Sa shumë nevojë për qytetari!

redaktor

Kam disa mendime pas përfundimit të ciklit tonë të suksesshëm futbollistik të kombëtares. Nuk është hera e parë që dëgjoj dhe shikoj reagimet, sidomos të kosovarëve për flamurin e UÇK-së në stadiume. Fatkeqesisht shumë prej tyre shfaqen shumë të irrituar dhe duke sharë me fjalor ekstrem dhe banal para kamerave, në vende publike etj. UÇK-ja ka historinë e vet fisnike kur lindi dhe gjithashtu kur mbaroi misionin e vet. Dhëntë Zoti që Kosova të mos ketë më nevojë për UÇK, por jetoftë përgjithmonë në paqe dhe siguri.

Por në rrethanat e tanishme, nuk mund të kuptohet fare se çfarë është kërkesa për ta ngritur lart flamurin e UÇK nëpër stadiumet e Shqipërisë?! Në fushën e blertë luhet vetëm futboll dhe as gjë tjetër jashtë kësaj loje nuk ka kuptim dhe as që duhet të ketë. Shumë veta ende dhe sot tregojnë për atë që serbët bënë në Beograd me lojtarët e Kombëtares sonë. Është e vërtetë, ashtu bënë ata. Por nëse ne kemi një komshi jo të mirë, grindavec, provokator, sherrxhi etj, a do të thote kjo se edhe ne do të bëhemi të tillë.

Çdokush duhet ta dijë se nuk është populli serb, por disa elemente ultranacionalistë e halabakë të yshtur edhe nga politika e mbrapshtë e politikanëve të Serbisë, ata që janë pas akteve vandale e ksenofobe. Ata akoma nuk e kanë kuptuar se Kosova është bërë njëherë e mirë e lirë dhe sovrane. Dhe për këtë ata nuk i pyet me njeri fare. Simbolet dhe replikat nacionaliste pa vend dhe aq më tepër pa arsye nuk na bëjnë nder fare. Le ta lëmë luftën mbrapa dhe le të gëzohemi me paqen dhe lirinë qe kemi përpara, por që nuk janë dhurata aq të thjeshta. Për ta duhet me u përulë, duhet shumë punë, durim, falje, guxim, kulturë dhe dritë. Për ndeshjen në Elbasan Arena u tha që fitoi qytetaria dhe mori tri pike….!!! Fitoi qytetaria me shtetrrethim policor, por pa këtë blindim të policisë çfarë do të kishim parë? Të gjithë shqiptarët kanë nevojë që të kuptojnë se kemi akoma shumë nevojë që të emancipohemi dhe të sillemi me këdo si qytetarë, por edhe me besë të vërtetë Shqiptari.

Faleminderit,

 

Letër e nënshkruar,

nga L.M.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *