët e tyre me unanimitet. Janë po shtetet, që nënshkruajnë traktatin e aderimit, si edhe parlamentet kombëtarë ato, që kanë fjalën e fundit në procesin e ratifikimit të traktatit.
Zhvlerësimi i rolit institucional evropian ka ecur në mënyrë proporcionale me rritjen e rolit kombëtar ndaj politikave të zgjerimit. Si Franca, por edhe Gjermania kanë ndryshuar kompetencat e brendshme kombëtare, për të rritur kontrollin ndaj zgjerimit. Franca ka ndryshuar Kushtetutën, nëpërmjet të cilës e detyron qeverinë të mbajë referendum, në lidhje me zgjerimin, në rast se nuk arrihet shumica e kërkuar në Asamblenë nacionale. Edhe roli i Bundestagut gjerman është rritur, duke prekur ndjeshëm qëndrimet qeveritare në lidhje me zgjerimin. Instrumentalizimi kombëtar i politikave të zgjerimit, ndonëse shfaqet si problematikë e ndjeshme dhe se duhet shmangur apo eliminuar në gjykim apo vlerësim, kjo është thuajse e pamundur pasi tërë mekanizmi funksionues institucional i BE-së është i tillë që në krijim, ku vendet anëtare vendosin dhe jo institucionet. Prandaj vullneti dhe roli i tyre është absolut duke frenuar dhe avancuar përtej kritereve bazë, dosjen e zgjerimit./im.ta/
